Aktivitetet

E premte, 24 nëntor 2017 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në evenimentin ndërkombëtar „16 ditë aktivizëm kundër dhunës gjinore“

Zonja dhe zotëri,
Shkëlqesi, 
Kolegë të nderuar,

"Të gjithë qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë sipas dinjitetit dhe të drejtave. Ato janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet ndaj njëri tjetrit të sillen në frymën e vëllazërisë".

Kjo qëndron në Nenin e parë të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut që më dhjetë dhjetor të vitit 1948 u nënshkrua në Kombet e Bashkuara dhe prej atëherë, ajo ditë shënohet si ditë e të drejtave dhe lirive të njeriut. Më tutje, në nenin e dytë, vazhdon me "Secili ka të drejtë në të gjitha të drejtat dhe liritë e theksuara në këtë Deklaratë, pa dallim se të cilit lloj janë: raca, ngjyra, gjinia, gjuha, religjioni, mendimi politik ose tjetër, prejardhja nacionale ose sociale, prona, lindja ose status tjetër.“ Qartë është definuar universalizmi dhe gjerësia e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prej këtu, qartë shihet se në setin e të drejtave dhe lirive të njeriut, bën pjesë edhe barazia gjinore, ndërsa prej vitit 1991, më 24 nëntor, në gjithë botën fillon aktivizimi gjashtëmbëdhjetë ditor kundër dhunës mbi gratë dhe ato ditë, në mënyrë simbolike ngjyrosen me ngjyrën e njohur të portokallte, a përfundojnë më 10 dhjetor, kur edhe shënohet Dita e të drejtave të njeriut. 

Mbaj mend se me këtë rast vitin e kaluar, Kalaja e Shkupit ishte ngjyrosur simbolikisht me ngjyrën e portokalltë ndërsa këtë vit, kështu do të ngjyroset Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Ky do të jetë mesazh shumë i fuqishëm, si për ne deputetët, ashtu edhe për pushtetin ekzekutiv, për sektorin joqeveritar dhe për të gjithë subjektet relevante ndërsa mesazhi është si vijon: barazia gjinore është kategori dinamike e cila duhet vazhdimisht të ndiqet dhe të mbindërtohet. Në të njëjtën kohë, si subjekte, jemi të obliguar për një qasje aktive në luftën kundër çfarëdo lloji dhune mbi gratë, duke filluar prej dhunës shtëpiake, deri në tregtinë ndërkombëtare me njerëz, para së gjithash me gra dhe vajza të cilat në rastet më të shumta vihen në robëri klasike seksuale. Ajo qasje aktive, assesi nuk guxon të ndalet vetëm në këto gjashtëmbëdhjetë ditë por, duhet të praktikohet në mënyrë të vazhdueshme, derisa të shndërrohet në shprehi të përditshme dhe kujdes për këtë kategori të njerëzve. 

Zonja dhe zotëri,
miq të respektuar, 

Nuk do të flas për Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, as për setin e ligjeve me të cilat në aspekt formal, shumë mirë është rregulluar barazia gjinore, si edhe lufta kundër dhunës ndaj grave. Mirëpo, siç thashë, kjo është kategori dinamike dhe kërkon përcjellje të vazhdueshme, kërkon hulumtim dhe gjithsesi, nëse ka nevojë edhe ndryshime dhe plotësime të zgjidhjeve ekzistuese ligjore ose po nxjerrje të ligjeve të reja. Mendoj se Kuvendi, pikërisht këtu mund të luajë rol aktiv dhe shumë të rëndësishëm, duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat që i ka në dispozicion sipas Kushtetutës, Ligjeve dhe Rregullores për punë. Këtu i kam ndërmend debatet publike, debatet mbikëqyrëse, deri në inicimin e procedurave ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve ose po, nxjerrjes së zgjidhjeve ligjore të reja për këtë problematikë. Dëshiroj ta përmend Komisionin për mundësi të barabarta të burrave dhe të grave, mandej Komisionin e përhershëm anketues për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Klubin e deputeteve, Lobi grupin inter-partiak dhe të tjerë që në mënyrë të pashtershme e japin kontributin e vet për këtë çështje urgjente.  Me këtë rast, patjetër t'u rikujtoj edhe pse nuk krenohem me këtë, se ne akoma jemi, nëse mund të shprehem kështu, shoqëri mashkullore ku akoma janë të pranishme paragjykimet dhe stereotipat kur bëhet fjalë për barazinë gjinore. Akoma jemi shoqëri në të cilën është e pranishme dhuna familjare dhe dukje të tjera, për fat të keq negative me ç'rast viktima janë gratë dhe vajzat. Në këtë angazhim, nëse preferoni, edhe betejë për realizimin e një nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore, po aq i rëndësishëm është edhe roli i sektorit joqeveritar, mandej sistemi arsimor dhe disiplinat shkencore përkatëse siç janë për shembull psikologjia sociale, antropologjia sociale dhe të tjera, avokati i popullit dhe gjithsesi, rol dhe përgjegjësi tejet të madhe kanë mediumet, në realizimin e barazisë gjinore me atë që do i zbulojnë që mandej do të vijojë sanksionimi i të gjitha dukurive negative ku viktima janë gratë dhe vajzat e reja. 

A, sa i takon këtyre gjashtëmbëdhjetë ditëve të aktiviteteve në ngjyrën e portokalltë, mendoj se janë rast i mirë që të gjithë së bashku të mund të vlerësojmë çka kemi bërë për një vit, çfarë kemi arritur konkretisht dhe si është gjendja aktuale te ne por edhe më gjerë, dhe çfarë planifikojmë të bëjmë në të ardhme. Besoj se të gjithë së bashku, me angazhim të përbashkët, mund të bëjmë shumë, sidomos në luftën kundër çfarëdo dhune mbi këtë kategori të grave dhe vajzave të reja të prekura.  

Kjo është vlerë dhe obligim i ynë i përbashkët civilizues, ndërsa viktimat, parë në një kuptim human më të gjerë, janë nënat tona, motrat, ose bijat tona të cilat do të munden çdoherë të mbështeten në ne. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

  

Click