Aktivitetet

E premte, 17 nëntor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në takimin e punës të GPNP me temë „Familje për çdo fëmijë“

Mysafirë të nderuar, 
Shkëlqesi, 
Kolegë të nderuar, 
Përfaqësues të sektorit joqeveritar, 
Zonja dhe zotëri,

Kur e lexoja programin për takimin e sotëm, a sidomos temën "Familje për çdo fëmijë", mu kujtua romani i Çarlls Dikens, "Oliver Tvist", i cili rrëfimin e vet e fillon me përshkrimin e kushteve për jetë të fëmijëve pa prindër në një jetimore dhe me keqpërdorimin e  tyre më të vrazhdë. Besoj se shumë prej jush e kanë lexuar romanin ose po kanë shikuar ndonjë nga shumica e versioneve filmike që janë incizuar sipas këtij romani. Prej atëherë deri tani, shumë punë janë ndryshuar. Është ndryshuar sistemi shoqëror i vlerave për këtë kategori të fëmijëve, janë miratuar shumë dokumente ndërkombëtare për mbrojtjen e këtyre kategorive, para së gjithash falë Kombeve të Bashkuara dhe agjencisë së saj të specializuar UNICEF. Akte të cilat sot janë vendosur në legjislacionet nacionale të shumicës së shteteve, ndër të cilat edhe te ne. Më tutje, psikologjia sociale dhe klinike, pediatria dhe disiplinat shkencore tjera përkatëse, kanë bërë hapa të mëdhenj përpara kur bëhet fjalë për fëmijët e këtyre kategorive. Megjithatë, edhe atëherë, a hulumtimet tregojnë se edhe sot, ajo që u mungon fëmijëve në institucionet e këtilla dhe të ngjashme është ajo që e quajmë ngrohtësi dhe dashuri familjare. 

Gjendja është akoma më e keqe kur bëhet fjalë për fëmijët me nevoja të veçanta. Për fat të keq, akoma ballafaqohemi me paragjykime dhe stereotipa të cilat ndikojnë në mënyrë negative mbi inkluzionin social të fëmijëve pa prindër, respektivisht fëmijëve me nevoja të veçanta. Si shtet, u përcaktuam për deinstitucionalizimin dhe pikërisht për këtë arsye, në vitin 2008, Qeveria miratoi strategji për deinstitucionalizimin ndërsa prej vitit 2000, ka edhe moratorium për vendosjen e fëmijëve në institutin special në Demir Kapi, mirëpo, nëse gjykojmë sipas materialeve që i pranova për debatin e sotëm, te ne për momentin rreth 250 fëmijë dhe të rinj janë akoma të vendosur nëpër institucione të ndryshme, në kushte mizore. Kjo do të thotë se ato fëmijë akoma nuk e kanë njohur ngrohtësinë e shtëpisë familjare, bukurinë e dashurisë familjare dhe kujdesin dhe rëndësinë e përkrahjes dhe vëmendjes që e ofron familja. Kjo e dhënë flet për zbatimin e pasuksesshëm të kësaj strategjie. Kjo do të thotë se diku ka ngecje, me fjalë tjera, duhet edhe shumë punë në këtë fushë, shumë angazhim i të gjithë faktorëve relevantë, duke filluar prej Qeverisë, ministrive përkatëse, Kuvendit, Ombudsmanit, sektorit joqeveritar dhe tërë bashkësisë, me një qëllim të vetëm - Familje për çdo fëmijë.   

Zonja dhe zotëri,

Projekti "Familje për çdo fëmijë," është projekt i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Kuvendi, mund të bëjë shumë në drejtim të asaj që ky proces të fitojë edhe në dinamikë edhe në cilësi. Këtu, para së gjithash mendoj për procesin ligjvënës, mirëpo, po ashtu i rëndësishëm është edhe roli mbikëqyrës. Besoj se, edhe si shtet, edhe si shoqëri, a para së gjithash si individë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për më të dashurit tonë, bëhet fjalë për më të rinjtë dhe më të pambrojturit. Në këtë kontekst, dua të shpreh falënderim ndaj kolegëve, anëtarë të Grupit Interpartiak parlamentar për të drejtat e fëmijëve me aftësi të veçanta, grup i cili, edhe pse i formuar në qershor të këtij viti, deri tani ka treguar përkushtim me të vërtetë të madh, me aktivitete të numërta dhe rezultate konkrete. Besoj se dhe sot do të keni punë të suksesshme dhe të frytshme dhe shpresoj se atë që do na e prezantojnë mysafirët tanë nga UNICEF-i, do të dimë ta vendosim dhe ta implementojmë në projektin "Familje për çdo fëmijë". 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click