Udhëheqja parlamentare

E premte, 16 shtator 2016, Strasburg 

Fjalimi i kryetarit Veljanoski në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve me temë: "Parlamentet nacionale dhe Këshilli i Evropës: Promovimi i përbashkët i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës"

Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj, 

Prej themelimit të tij më 5 maj 1949, Këshilli i Evropës, duke i përmbushur dispozitat e tij të statutit, vepron në vendosjen, realizimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përforcimin e demokracisë dhe krijimin e standardeve të përbashkëta juridike. Këshilli i Evropës është në pozitën më të mirë në mënyrë efektive t'i trajtojë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e së drejtës, sepse disponon me standardet dhe metodologjinë për bashkëpunim në një varg sferash dhe lehtë mund t'i mobilizojë drejt qëllimit të përbashkët aktorët kryesorë në tërë Evropën, qeveritë përmes Komitetit të Ministrave, parlamentet përmes Asamblesë Parlamentare, pushtetet lokale përmes Kongresit të Pushteteve Lokale dhe Rajonale, si dhe organizatat joqeveritare përmes Konferencës së Organizatave Joqeveritare Ndërkombëtare. Pikërisht Këshilli i Evropës ishte organizata përmes së cilës filloi integrimi evropian dhe euroatlantik i Republikës së Maqedonisë - së pari në vitin 1993 me statusin e mysafirit zyrtar të Asamblesë dhe pastaj në vitin 1995 si anëtar i plotfuqishëm. 

Si vend në transicion që duheshe të kryejë reforma të thella ekonomike shoqërore, duheshe të miratojmë apo ndryshojmë qindra ligje në një afat relativisht të shkurtër kohor. Ndihmën që pastaj e morëm nga Asambleja Parlamentare, Komisioni i Venedikut dhe trupat tjerë të specializuar të Këshillit të Evropës për një varg projektesh të rëndësishme ligjore lidhur me zhvillimin e parlamentarizmit dhe përforcimin e demokracisë, për ne ishte mjaft e çmueshme. Thënë në mënyrë simbolike, dera për bashkëngjitje në familjen evropiane për ne ishte e hapur nga organizata më e vjetër evropiane, e cila sot bashkon 800 milionë evropianë. 

Republika e Maqedonisë për herë të parë kryesoi me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në vitin 2010, që ishte edhe viti në të cilin Këshilli i Evropës e shënoi 60-vjetorin e miratimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, njëri ndër instrumentet më të njohura juridike të organizatës. Në kornizat e kryesimit tonë gjashtëmujor, treguam se janë të përgatitur dhe kemi kapacitet në mënyrë aktive të kontribuojmë në zgjidhjen e çështjeve me të cilat ballafaqohet Këshilli i Evropës dhe dhamë kontribut maksimal për promovimin e vlerave dhe standardeve të Organizatës dhe për relevancën e saj politike në skenën ndërkombëtare. Si Kuvend, vazhdimisht angazhohemi ta vërtetojmë rolin tonë të shtyllës demokratike kryesore në shoqëri dhe pastaj ekspertizën e partnerit tonë natyror, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, është me rëndësi esenciale për tërë zhvillimin demokratik. Delegacionet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës qysh nga viti 1995, kur Republika e Maqedonisë u bë anëtare e plotfuqishme e Këshillit të Evropës, në mënyrë aktive marrin pjesë në punën e komisioneve dhe seancave plenare të Asamblesë Parlamentare. 

Për ne, aktet dhe raportet e Këshillit të Evropës për gjendjen e standardeve demokratike, të drejtat dhe liritë e njeriut në Republikën e Maqedonisë çdoherë kanë ndikim serioz në reformat tona të brendshme. Përmes pjesëmarrjes aktive të institucioneve tona shtetërore në forumet dhe trupat e Këshillit të Evropës, si dhe përmes pjesëmarrjes aktive të përfaqësuesve të shtetit në trupat e specializuara të Këshillit të Evropës, padyshim tregohet përkushtimi ynë të ndërtojmë shoqëri e cila qëndron në parimet dhe vlerat e organizatës më të vjetër ndërkombëtare evropiane.

Të nderuar kolegë,

Besoj se do të pajtoheni se të drejtat e njeriut dhe liritë civile, si dhe zhvillimi i demokracisë, askund dhe asnjëherë nuk janë realizuar deri në fund dhe se realizimi i tyre është një proces i vazhdueshëm. Këshilli i Evropës është institucioni i cili siguron instrumente të dobishme juridike ligjvënëse në gjetjen e përgjigjeve përkatëse të sfidave moderne. Rekomandimet e Këshillit të Evropës te ne çdoherë kanë qenë të mirëseardhura dhe janë konsideruar mbështetje e zhvillimit tonë demokratik.

Para nesh është periudha të cilën e konsiderojmë të rëndësishme në procesin e eurointegrimit tonë. Edhe krahas sfidave politike me të cilat ballafaqohemi, vazhdimisht jemi të përkushtuar në ndërtimin e shoqërisë multikulturore, multinacionale dhe multikonfesionale, të proceseve reformuese në sferat kryesore, të promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë dhe në mënyrë konstruktive marrin pjesë në përpjekjet për tejkalimin e çështjeve të hapura bilaterale.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, kur e festojmë 25-vjetorin e pavarësisë sonë dhe thuajse 21 vjet nga pranimi ynë në Këshillin e Evropës, mund të konstatojmë se kemi realizuar rezultate të rëndësishme në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në përgjithësi në zbatimin e parimeve, qëllimeve dhe standardeve të Organizatës. Mundem me krenari të theksoj se vlerat e Këshillit të Evropës janë të njohura dhe janë gjerësisht të pranuara nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Ju faleminderit për vëmendjen.           

Click