Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 11 prill 2018

Takimi i kryetarit Xhaferi me z. Pavlo Klimkin, ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës  

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talatz Xhaferi, sot realizoi takim me ministrin e punëve të Jashtme të Ukrainës, z. Pavlo Klimkin, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. 

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për intensifikimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës, a sidomos për bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy parlamenteve, duke theksuar se Delegacioni i Radës Supreme të Ukrainës realizoi takim pune në vend në nëntor të vitit të kaluar. Gjithashtu, informoi se ka dërguar ftesë për vizitë në Republikën e Maqedonisë për kryetarin e Radës Supreme të Ukrainës, z. Andrij Parubij, duke i pasur parasysh angazhimet e vazhdueshme për thellimin e dialogut parlamentar dhe intensifikimit të kontakteve ndërmjet deputetëve të të dy vendeve. 

Duke nënvizuar se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura, z. Xhaferi potencoi se Republika e Maqedonisë i përkrah sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si edhe aktivitetet e OSBE-së në vend. Ai nënvizoi se Republika e Maqedonisë merr  pjesë me përfaqësues të vetë në misionet mbikëqyrëse të OSBE-së në Ukrainë dhe vlerësoi se protokollet për ndërprerjen e zjarrit, që u arritën me ndërmjetësimin e OSBE-së, duhet të respektohen deri në fund. Njëkohësisht, z. Xhaferi e ndau brengën për vuajtjet njerëzore në rajonet e veprimeve luftarake dhe e potencoi nevojën për gjetjen e zgjidhjes politike të qëndrueshme për krizën. 

Kryetari Xhaferi u shpreh se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i përkrah përpjekjet e Qeverisë për përparimin e bashkëpunimit ekonomik me Ukrainën, si edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, bujqësisë, shëndetësisë, kulturës dhe arsimit. Në këtë drejtim, ai e përshëndeti nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët ndërmjet ministrive për punë të jashtme të të dyja vendeve, si edhe Memorandumin për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Akademisë Diplomatike "Genadij Udovenko", në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës. 

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, z. Pavlo Klimkin, falënderoi për realizimin e takimit, duke theksuar se Ukraina i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë. Duke nënvizuar se dy vendet e ndajnë vendosmërinë e fortë të bëhen pjesë e BE-së dhe NATO-s, ministri Klimkin potencoi se Ukraina e përkrah Republikën e Maqedonisë në rrugën kah zhvillimi demokratik dhe i përkrah edhe aspiratat për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Ai vlerësoi se aderimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO do të kontribuojë kah integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore në këto dy organizata. Ministri Klimkin nënvizoi se në botën aktuale, në të cilën nuk ekzistojnë vija të kuqe, solidarizimi transatlantik është çështje reale e ekzistimit dhe mbijetimit të botës demokratike. Ai uroi sukses në zgjidhjen e kontestit të ndërlikuar rreth emrit me fqinjin jugor, duke potencuar se është i vetëdijshëm se bëhet fjalë për çështje shumë të ndjeshme dhe emotive. 

Njëkohësisht, z. Klimkin informoi se në periudhën e ardhshme pritet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës me të cilën do të vendoset regjim pa viza për udhëtimet afatshkurta, me ç'rast do të inkurajohet dhe lehtësohet komunikimi dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve, veçanërisht në aspekt të biznesit dhe turizmit. 

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën shpresë se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë dhe Ukrainës do të vazhdojë të thellohet si në planin bilateral ashtu edhe në planin multilateral.   

Click