Udhëheqja parlamentare

E hënë, 26 shkurt 2018  

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Konferencën e 13-të të KOSAP-it

Zonja dhe zotëri,
Të nderuar kolegë deputetë,
Ministra të nderuar,
Shkëlqesi, 

Që në fillim, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, dëshiroj ta shpreh kënaqësinë time që sot jemi mikpritës të Konferencës së 13-të të Komisioneve për Integrime Evropiane të Shteteve të Përfshira me Procesin e Stabilizim Asocimit të Evropës Juglindore - KOSAP. Konferencë në të cilën do të debatohet edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se tajmingu i konferencës është shumë i qëlluar për arsye se dje kryetari i Komisionit Evropian, z. Zhan Klod Junker, së bashku me Komisarin për zgjerim të BE-së, z. Johanes Han, e filluan Turneun Ballkanik pikërisht prej te ne. T'ju rikujtoj se para vetëm dhjetë ditëve në Bruksel u publikua Strategjia për perspektivë të besueshme të zgjerimit dhe angazhimit të përforcuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kryetari i Bashkimit Evropian, zotëri Zhan Klod Junker, duke folur për gjendjet në Union në vitin 2017, ndër të tjerat tha, citoj: "Nëse duam stabilitet më të madh në fqinjësinë tonë, atëherë doemos duhet të ofrojmë edhe perspektivë më të besueshme për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor". Në esencë, kjo deklaratë e zotëri Klod Junkerit paraqet vazhdimësi të politikës së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor të përcaktuar që në samitin në Selanik në vitin 2003. 

Zonja dhe zotëri,

Vendet e rajonit tonë, jo vetëm që gjeografikisht janë pjesë e Evropës dhe kufizojnë me Bashkimin Evropian, por ndajmë edhe shumë vlera a kemi edhe trashëgimi të përbashkët kulturore dhe historike. Duke e pasur parasysh se çdo shtet në rajon, duke e përfshirë këtu edhe Republikën e Maqedonisë, për qëllim të vet strategjik e ka përcaktuar anëtarësimin e plotfuqishëm në BE, qartë e definon edhe ardhmërinë tonë të përbashkët. Por, për ta realizuar këtë qëllim tonin strategjik, varet ekskluzivisht prej vetë nesh, gjegjësisht, me çfarë dinamike do i bëjmë reformat e duhura të cilat janë definuar me Kriteret e njohura të Kopenhagës. Në fakt, bëhet fjalë për reforma të cilat me të vërtetë çojnë kah anëtarësimi i plotfuqishëm në BE por, akoma më i rëndësishëm është fakti se me to në shtëpi ndërtojmë shtete stabile në të cilat do të ketë sundim të vërtetë të të drejtës dhe funksionim të shtetit juridik, ku me të vërtetë do të respektohen të drejtat dhe liritë individuale dhe kolektive të njeriut. Shtete në të cilat zhvillimi ekonomik do të krijojë kushte për jetë më të mirë për çdo qytetar, për sistem arsimor më cilësor, për sistem më të mirë shëndetësor, për kujdes social më të madh dhe më efikas për ato kategori të qytetarëve të cilëve u nevojitet. Me fjalë tjera, përfitimet nga reformat më së pari do i ndjejnë qytetarët tanë, edhe pse një ditë kur do të jemi anëtare të BE-së, kjo do të reflektohet pozitivisht në aspektin ekonomik por edhe të sigurimit edhe të të gjitha anëtareve të BE-së. 

Miq të nderuar, 

Republika e Maqedonisë, qysh prej pavarësimit, qartë u përcaktua për anëtarësim në BE dhe në NATO. Për këtë, kemi konsensus të tërësishëm politik prej të gjitha partive parlamentare, si edhe përkrahje të madhe prej qytetarëve. Me këtë rast, dua të theksoj se shumica aktuale parlamentare dhe ky koalicion qeveritar janë fortë të vendosur që ti tejkalojnë ato çështje të hapura të cilat na bllokojnë në rrugën tonë evropiane, a me këtë definitivisht të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në, edhe pse, t'ju rikujtoj se Komisioni Evropian deri tani disa herë ka dhënë rekomandim për marrjen e datës. Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë, e cila para pak kohe u ratifikua në të dy parlamentet, si edhe dialogu i filluar ndërmjet Shkupit dhe Athinës në nivel të lartë, qartë e vërteton përcaktimin tonë që nëpërmjet dialogut dhe respektit të ndërsjellë të gjejmë zgjidhje edhe për çështjet më të ndjeshme. Për ne, po ashtu i rëndësishëm është edhe zhvillimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve të përgjithshme me të gjitha shtetet në rajon, me çka kontribuojmë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ardhmërisë të tij evropiane. Sa i takon gjendjeve te ne, mendoj se ato janë mirë të njohura për miqtë tanë evropianë. Për të pasur dinamikë të vërtetë dhe sukses në realizimin e procesit reformues të njohur si Plani 3-6-9, nuk mjafton vetëm angazhimi i shumicës parlamentare dhe Qeverisë por, inkuadrim i tërësishëm edhe i opozitës. Saktë është se shumica e bart përgjegjësinë më të madhe, saktë është se shumica doemos duhet të krijojë kushte që opozita të mundet lirshëm dhe në mënyrë demokratike ti artikulojë interesat e veta por, me këtë rast, opozita doemos duhet të ndërmarrë pjesë të përgjegjësisë për situatën e përgjithshme si në shtet ashtu edhe në realizimin e ardhmërisë evropiane. Mendoj se te ne, a edhe në tërë rajonin, kur jemi në opozitë, sikur e harrojmë përgjegjësinë personale. Besoj se këtë "sëmundje fëmijërore", shpejt do e tejkalojmë. Jam i bindur se pikërisht ky lloj i konferencave dhe takimeve me praninë dhe pjesëmarrjen aktive të miqve tanë nga institucionet e Bashkimit Evropian, më shpejtë dhe më lehtë do e tejkalojmë këtë. Prandaj, më lejoni që në fund t'ju uroj punë të suksesshme ndërsa përfundimet dhe rekomandimet të cilat do të miratohen, shumë shpejt do të implementohen në punën tonë të përditshme. 

Ju faleminderit për vëmendjen! 






Click