Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 7 shtator 2016 

Fjalimi i kryetarit Veljanoski në pranimin solemn tradicional me rastin e 8 Shtatorit - Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë 

I nderuar kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, 
Të nderuar deputetë të përbërjes së parë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar kolegë deputetë, ministra, përfaqësues të bashkësive fetare, 
Shkëlqesitë Tuaja, 
Zonja dhe zotërinj,

Në parambrëmjen e 25-vjetorit të referendumit historik për pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, dua të shpreh falënderim të madh për qytetarët e Republikës së Maqedonisë të cilët me një konsensuale "PO" e realizuan ëndrrën shekullore të shumë gjeneratave për mëvetësinë dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë. 

Dua të shpreh falënderim për deputetët e përbërjes së parë të Kuvendit të cilët vullnetin e qytetarëve e shndërruan në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe një varg ligjesh sistematike mbi të cilat mbështetet sistemi juridik i shtetit tonë. Në të njëjtën kohë, u vendosën edhe interesat strategjike të Republikës së Maqedonisë, e këto janë zhvillimi maksimal i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe integrimi i plotë i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO.

Të nderuar miq, 

Njëzetepesë vjet të përkushtuara në zhvillimin e një shteti dhe demokracie të vogël nuk është ndonjë periudhë e gjatë, por besoj se në këtë periudhë janë arritur shumë rezultate pozitive në të gjitha fushat. Duke filluar nga ekonomia, kultura, arsimi, shëndetësia e kështu me radhë. Pra, ajo që sipas meje është më e rëndësishme, është se në këto 25 vjet të pavarësisë, çdoherë në plan të parë ka qenë njeriu, përkatësisht qytetari dhe të drejtat e tij individuale dhe kolektive. Kjo për Republikën e Maqedonisë dhe shoqërinë tonë multietnike dhe multikonfesionale, është njëri ndër fondamentet mbi të cilat besoj se edhe në të ardhmen do të zhvillohemi.

Zonja dhe zotërinj, 

Në këto 25 vjet të shtetit të pavarur dhe të mëvetësishëm, jam i bindur se u bëmë të njohur edhe në skenën ndërkombëtare, para se gjithash, me respektimin konsekuent të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve ndërkombëtare. Është fakt se në realizimin e qëllimit tonë strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, pengesa e vetme është kontesti bilateral me fqinjin tonë jugor, por mendoj se ka filluar një proces i mirë në ndërtimin e besimit reciprok si hap i parë në zgjidhjen e këtij kontesti absurd. 

Pra, në këtë vit që shënojmë 25 vjet nga pavarësia jonë, e kalojmë në një krizë politike joparimore. Fakti është pozitiv se subjektet politike me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, përmes dialogut, i përkufizuan kriteret dhe kushtet politike për zgjidhjen e krizës. Pastaj, dua të shpreh mirënjohje për të gjithë deputetët e kësaj përbërjeje, sepse këto kritere i shndërruam në akte dhe zgjidhje ligjore përkatëse, me çka krijuam kushte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen më 11 dhjetor, qytetarët me votën e tyre t'i japin fund krizës politike.

Unë besoj se të gjithë ne, si politikanë përgjegjës, në tërësi do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve.

Dhe pikërisht me këtë dëshirë, më lejoni në fund, të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe të gjithë juve që janë prezent këtu, t'jua uroj 8 Shtatorin.

Për hair na qoftë dhe qoftë e përhershme festa e nesërme.

Le të jetë e përhershme Republika e Maqedonisë!

Faleminderit!    

Click