PALLATI I KUVENDIT

Ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është njëra nga godinat më monumentale në Republikën e Maqedonisë, për të cilën në vitin 1930 u shpall konkurs për projektim (në të cilin fitoi arkitekti Viktor Lukomski), ndërkaq  u ndërtua në vitin 1938 sipas projektit të arkitektit  çek Viktor J. Hudak.

Objekti është  konceptuar në një gjuhë moderne arkitektonike për atë kohë, me vëllim  specifik të larmishëm masiv dhe me praninë e elementeve të pastra të fasadës, në formë të pesëkëndëshit të jashtëm me oborr të brendshëm e me sallë. Dekorimet e aplikuara në fasadë kanë përmbajtje gjeometrike, të pranishme në pjesë të veçanta.

Nga përmbajtja e instaluar ornamentale, pjesa më interesante është përpunimi i kabineteve dhe enterierit (brendisë)  me mjeshtërinë e drugdhendjes, të projektuara dhe dizajnuara nga D. Inkriostri  (1935-1937) - Salla me Drugdhendje muret e së cilës tërësisht janë të veshura me dru, të ndarë në fusha gjeometrike ku përmes mjeshtërisë së gdhendjes në dru janë aplikuar motive të ndryshme të stilizuara gjeometrike dhe motive nga flora e fauna, që bazohen mbi artin popullor dhe traditën. Realizimin e këtij dekorimi ia kanë besuar marangozit dhe drugdhendësit Glisha Kostovski nga Tetova me ekipin e tij.

Ndërtesa është në përdorim nga viti 1939 si Pallat Administrativ i pushtetit të atëhershëm lokal.

Pas çlirimit të Shkupit në vitin 1944 në këtë ndërtesë është vendosur e tërë administrata e re e Pushtetit Popullor të Maqedonisë: Presidenti i Republikës Demokratike të Maqedonisë, Kuvendi Popullor, Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese.

Në periudhën prej vitit 1954-1963 u ndërtuan Salla solemne dhe Sall 2, ndërkaq u rregullua edhe brendia e sallave më të vogla në pjesën solemne, Dhoma e Ohrit dhe e Strugës dyert, tavanet dhe muret e të cilave u veshën me dru të gdhendur, punë të cilën e realizuan mjeshtrit e shkollës tradicionale të drugdhendjes nga Ohri, si dhe me dekorime nga gjipsi të punuara nga mjeshtrit e zonës së Drimkollit. Salloni solemn i vogël, Salla e Komisionit Kushtetues, restoranti, si dhe  kabinetet përbrenda u veshën me dërrasa në intarzi.
Me tërmetin që e goditi Shkupin në vitin 1963, ndërtesa e Kuvendit dukshëm u dëmtua, me ç’rast u bënë ndërhyrje të mëdha për restaurimin dhe rikonstruksionin e saj.

Në vitin 1966/67 u bë rikonstruksioni dhe përbrenda u restaurua Salla Parlamentare ndërkaq u ndërtuan edhe dy salla të reja Salla 3 dhe Salla 4. Pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 1991, në këtë ndërtesë krahas Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në një pjesë të katit të parë u vendos edhe Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë.

Pallati i Kuvendit në përbërjen e tij ka më shumë Salla për zhvillimin e seancave, Kabinetin e Presidentit të Republikës, Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, Kabinetet e nënkryetarëve, Kabinetet e kryetarëve të komisioneve, Kabinetet e koordinatorëve të grupeve parlamentare, Kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm  të Kuvendit dhe të zëvendësve të tij, si dhe Kabinetet e udhëheqësve të shërbimeve profesionale dhe të departamenteve.
Në vitin 1993 tërësisht u bë rikonstruksioni i sallave të pajisjes së makinerive për kondicionimin e ajrit me kondicionerë dhe pajisje të re moderne.

Në vitin 1994 u bë restaurimi i brendshëm i Kabinetit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë si dhe të paradhomës së Kabinetit.
Në vitin 1996 u ndërtua restoranti i ri në pjesën e suterrenit të Kuvendit, Klubi i Deputetëve dhe Salla e re për bankete.

Në vitin 1998/1999 përbrenda u restaurua Salla Parlamentare (Salla 1), me ç’rast u instalua sistemi për votim elektronik, sistemi audio dhe video si dhe pajisja për transmetime të drejtpërdrejta televizive.

Gjatë vitit 1999/2000 u instalua pajisje për ngrohjen dhe ftohjen e tërë objektit.
Salla solemne përbrenda u restaurua në vitin 2001 së bashku me hollin para saj.

Në vitin 2003 u bënë ndërhyrje të mëdha. U bë rikonstruksioni i instalimit elektrik, u instalua pajisja e tërësishme  zjarrfikëse, tërësisht u ndërrua rrjeti i telefonisë, u zgjidh çështja e ndriçimit në tërë ndërtesën, korridoret u shtruan me pllaka, plafonët u lëshuan, u vendosën dyer të reja kontrolluese si dhe u bë rikonstruksioni i nyjave sanitare dhe të zyrës së regjistrimit.

Në vitin 2004 u bë Dhoma përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Mbledhjes së I të KAÇKM-së

Kah fundi i vitit 2004 dhe fillimi i vitit 2005 u bë rikonstruksioni i konstruksionit të gabaritit të kulmit pesëkëndësh të objektit të Kuvendit.

Në vitin 2005 u realizua projekti për hyrje-dalje dhe lëvizje pa pengesa të personave me nevoja të veçanta në objektin e Kuvendit, me platformë për hyrje-dalje në hyrjen e zyrës së regjistrimit, ashensor i vendosur në oborrin e brendshëm dhe katër elevatorë-platforma lëvizëse në shkallët e brendshme si dhe hyrje të veçantë me tra për në restorantin që gjendet në suterren.

Gjatë vitit 2005 u realizua projekti për rregullimin e të gjitha hyrjeve, me streha, me dyer të reja masive me vitrazh dhe me dysheme graniti.



 

Click