Aktivitete

E mërkurë, 6 shtator 2017

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, në mbledhjen konstituive të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Hendikep

Zonja dhe zotërinj,
kolegë deputetë,
Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar,
Përfaqësues të medieve, 

Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Hendikep nuk është trup klasik i Kuvendit siç janë, për shembull, komisionet e Kuvendit, këshillat parlamentare dhe të tjerat, por paraqet lobi-grup parlamentar, qëllimi i të cilit është të punojë në përmirësimin e kushteve për bashkëqytetarët tanë që janë me hendikep, që edhe realisht të mund të ndihen të barabartë me qytetarët tjerë. Të mos harrojmë se kjo është pjesë e të drejtave të përgjithshme të njeriut që janë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Shteti, por edhe të gjithë ne që jemi në politikë, kemi obligim të mundësojmë që çdo qytetar, çdo individ, t'i gëzojë në mënyrë të barabartë të drejtat e tij.

Të nderuar miq,

Kur bëhet fjalë për rregullimin normativ të të drejtave të personave me hendikep, mendoj se kemi ligje të mira, që në masë të madhe i kanë zbatuar standardet evropiane. Jam i bindur se grupi juaj që do të formohet sot, do t'i shqyrtojë hollësisht ligjet dhe aktet tjera që e rregullojnë këtë problematikë dhe në bazë të kësaj analize, si dhe krahasimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe zgjidhjeve ligjore në vendet-anëtare, do t'i propozojnë ndryshimet dhe plotësimet e veta. Pastaj, nëse nevojitet, do të propozojnë edhe miratimin e ligjeve të reja, pa pritur që këto të vijnë nga pushteti ekzekutiv. Unë si Kryetar i Kuvendit, gjithsesi duke e respektuar Rregulloren, premtoj se çdo iniciativë e tillë do të vihet në rend dite, përkatësisht do të hyjë në procedurë ligjvënëse. Kjo është vetëm pjesa normative. Për fat të keq, praktika jonë tregon një hap të madh ndërmjet rregullimit normativ dhe zbatimit të ligjeve dhe kjo nuk është ashtu vetëm kur bëhet fjalë për të drejtat e personave me hendikep, por në përgjithësi. Si do ta tejkalojmë këtë? Demokracia parlamentare ka përgjigje edhe për këtë çështje. Këto janë debatet mbikëqyrëse përmes së cilave, nga njëra anë realisht mund t'i pasqyrojnë gjendjet, të identifikohen subjektet përgjegjëse, si dhe përgjegjësia e tyre objektive dhe subjektive, megjithatë, edhe të miratohen konkluzionet dhe drejtimet e qarta për tejkalimin e tyre. Pra, si shtet, qëllimi strategjik i të cilit është integrimi në BE, ne nuk guxojmë të lejojmë që personat me hendikep të margjinalizohen në çfarëdo qoftë mënyre. Për fat të keq, madje edhe në Shkup, por më tepër në brendësi, kemi shumë pengesa fizike reale që e vështirësojnë apo në përgjithësi nuk e lejojnë lëvizjen normale të personave që shfrytëzojnë karrocë invalidi. Flasim për kompjuter për çdo fëmijë megjithatë, së paku unë nuk kam dëgjuar, nëse secilit qytetari tonë me shikim të dëmtuar, pa dallim nëse bëhet fjalë për nxënës, student apo njeri i rritur, shteti i ka siguruar kompjuter të veçantë për personat me hendikep të tillë? Më tutje, vërtetë pyetem nëse në organet e vetëqeverisjes lokale megjithatë edhe në institucionet shtetërore nëse në përgjithësi ka të punësuar që e dinë gjuhën e shenjave të shurdhmemecëve dhe personave me dëgjim të dëmtuar? Shtrohet pyetja, sa si shtet, kemi krijuar kushte për personat me hendikep, mendoj, para se gjithash, për personat me dëgjim të dëmtuar dhe shurdhmemecët, si dhe për personat me shikim të dëmtuar dhe personat e verbër, të mund të studiojnë në institucionet e arsimit të lartë. Pyetje të tilla dhe të ngjashme mund të shtrojmë edhe më tutje, megjithatë, siç thashë, nevojitet që gjendjet të ndryshojnë.

Të nderuar,

Besoj se ju, të cilët si anëtarë të këtij Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Hendikep në periudhën e tanishme të mandatit, keni edhe kapacitet, njohuri dhe dëshirë politike për ndryshimin e gjendjeve. Jam i bindur se së bashku me sektorin joqeveritar si dhe me institucionet tjera shtetërore, do të bëni një hap të madh pozitiv në drejtim të përmirësimit të jetës së bashkëqytetarëve tanë me hendikep. Gjithsesi se kjo është sfidë dhe përgjegjësi e madhe, por nëse të gjithë flasim për zbatimin e plotë të standardeve evropiane, atëherë nuk mund të lejojmë që një grup i qytetarëve realisht të mos munden t'i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore të njeriut dhe kjo vetëm për një arsye, që kanë ndonjë hendikep.

Ju faleminderit për vëmendjen.

 
a

Na ndiqni në: