Aktivitete

E enjte, 7 shtator 2017

Fjalim i Kryetarit Xhaferi me rastin e 8 shtatorit - Ditën e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë

I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar deputetë të përbërjes së parë të Kuvendit të Republikë së Maqedonisë,
Të nderuar kolegë deputetë,
ministra,
përfaqësues të bashkësive fetare,
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 

Në vigjiljen e shënimit të Ditës së pavarësisë, 8 shtatorit, që në fillim dëshiroj tu shpreh mirënjohje, a besoj se atë mirënjohje e ndan edhe opinioni i tërë në Republikën e Maqedonisë, ndaj deputetëve të përbërjes së parë parlamentare të Republikës së Maqedonisë. Ato, e zbatuan vullnetin e qytetarëve të shprehur në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991. Referendum në të cilin Maqedonasit, Shqiptarët, Romët, Turqit, Serbet, Boshnjakët dhe të tjerët u përcaktuan për shtet autonom dhe të pavarur të Republikës së Maqedonisë. Nëse me Ilindenin e parë të vitit 1903 u determinua përcaktimi për shtet të pavarur, në Ilindenin e dytë në vitin 1944 KAÇKJ, Republika e Maqedonisë i fitoi elementet themelore të shtetit si njësi federale në kuadër të ish Jugosllavisë. Ajo shtetësi dhe pavarësi u rrumbullakua më 8 shtator të vitit 1991, përmes vullnetit të qytetarëve të shprehur në mënyrë të qartë. Gjithë procesi i pavarësimit, prej nxjerrjes së Kushtetutës, deri në nxjerrjen e më shumë ligjeve sistemore, respektivisht krijimi i rendit juridik, zhvillohej në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe pikërisht këtu shihet roli historik dhe kontributi i kolegëve deputetë nga përbërja e parë parlamentare. 

Miq të nderuar, 

Para njëzetegjashtë viteve u determinuan edhe qëllimet strategjike, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm. Në planin e brendshëm, Republika e Maqedonisë ishte definuar si shtet qytetar i cili bazohet mbi të drejtat dhe liritë njerëzore individuale dhe kolektive, mbi parimet e demokracisë parlamentare dhe sundimin e të drejtës, respektimin e pronës private dhe rregullave të tregut. Me këtë rast, shoqëria ishte definuar si multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale. Në planin e jashtëm, qëllim prioritar strategjik ishte përcaktuar integrimi i plotë në strukturat euroatlantike, respektivisht anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO. Në raste të këtilla, vetvetiu imponohet pyetja, sa prej këtyre përcaktimeve strategjike kemi realizuar? Mendoj se në këto njëzetegjashtë vite, duke i marrë parasysh arsyet objektive dhe ato subjektive, mandej edhe mosmarrëveshjet e brendshme, përsëri, kemi bërë hapa të mëdha përpara në realizimin e përcaktimeve tona strategjike. Sot, Republika e Maqedonisë është subjekt i njohur ndërkombëtar, i cili në një periudhë të caktuar kohore paraqiste kanosje për paqen në rajon, mirëpo, tani është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Është fakt se si demokraci e re, akoma kemi nevojë për ndihmë ose këshilla nga miqtë tanë ndërkombëtarë në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve tona politike vendore, të cilat në momente kanë një karakter tipik folklor, por përsëri mendoj se dalë ngadalë po e tejkalojmë edhe këtë fazë. 

Zonja dhe zotëri, 

Para do kohe përfunduan njëqind ditë nga konstituimi i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë a së shpejti do të kalojnë edhe njëqind ditët e formimit të Qeverisë aktuale të Republikës së Maqedonisë. Nuk do të flas për atë se çka është bërë ose nuk është bërë gjatë këtyre njëqind ditëve, por, dua të theksoj vetëm një fakt. Kjo shumicë parlamentare, ka guxim, ka vullnet, a ka edhe dituri dhe kapacitet për të bërë hapa të konsiderueshme përpara, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, në realizimin e qëllimeve tona strategjike të definuara siç thashë, para njëzetegjashtë viteve. Gjithsesi se në këto procese pres që kontributin e vet ta japë edhe opozita me kritika të argumentuara mirëpo edhe me propozime konstruktive. Ndërsa shumica ka obligim që të krijojë kushte që opozita të mundet gjithë këtë ta artikulojë përmes institucioneve në mënyrë transparente para opinionit. Shpresoj se të gjithë ne që jemi në politikë, falë besimit të qytetarëve, i mësuam postulatet themelore të demokracisë parlamentare, gjegjësisht, gjatë marrjes së vendimeve tona politike, në plan të parë gjithmonë të jetë qytetari, të drejtat dhe liritë e tij, e tashmja e tij stabile dhe ardhmëria më e mirë.

Pikërisht me këtë përcaktim për të tashme stabile dhe ardhmëri më të mirë, dëshiroj që të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe Juve, të pranishëm të nderuar, t'ua uroj Ditën e pavarësisë dhe t'ju uroj para së gjithash, lumturi personale mirëpo, edhe përkushtim më të madh dhe përgjegjësi për Republikë të Maqedonisë më të mirë evropiane.

Ju falemnderit për vëmendjen.  

 
a

Na ndiqni në: