Udhëheqja parlamentare

E premte, 30 mars 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Konferencën e Katërt vjetore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike "Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe koekzistimi kulturor - premisë për platformë të qëndrueshme në gjithë rajonin ballkanik"

I nderuar rektor dhe njëherësh edhe kryetar nderi i AUB (Asociacionit të Universiteteve Ballkanike), z. Vullnet Ameti,
Të nderuar rektorë të Universiteteve anëtare të AUB (Asociacionit të Universiteteve Ballkanike)
Të nderuar kryesues të konferencës,
Të nderuar profesorë, mysafirë, mediume,
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin sot të marr pjesë në Konferencën e katërt vjetore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike dhe të gjendem para këtij auditori të çmuar universitar. Universitetet janë djepi i dijenisë, djepi i ardhmërisë, janë institucionet ku determinohet vizioni për të ardhmen dhe pajtohem tërësisht me temën e Konferencës, respektivisht "Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe koekzistimi kulturor - premisë për platformë të qëndrueshme në gjithë rajonin ballkanik", sepse me të vërtetë është esenciale që universitetet të bashkëpunojnë mes veti, dhe kjo është me rëndësi edhe më të madhe nëse e marrim parasysh gjithë kontekstin ballkanik. Aty, përmes krijimit të rrjeteve të përbashkëta hulumtuese shkencore, përmes bibliotekave dhe qendrave hulumtuese në fushat e ndryshme siç janë gjuha, kultura, arti, historia, ekonomia, arsimi dhe sporti, zhvillohet dialogu interkulturor dhe dialogu është thelbësor. Për arritjen e çfarëdo suksesi, në cilëndo fushë, mbi të gjitha duhet të ketë dialog.  Këtu, do e citoj një thënie të respektuarit Dallaj Llama:

"Realiteti i sotëm është se ne të gjithë jemi të varur prej njëri tjetrit dhe jemi të detyruar të koekzistojmë në këtë planet të vogël. Prandaj, mënyra e vetme e arsyeshme dhe inteligjente e zgjidhjes së dallimeve dhe konflikteve të interesit, është nëpërmjet dialogut, qofshin ato ndërmjet individëve apo kombeve ". 

Autonomia dhe roli i rëndësishëm i universiteteve duhet të respektohet nga pushteti dhe institucionet shtetërore ndërsa universitetet doemos të zhvillohen në partnerë efektivë të zhvillimit global, qoftë ai në nivel vendor, rajonal apo botëror. Uroj që kjo platformë, ky Asociacion i Universiteteve Ballkanike të ketë sukses në misionin e vet bujar dhe të ketë vazhdimësi dhe gjithsesi anëtarësi sa më të gjerë dhe më inkluzive.

Ju uroj punë të mbarë dhe ju falënderoj për vëmendjen!




Click