Takime

E premte, 21 korrik 2017

Grubi - Bjornstand: Të afatizohet ftesa e kushtëzuar për në NATO 

Deputeti Artan Grubi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, u takua sot në Kuvend me Ambasadorin Norvegjez në Maqedoni, z. Arne Sannes Bjornstand.  

Z. Grubi dhe Ambasadori Bjornstand këmbyen mendime për gjendjen politike, për mbështetjen e Komisionit për Çështje Evropiane, për rrugën drejt reformave sistemore si dhe për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.  

Ambasadori Bjornstand shprehu gatishmëri për ta ndihmuar punën e Komisionit parlamentar i cili do t'i shqyrtojë projektet reformuese dhe mirëpriti mënyrën konsensuale të veprimit në kuadër të këtij trupi parlamentar, në veçanti miratimin e njëzëshëm të Deklaratës për përshpejtim të proceseve reformuese dhe integruese në NATO dhe BE. 

Deputeti Grubi kërkoi nga Ambasadori Bjornstand që të ndihmojë, nëpërmjet bashkëvendësit të tij sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në intensifikimin e procesit integrues në NATO dhe të shqyrtohet afatizimi i ftesës së kushtëzuar nga aleanca veriatlantike. 

Z. Grubi gjithashtu e njoftoi Ambasadorin për ecurinë e punës në Kuvend, dinamikat e miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve  dhe shprehu mbështetje për nënshkrimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bulgarinë. 

 
a

Na ndiqni në: