Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E martë, 15 tetor 2019

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e 141. të Unionit Interparlamentar në temën "Përforcimi i të drejtës ndërkombëtare: Roli dhe mekanizmat e parlamenteve dhe kontributi në bashkëpunimin rajonal"

I nderuar kryesues, 
Kolegë të nderuar, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ti përshëndes pjesëmarrësit e Asamblesë së 141. të Unionit Interparlamentar dhe të shpreh kënaqësinë që edhe kësaj here jemi tubuar në këtë numër respektabil dhe kemi mundësinë ti prezantojmë qëndrimet e institucioneve nacionale para këtij forumi ndërkombëtar. Si edhe shumë herë më para, ashtu edhe kësaj radhe, koncepti i kësaj asambleje ndërkombëtare e konfirmon rolin e vet të domosdoshëm dhe të rëndësishëm në adresimin e çështjeve që janë me interes të ndërsjellë të qytetarëve tanë, të shteteve dhe rajoneve. Misioni i Unionit Interparlamentar është promovimi i sundimit demokratik, ndërtimi i institucioneve dhe vlerave demokratike për të mirën e qytetarëve dhe kuptohet se parlamentet nacionale, si pjesë e kësaj organizate globale, i ndajnë qëllimet e njëjta, për shkak se dhomat ligjvënëse janë mjedisi i natyrshëm i qytetarëve, shtëpia e tyre, vendi ku artikulohen të drejtat dhe aspiratat e tyre demokratike, vendi ku zëri i tyre dëgjohet dhe respektohet. 

Të nderuar, 

Rendi juridik ndërkombëtar, i bazuar mbi një kornizë juridike gjithëpërfshirëse obliguese është nevojë esenciale e cila ka rrjedhë nga nevoja për parandalimin e paraqitjes së ardhshme të kontesteve juridike ndërmjet shteteve, parandalimin e krimeve të tmerrshme të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit, kundër veprimeve okupatore, prej nevojës për inicimin e dënimit dhe mbajtjes përgjegjësi për vepra johumane. Nënshkrimi i Kartës së KB, obligimi dhe përkushtimi ndaj parimeve dhe qëllimeve të ligjeve ndërkombëtare dhe drejtësisë dhe sundimi i të drejtës të bazuar pikërisht mbi këtë të drejtë ndërkombëtare nuk është vetëm një floskulë e zbrazët, por është garanci për paqen dhe sigurinë në botë. Ruajtja e kësaj paqeje dhe sigurimi i kushteve dinjitoze për jetë është e drejtë elementare e çdo njeriu. 

Forumet е këtilla janë një mundësi e shkëlqyer për kontakte të drejtpërdrejta, për informim të ndërsjellë të drejtpërdrejtë për hapat e ndërmarra në raport me sfidat me të cilat ballafaqohet çdo shtet në këtë apo në mënyrë tjetër. Nevojitet harmonizimi i kornizës ligjore dhe respektim i përpiktë i marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara dhe të nënshkruara, me ç'rast nuk mendoj për respektimin vetëm për shkak të formës por për zbatimin konkret në terren, me kryerje të rregullt të mbikëqyrjes mbi zbatimin në praktikë të dispozitave ligjore.

Zonja dhe zotëri, 

Republika e Maqedonisë së Veriut punon shumë në fushën e avancimit dhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe besojmë se, vetëm qasja e sinqertë ndaj mosmarrëveshjeve dhe ndaj çështjeve të hapura dhe mbajtja e dialogut politik deri në shterjen e të gjitha mundësive, mund të sjellë deri te kompromisi i pranueshëm për palët. Si rezultat i këtij angazhimi altruist ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve, gjegjësisht Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë she Marrëveshjes me Republikën e Greqisë me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar i cili na pengonte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, respektivisht integrimit në NATO dhe në BE. Tani ky proces është debllokuar dhe presim që deri në fund të vitit të bëhemi anëtari i plotfuqishëm i 30-të i NATO-s ndërsa prej sot deri më 18 tetor jemi në pritje të vendimit pozitiv të Këshillit të BE, gjegjësisht të përcaktohet datë për fillimin e negociatave aderuese. 

Të nderuar, 

Duke u udhëhequr nga ndarja e përcaktuar kushtetuese e pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku pushteti ligjvënës është përcaktuar si një nga tre pushtetet, krahas atij ekzekutiv dhe gjyqësor, që në fillimin e marrjes së funksionit të Kryetarit të Kuvendit, kisha para vetes vizion dhe qëllim të qartë që dëshiroja ti arrij, gjegjësisht, sigurimin e kornizës ligjore mbi të cilën do të bazohen tre fushat sipas meje më të rëndësishme për pavarësinë e dhomës ligjvënëse. Për arsye se, për të ndërtuar parlamente të fuqishme, demokratike, funksionet themelore ligjvënëse, mbikëqyrëse, buxhetore dhe përfaqësuese janë me rëndësi thelbësore për cilësinë e udhëheqjes së përgjithshme të një vendi. Me ndihmën pa rezerva të miqve tanë ndërkombëtarë, mirëpo edhe në koordinim të përhershëm me Qeverinë, janë bërë përgatitje dhe është formuar grupi i punës i cili do të punojë në drejtim të përgatitjes së kornizës ligjore për pavarësinë financiare të Kuvendit dhe shërbimin e pavarur të Kuvendit. Paraprakisht janë bërë edhe përgatitje në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve që do të jenë mbështetje dhe konsultues të këtyre proceseve. Krahas kësaj, qëllimi i tretë i fundit është sigurimi i pavarur i dhomës ligjvënëse. Mendoj se e gjithë kjo është një bazë e shkëlqyer për mundësimin e funksionalitetit të Kuvendit, dhe respektimin e përpiktë të funksioneve themelore të Kuvendit, gjegjësisht atij ligjvënës, mbikëqyrës, buxhetor dhe përfaqësues. Vetëm kështu do të mund të jemi edhe vërtetë në shërbim të qytetarëve dhe do të mund të kontribuojmë për paqe dhe zhvillim. Në raport me qasjen dhe transparencën para qytetarëve, do të përmend se jemi të hapur ndaj çdo nisme dhe platforme qytetare e cila i adreson çështjet që janë me interes vital për të gjithë, siç janë, paqja, demokracia, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, ndërtimi i politikave rinore për jetë dhe zhvillim më të mirë të të rinjve, dhe politikave për zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet dialogut të hapur politik, bashkëpunimit dhe aksionit. Dialogu politik është esencial dhe i njëjti zhvillohet para syve të opinionit dhe prandaj punojmë shumë edhe në drejtim të ngritjes së nivelit të dialogut politik, ndërtimit të konsensusit ndërmjet palëve politike kundërshtare dhe adresimit të fuqishëm, të përbashkët të gjitha çështjeve që i shqetësojnë qytetarët dhe njëkohësisht e pamundësojnë rritjen, zhvillimin dhe përparimin e vërtetë të shtetit. 

Zonja dhe zotëri,

Besoj se edhe mbajtja e afërsisë me elektoratin është e rëndësishme për shkak të përditësimit të rregullt dhe informimit me problemet rrjedhëse me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme qytetarët e rëndomtë. Detektimi i hershëm i shkaktuesit të problemit, konfliktit, informimi burimor dhe i gjithanshëm, mund të jenë vendimtarë për zgjidhjen e suksesshme të çdo çështjeje, për arsye se, mos harrojmë, medalja ka çdoherë dy anë. Ndërsa ne jemi ato që i gëzojnë legjitimitetin dhe besimin е fituar nga qytetarët dhe kjo nuk do të thotë vetëm gëzimi i të drejtave por edhe përmbushje e obligimeve dhe mbajtja e llogarisë para qytetarëve të njëjtë. 

Kolegë të nderuar, ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj punë të suksesshme dhe të frytshme! 

 
a

Na ndiqni në: