Udhëheqja parlamentare

E hënë, 30 tetor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në hapjen e Konferencës Shkencore për Ndotjen e Ajrit

Të nderuar përfaqësues të sferës akademike,
Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar,
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

“Mendo globalisht - vepro lokalisht” është motoja në veprimin e shumë organizatave të gjelbra joqeveritare dhe partive të gjelbra politike. Konsideroj se kjo mënyrë e të menduarit, nëse dëshironi edhe filozofia e të jetuarit duhet të jetë bazë e vetëdijes ekologjike, e me të edhe e kujdesit për mjedisin jetësor të çdo njeriu në planetin Tokë. Personalisht, konsideroj se sikurse paqja që është kategori e pandashme, ashtu edhe mbrojtja e mjedisit jetësor, përkatësisht kujdesi për planetin tonë është kategori e pandashme.

Të nderuar, 

Sapo kanë përfunduar zgjedhjet lokale në të cilat pikërisht ekologjia ishte njëra ndër temat kryesore në fushatë, posaçërisht në programet e kandidatëve për kryetar komune në qytetet e mëdha. Në këto korniza posaçërisht ishte theksuar ndotja e ajrit si njëri ndër problemet më të mëdha në mjediset urbane në Maqedoni. Për shkak të kohës dhe rëndësisë për nevojën për një debat gjithëpërfshirës dhe miratim të konkluzioneve, nuk do të përqendrohem në detaje në ndikimin e ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike te njerëzit dhe në përgjithësi në mjedisin jetësor, por më lejoni ta theksoj bindjen time se Konferenca Juaj shkencore po mbahet në kohë të qëlluar dhe kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë të porsazgjedhur do t’u jap udhëzime përkatëse, konkluzione, por edhe njohuri shkencore dhe masa konkrete për aktivitetet e tyre në periudhën e ardhshme.  Personalisht, si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, dua t’ju bind se gjithmonë, në kornizat e kompetencave të mia, do të qëndroj pas çdo iniciative ose propozimi tuaj i cili do të jetë në funksion të zvogëlimit të ndotjes së ajrit dhe në përgjithësi mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Njëkohësisht, besoj se në këtë periudhë mandatore shumica parlamentare dhe opozita do të kenë vullnet politik, përmes mekanizmave parlamentare: debateve në komisione dhe debateve publike, miratimit të zgjidhjeve ligjore, debateve mbikëqyrëse, ta realizojnë moton e ekologjistëve.

Me këtë bindje, më lejoni që Konferencën Tuaj ta shpall të hapur, t'ju uroj punë të suksesshme dhe diskutim të frytshëm, njëkohësisht edhe një herë apeloj te pushteti në nivel lokal dhe në nivel shtetëror t'i realizojnë konkluzionet, mendimet dhe propozimet tuaja në praktikë.   

Faleminderit.

Click