Udhëheqja parlamentare

E enjte, 11 maj 2017

Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi mori pjesë në konferencë me temë: Qytetarë të përfshirë për një Kuvend të përgjegjshëm dhe transparent

Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar 
Të nderuar shkëlqesi 
Zonja dhe zotërinj

Në fillim dua ta shpreh kënaqësinë time të madhe që fjalimi im I parë është para përfaqësuesve të sektorit joqeveritar, ndërkaq kënaqësia më e madhe janë temat për të cilat  do të debatoni, ndërkaq bëhet fjalë për rolin dhe funksionimin e Kuvendit si organ më i lartë i cili njëherit i miraton edhe ligjet. Në ato korniza do të debatohet për transparencën dhe përgjegjësinë e Kuvendit, punën e komisioneve dhe mekanizmave për pjesëmarrje të palëve të interesuara.

Të nderuar miq

Njëra nga shtyllat kryesore të demokracisë parlamentare është funksionimi, përkatësisht puna e parlamentit si pushteti me I lartë ligjvënës I cili njëkohësisht ka edhe një funksion po aq të rëndësishëm  e ky është kontroli mbi pushtetin ekzekutiv. Në këto njëzetegjashtë vite të pavarësisë dhe demokracisë parlamentare nëse duam të bëjmë një vlerësim se deri ku kemi arritur me praktikimin e demokracisë parlamentare mund të nxjerrim dy konstatime. Konstatimi i parë i shprehur në mënyrë metaforike është se gota është gjysmë e zbrazur ndërkaq konstatimi tjetër është se gota është gjysmë e mbushur ndërkaq unë do të thoja e përplot. Sidoqoftë në shembullin tonë demokracia, përkatësisht parlamentarizmi është larg atyre parimeve dhe standardeve të cilat sot janë një gjë normale në Evropë dhe të cilat nga një këndvështrim real I gëzojnë qytetarët e Evropës.

Njëri nga problemet kryesor kur bëhet fjalë për parlamentarizmin tonë dhe në përgjithësi për funksionimin e kuvendit është raporti midis shumicës parlamentare dhe opozitës. Në periudhën e kaluar shumica parlamentare çdoherë opozitën e ka perceptuar si  oponent politik i cili duhet të fitohet ndërkaq në momente edhe politikisht të eliminohet. Për fat të keq gjatë kësaj harrohet se pikërisht opozita është ajo e cila ia jep legjitimitetin e plotë çdo parlamenti dhe pa atë nuk mund të flasim për parlamentarizëm të mirëfilltë dhe për demokraci parlamentare. Gjatë kësaj nuk mendoj se opozita duhet të vështrohet si ndonjë dekor që jep legjitimitetin e parlamentit por para së gjithash roli i saj aktiv në të gjitha proceset të cilat zhvillohen në Kuvend. Pikërisht këtu e shoh dobësinë më të madhe në praktikimin e deritanishëm të demokracisë parlamentare te ne. Nga ana tjetër, opozita duhet të jetë e vetëdijshme se mazhoranca parlamentare duhet të zbatojë dhe realizojë programin e vet për shkak se në bazë të këtij programi populli ia ka dhënë besimin për ta udhëhequr shtetin. Ndoshta kjo në shikim të parë duket sikur antagonizëm i papranueshëm por nuk është ashtu. Nëse i shohim dhe nëse i përcjellim praktikat pozitive parlamentare në shtetet tjera evropiane do të shohim se ne sipas Kushtetutës, Rregullores për punë të Kuvendit si dhe Ligjit për Kuvendin në aspektin normativ i kemi rregulluar mirë punët por na mungon vullnet politik, nëse dëshironi edhe kulturë politikë për të implementuar atë.  Prandaj, në fjalimin tim të parë publik dëshiroj si kryetar i Kuvendit të premtoj se duke u nisur nga kompetencat e mia kushtetuese dhe të rregullores do të punoj pikërisht për këto çështje dhe sfida për të cilat diskutova. Sa do të jemi të suksesshëm në këtë, besoni varet nga të gjithë 120 deputetët të cilët jemi pjesë e Kuvendit por prapë se prapë në radhë të parë përgjegjësia i përket mazhorancës parlamentare.

