Aktivitetet

E enjte, 15 nëntor 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Tryezën e rrumbullakët për revidimin e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore

E nderuara zëvendës ministre Elezi, 
I nderuar ambasador Zhbogar,
Të nderuar përfaqësues të Entit Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë,
Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Kroacisë,
Të nderuara mediume, 

Në fillim, më lejoni që të shpreh kënaqësinë që sot jam këtu me ju në këtë Tryezë të rrumbullakët të cilën Enti Shtetëror i Revizionit i Republikës së Maqedonisë e organizon në kuadër të Projektit Tvining për "Përforcimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve dhe efikasitetit të Entit Shtetëror të Revizionit për kryerjen e revizionit të jashtëm" dhe në të cilën do të prezantohen rezultatet e analizës së regullativës për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Më duhet patjetër të theksoj se kjo është hera e dytë që marr pjesë në prezantime të këtilla të analizave të rregullativave dhe ndikimit të tyre dhe për mua kjo është një indice se ne po ndryshojmë si shoqëri, ndryshohet perceptimi jonë ndaj konsultimit të opinionit ekspert, ndaj hulumtimit të opinionit publik për rregullativat dhe me vetë këtë, edhe perceptimi i qytetarëve në raport me institucione, respektivisht besimi i tyre në transparencën e institucioneve.

Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është çështje e cila i prek edhe shtetet demokratike lartë të zhvilluara me institucione funksionale për arsye se edhe ato nuk janë imunë ndaj mundësisë për keqpërdorimin e mjeteve shtetërore dhe mjeteve nga burimet tjera, dhe pikërisht për këtë arsye janë objekt i kontrollit permanent nga ana e institucioneve revizore të cilat gëzojnë besim dhe autoritet të madh në botë por edhe te ne, për shkak se u dëshmuan si tejet efikas dhe unë kisha thënë edhe gardianë të vërtetë të parave tona, gjegjësisht parave të qytetarëve që në këtë apo në atë mënyrë hyjnë në mënyrë legale në arkën shtetërore. 

Në përputhje me angazhimin tonë për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian, në vitin 2010 u nxor ligji i ri me të cilin rregullohet puna e këtij institucioni i cili te ne prej fillimit të funksionimit të vet deri më tani, a besoj edhe më tutje me punën e vet ngritet në institucion shtetëror lartë profesional dhe i pavarur i cili në mënyrë shumë efikase i realizon obligimet dhe përgjigj[sitë e veta ligjore. Në ligjin e ri u inkorporuan direktivat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, si edhe praktikat pozitive të shteteve evropiane dhe kjo shihet qartë edhe në ueb faqen e këtij institucioni, në të cilën mund të vërehet se ka vendosur dhe zhvilluar bashkëpunim të shkëlqyer me shumë institucione revizore në Evropë por edhe në rajon, dhe këtë bashkëpunim e zhvillon në drejtim të dërgimit të vazhdueshëm të të punësuarve në trajnime, me realizimin e shumë programeve tvining, siç është edhe ky programi i sotëm dhe për këtë, ju përuroj!

Zonja dhe zotëri, 

Kuvendi është po ashtu një nga institucionet në korrelacion me Entin Shtetëror të Revizionit, më saktë, me të cilin ka nënshkruar Memorandum për bashkëpunim i cili jep kornizë ligjore për atë bashkëpunim të përbashkët qëllimi përfundimtar i të cilit është gjithsesi, qytetari. Më tutje, me ligjin e lartpërmendur, respektivisht Nenin 23 të Ligjit, Enti Shtetëror i Revizionit është i obliguar që ta dërgojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë planin e vet për punë më së voni deri në dhjetor të vitit rrjedhës, për shkak të informimit të shtëpisë ligjvënëse. Në nenin 33 gjithashtu është theksuar qartë se Enti Shtetëror i Revizionit përpilon Raport vjetor të cilin duhet doemos ta dërgojë në Kuvend më së voni deri më 30 qershor ndërsa Kuvendi është i obliguar që të debatojë për raportin dhe për të njëjtin të marrë edhe konkludime. Dhe gjithsesi, do e kisha përmendur edhe nenin 34 sipas të cilit Enti Shtetëror i Revizionit është i obliguar që deri në fund të çdo viti fiskal a para miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, të përpilojë raport revidimi për Buxhetin dhe të njëjtin ta dërgojë në Kuvend. Kjo sa i takon funksionit të parë të Kuvendit ndërsa i dytë, unë do të kisha thënë funksioni po ashtu i rëndësishëm është funksioni mbikëqyrës i cili zbatohet përmes mbajtjes së debateve mbikëqyrëse në të cilat debatohet në bazë të raportit vjetor por edhe raporteve të caktuara të dërguara nga Enti dhe ato debate mbikëqyrëse janë në funksion të transparencës më të madhe, llogaridhënies, ligjshmërisë dhe efikasitetit në shfrytëzimin dhe harxhimin e mjeteve buxhetore, respektivisht parave të qytetarëve.  

Zonja dhe zotëri,

Unë personalisht, si kryetar i Kuvendit a besoj edhe deputetët e kësaj legjislature, dhe me këtë rast nuk mendoj vetëm për shumicën parlamentare por për të gjithë deputetët, bashkëpunim edhe më të madh dhe më efikas me Entin Shtetëror të Revizionit, por edhe me institucionet tjera. Me këtë, i përforcojmë proceset demokratike në shtet, e përforcojmë sundimin e të drejtës dhe të shtetit juridik dhe në të njëjtën kohë rritet edhe besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore. Pa këto standarde, nuk mund të flasim për funksionalitetin dhe pavarësinë e vërtetë të të gjitha institucioneve shtetërore. 
Në fund, më lejoni që tu uroj punë të suksesshme dhe edhe njëherë të theksoj se, Enti Shtetëror i Revizionit i Republikës së Maqedonisë është shembull shumë i mirë për institucion funksional dhe i pavarur, i cili punon vetëm në bazë të ligjeve dhe në dobi të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Duke i pasur parasysh hapat pozitive që i bëmë në proceset e anëtarësimit tonë në NATO dhe BE, t'ju rikujtoj se programi i skriningut në Bruksel veç më ka  filluar, apeloj që shembullin tuaj ta ndjekin edhe institucionet tjera, nëse duam me të vërtetë afat të suksesshëm dhe relativisht optimal për anëtarësimin tonë në organizatat euroatlantike. 
Ju faleminderit!

Click