Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E martë, 24.09.2019, Kazakistan

Fjalimi i Kryetarit Talat Xhaferi në Konferencën e 4-t të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë në temën "Euroazia më e madhe:Dialog. Besim. Partneritet"

I nderuar Kryesues i Mazhilisit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit, z. Nigmatulin,
Të nderuar kryetarë të parlamenteve,
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 

Më lejoni të drejtohem para jush në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe t'ju përshëndes në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve, të nderuar participantë të kësaj Konference të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë. Kazakistani është mikpritësi i Konferencës së 4-t me radhë, që vetvetiu flet dhe është konfirmim se ky forum, i cili është produkt i nismës strategjike të të nderuarit Nazarbajev për ndërtimin e partneriteteve anembanë kontinentit të Euroazisë, tani më ka rrënjë të konsoliduar, që dalë ngadalë zhvillohen në një dru të bukur dhe të frytshëm i cili prej viti në vit bëhet gjithnjë më i madh. Prezenca e këtij numri të madh të kryetarëve të Parlamenteve është konfirmim se mesazhi është pranuar dhe kuptuar, respektivisht, qëllimi kryesor i këtij forumi është të vendoset dialog i drejtpërdrejtë multilateral, ndërsa në margjinat gjithsesi edhe dialog bilateral ndërmjet kryetarëve të trupave ligjvënës të Evropës dhe Azisë, si edhe liderëve të organizatave ndërkombëtare dhe interparlamentare për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë hapësirë. 

Të nderuar të pranishëm, 

Në rast se pyetni pse trupat ligjvënës, përgjigja është e qartë, për arsye se ne mundemi në mënyrë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe konstruktive të diskutojmë për zhvillimin e platformave të reja për bashkëpunim, të vendosim partneritete të reja multilaterale, të gjejmë se çka është ajo që na prek njëlloj dhe cila do të ishte përgjigjja e përbashkët më përkatëse ndaj kundërthënieve që paraqiten ndërmjet shteteve të ndryshme, si edhe ballafaqimi kolektiv me sfidat me të cilat ballafaqohet secili shtet individualisht në planin global. Mirëpo, para së gjithash dhe mbi të gjitha, të zbulojmë dhe të vendosim ura të reja, të fuqishme të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të dy kontinenteve dhe më gjerë, me këtë rast kam ndërmend bashkëpunimin intensiv ekonomik dhe këmbimin tregtar, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë rajonet njëlloj, për arsye se jemi të vetëdijshëm se nuk ka rritje dhe përparim të barabartë të vendeve. A jam i bindur se, të gjithë të pranishmit këtu, dëshirojmë përparim dhe mirëqenie për çdo njeri, për çdo qytetar të botës, pa dallim në përkatësinë e tij nacionale, konfesionale, racore, kulturore, sociale ose gjinore. Pa diskriminim, pa izolim, pa renditje sipas prioriteteve, sepse nuk ekzistojnë qytetarë të rendit të parë dhe qytetarë të rendit të dytë, për arsye se të drejtat dhe liritë universale dhe e drejta në jetë dinjitoze janë të garantuara për të gjithë. 

Zonja dhe zotëri,

Vijmë nga shtete të ndryshme, me rregullime të ndryshme shtetërore, me marrëdhënie të ndryshme bilaterale dhe multilaterale ndërmjet nesh, respektivisht korniza ligjore marrëveshjesh të cilat jo gjithmonë janë të vendosura me reciprocitet, ose po nuk janë vendosur aspak. Ato marrëdhënie të pabarabarta, prodhojnë edhe zhvillim të pabarabartë të rajoneve. Përgjegjësia jonë si ligjvënës, është të gjejmë dhe të mundësojmë mënyra për mbrojtjen e interesave të ndërsjella të shteteve tona, dhe të gjemë moduse për zhvillimin e lirë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, për bashkëpunimin shkencor, kulturor, arsimor, mjekësor, turistik dhe çdo bashkëpunimi tjetër ndërmjet vendeve. Që të mundësohet kjo, nevojitet ndërlidhje me infrastrukturë rrugore, hekurudhore, ajrore dhe infrastrukturë tjetër, megjithatë, para së gjithash nevojitet dialog, i drejtpërdrejtë, i hapur, pa doreza. Vetëm me qasje të sinqertë ndaj bashkëbiseduesve, partnerëve, do të mundemi të ndërtojmë edhe besim të ndërsjellë ndërmjet nesh, dhe kur ka dialog, kur ka besim, atëherë përparimi dhe suksesi është i garantuar. Të shfrytëzojmë këtë platformë, qëllimi i së cilës është Euroazia më e madhe, mirëpo të synojmë edhe kah vendosja e platformave tjera të bashkëpunimit, platformave edhe më të mëdha të bashkëpunimit, të rritjes dhe zhvillimit të shteteve, rajoneve dhe pse jo, botës.

Kolegë të nderuar, 

Kemi aq shumë të ofrojmë si vende, kemi aq shumë të mësojmë prej njëri tjetrit, aq shumë të ndajmë bashkë. Para së gjithash, kemi potencial aq të madh i cili akoma nuk është shfrytëzuar as gjysma. Në anën tjetër, globalizimi, përskaj përparësive të mëdha, sjell me vete edhe kanosje të sofistikuara kundër të cilave vetëm përgjigja e përbashkët, e koordinuar mund të jetë e suksesshme. Prandaj, të ndërtojmë ura besimi, të vendosim marrëdhënie të sinqerta dhe të partneritetit, për një botë më të mirë, të zhvilluar njësoj dhe para së gjithash, një botë e sigurt për të gjithë ne, për fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme. 

Zonja dhe zotëri,

I nderuar koleg Nigmatulin, më lejoni të drejtoj urime për organizimin e shkëlqyer të konferencës dhe besoj se do të jemi dëshmitarë të një diskutimi interesant dhe të frytshëm, me miratimin e njëzëshëm të Dokumentit final, gjegjësisht Deklaratës së përbashkët të kryetarëve të Parlamenteve në të cilën do të reflektohen qëndrimet e participantëve në drejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm të kontinentit të Euroazisë kah ardhmëria e përbashkët. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

 
a

Na ndiqni në: