Pratenichki sostav
 
Пратенички состав

E premte, 5 maj 2017

Takimi i Kryetarit Xhaferi me znj. Karen Pirs

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takim pune me znj. Karen Pirs, drejtoreshë politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. 

Në këtë rast, znj. Pirs ia uroi zgjedhjen si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i dëshiroi sukses në kryerjen e funksionit. Ajo e përsëriti angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar se bashkëpunimi i deritanishëm bilateral ndërinstitucional me Republikën e Maqedonisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mbretëria e Bashkuar mbetet në mbështetjen për realizim më të shpejtë të përcaktimeve themelore të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. 

Kryetari Xhaferi e falënderoi për urimin, por edhe për mbështetjen të cilën Mbretëria e Bashkuar ia jep Republikës së Maqedonisë. Njëkohësisht, ai theksoi se funksionin kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do ta kryejë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, politike ose ndonjë përkatësie tjetër. Z. Xhaferi e shprehu bindjen e tij se do të vazhdojë procesi për dorëzimin e pushtetit në mënyrë të qetë, dhe në atë drejtim pret formim të shpejtë të qeverisë së re, përmes zgjedhjes së saj në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Znj. Pirs dhe z. Xhaferi këmbyen mendime për gjendjet në rajon. Në këtë drejtim, Kryetari Talat Xhaferi edhe njëherë e theksoi rolin pozitiv të cilin Republika e Maqedonisë e ka treguar deri më tani në ruajtjen e stabilitetit të rajonit dhe në perspektivën e saj euroatlantike. Ai përkujtoi se problemi me emrin i imponuar nga fqinji ynë jugor është pengesë e madhe në proceset integruese të Republikës së Maqedonisë. Njëkohësisht, shprehu gatishmëri për qasje konstruktive në zgjedhjen e kësaj çështjeje, e cila do të vërtetohet nga të gjithë qytetarët e këtij shteti.