Zonja dhe Zotërinj

Të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe e ndjejmë faktin se dy vitet e fundit jetojmë në një krizë shoqërore dhe politike që së paku mund të quhet e thellë e cila çdo ditë ndihet në të gjitha sferat e jetës dhe ndikon mbi secilin qytetar. Në masë të madhe ajo krizë është edhe rezultat i funksionit mbikëqyrës jo mjaft të theksuar të parlamentit mbi pushtetin ekzekutiv.Shpresoj se me zgjedhjen time për Kryetar të Kuvendit, e me atë edhe rrumbullakimin e konstituimit të parlamentit, ndërkaq së shpejti edhe me zgjedhjen e qeverisë së re do të krijojmë kushte për fillimin e procesit me të cilin si shtet por edhe si shoqëri do të kthehemi në drejtimin e duhur që çon drejt krijimit të shtetit funksional, me institucione të pavarura dhe funksionale të cilat do të punojnë para se gjithash në interes të secilit qytetar.

Nuk do t’i përmend ngjarjet e fundit të dhunshme dhe të përgjakshme që ndodhën në Kuvend, ndërkaq edhe më pak do të doja të akuzoj apo të gjykoj ndokënd për gjithë këtë. Gjithsesi edhe si Kryetar i Kuvendit, deputet ndërsa më së shumti si qytetar nuk mund të pranojë ose të mbështes çfarëdo dhune. Mirëpo në të njëjtën kohë edhe një herë duhet të mësojmë se kemi institucione të cilat janë të obliguara të mos lejojnë të ndodhin ngjarje të tilla.  Kemi edhe institucione të cilat, në rast se ndodh ngjarje e tillë, duhet të njëjtën ta hetojnë, kurse ata të cilët kanë shkelur ligjin të dalin para gjykatave të cilat janë organet e vetme kompetente nga çdo organ tjetër, sipas ligjeve të shpallin dikë si fajtor ose të pafajshëm. 

Të nderuar miq,

Kthimi në gjendje normale shoqërore e cila nënkupton respektimin e parimeve të demokracisë parlamentare, sundimin e të drejtës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si individuale ashtu edhe kolektive e deri në lirinë e fjalës, nuk do të ndodh brenda natës. Ky është proces që do të zgjat një periudhë më të gjatë. Ajo që për momentin së paku unë e ndjej si shumë pozitive është fakti se mazhoranca parlamentare dhe koalicioni në mënyrë transparente dëshmon se ky është obligim i jonë i përbashkët që do të na shpie në qëllimin e dëshiruar dhe këto janë integrimet euroatlantike. Ndërkaq, për të arritur deri aty, duhet jo vetëm në mënyrë deklarative ose jo vetëm në letër të pranohen ato standarde evropiane por shumë më i rëndësishëm është edhe implementimi i tyre.

Këtu shoh rolin tuaj si sektor joqeveritar që duhet të jeni një formë e dog uoç (post roje) për gjithçka që ndodh në shoqërinë dhe duke shfrytëzuar të gjitha metodat demokratike ndërsa nëse keni dëshirë edhe protesta të qeta që në mënyrë përkatëse të mobilizoni publikun dhe qytetarët dhe në atë mënyrë t'i detyroni subjektet politike dhe politikanët të kthehen në drejtimin e duhur për të cilin kanë fituar mandat. Me këtë do të përfundoj fjalimin tim, ndërkaq për në fund dëshiroj që sinqerisht të premtoj se, unë si kryetar dhe Kuvendi si institucion gjithmonë do të jetë i hapur për iniciativat, propozimet tuaja dhe gjithçka tjetër që do të jetë në funksion të forcimit të demokracisë parlamentare dhe parlamentarizmit në Republikën e Maqedonisë.

Ju falenderoj për vëmendjen

Click