Udhëheqja parlamentare

E martë, 12 shkurt 2019

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriore, z. Talat Xhaferi para deputetëve në Kuvendin Shtetëror të Republikës së Sllovenisë 

I nderuar Kryetar i Kuvendit Shtetëror të Republikës së Sllovenisë, magjistër Dejan Zhidan,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotëri,
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,

Që në fillim dëshiroj që edhe njëherë ta theksoj kënaqësinë time që sot mundem të drejtohem në shtëpinë ligjvënëse të Republikës së Sllovenisë. Kënaqësia është edhe më e madhe nëse e kemi parasysh se drejtohem, para miqve të vërtetë me të cilët ndajmë histori të përbashkët, miq të cilët na ndihmuan shumë në krijimin e të tashmes aktuale, a unë jam i bindur se edhe si miq të vërtetë do e vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhme në kuadër të integrimeve euroatlantike.

Kjo miqësi e jona e cila bazohet mbi të gjitha në respektin e ndërsjellë si edhe ndarjen e këtyre vlerave dhe parimeve themelore mbi të cilat sot është themeluar dhe mbindërtohet Evropa e bashkuar, u tregua dhe u vërtetua dje dhe sot paradite gjatë takimeve të punës me kolegun tim të nderuar, Kryetarin e Kuvendit Shtetëror, zotëri Dejan Zhidan, me koordinatorët e grupeve parlamentare, si edhe me përfaqësuesit tjerë më të lartë shtetërorë të Sllovenisë. Respektivisht, edhe njëherë u dëshmua se ndërmjet dy vendeve tona nuk ka çështje të hapura dhe probleme. Me këtë rast, dëshiroj veçanërisht ta theksoj rolin e të dy parlamenteve të cilët në pothuajse tre dekadat e kaluara vendosën marrëdhënie bilaterale shumë intensive por po ashtu edhe efikase a në shembuj të caktuar edhe marrëdhënie multilaterale, edhe atë, si në nivel të kryetarëve të të dy parlamenteve, ashtu edhe në nivel të trupave punues, komisioneve dhe administratës parlamentare. Këtu, patjetër e kam ti përmend tvining projektet e mbajtura të shumta, punëtoritë në të cilat ishin inkuadruar deputetë dhe ekspertë nga Kuvendi Shtetëror, por edhe nga institucione të tjera të cilat ishin në drejtim të përforcimit të demokracisë parlamentare te ne, a veçanërisht të rolit të Kuvendit, si në funksionin e tij ligjvënës, ashtu edhe në funksionin mbikëqyrës.

Të nderuar kolegë,

Më lejoni që shkurtimisht të ndalem në situatën te ne. Gjithsesi e dini se para do kohe i miratuam ndryshimet kushtetuese me të cilat në bazë të Marrëveshjes së ashtuquajtur të Prespës, të nënshkruar nga qeveritë e tani më Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë u tejkalua kontesti i gjatë pothuajse tre dekada rreth emrit kushtetues të shtetit tonë. Kontest i cili e bllokonte Maqedoninë në përcaktimet e saj strategjike, respektivisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Ju e dini se që në Samitin e NATO-s në vitin 2008 në Bukuresht duhej të bëhemi anëtare e NATO-s, bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë me të cilët e ecëm bashkë rrugën e përmbushjes së kushteve, por atëherë na bllokuan. Marrëveshja e Prespës, me të cilën u tejkalua ky problem nuk ishte e lehtë as për Qeverinë e tani më Republikës së Maqedonisë së Veriut, as për Qeverinë e Republikës së Greqisë. Ishim dëshmitarë të demonstratave dhe protestave edhe në Shkup edhe në Athinë, sidomos kur marrëveshja hyri në procedurë të ratifikimit në parlamentet nacionale. Kjo vetvetiu flet se kjo marrëveshje, sipas karakterit të vet është një marrëveshje vin-vin, gjegjësisht, të gjithë jemi fitimtarë dhe humbës. Për ne, fakti më i rëndësishëm është se me miratimin e amendamenteve kushtetuese, filloi procesi i anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në NATO. Vetë procesi i cili në esencë udhëhiqet nga Brukseli ju veç më e keni kaluar dhe e dini mirë. Ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO që javën e kaluar në mënyrë solemne u nënshkrua në Bruksel nga ana e 29 ambasadorëve të shteteve anëtare, do të ratifikohet në të gjitha 29 parlamentet nacionale dhe me këtë do të bëhemi anëtare e tridhjetë e plotfuqishme me të gjitha të drejtat dhe obligimet që i ka çdo anëtare e NATO-s. 

Dhe, ashtu siç para do kohe në Shkup më paralajmëroi ministri juaj i Mbrojtjes zotëri Karl Erjavec se Sllovenia shumë shpejt do e ratifikojë Protokollin, kjo edhe ndodhi. Me të vërtetë Ju falënderojmë përzemërsisht. Dhe, dëshiroj që sinqerisht t'ju falënderoj në emër të Kuvendit të tani më Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë, Sllovenia si shtet dhe populli i Sllovenisë edhe njëherë e konfirmuan raportin miqësor por në të njëjtën kohë edhe raportin parimor ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ndaj qytetarëve të saj. Besoni, ne këtë do e mbajmë mend a çdoherë kemi ditur ti respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë të vërtetë, Sllovenia dhe populli i Sllovenisë kjo janë.

Por, të kthehem te ndryshmet kushtetuese. Me implementimin e tyre, debllokohet edhe procesi i integrimit tonë në BE. Unë shpresoj se këtë vit definitivisht do të marrim datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Më besoni, shumica parlamentare dhe Qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë së Veriut , a të jem i sinqertë, edhe opozita, kemi qëndrim të përbashkët se jemi të obliguar të punojmë në mënyrë shumë më intensive në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian. Procese të cilat imponojnë reforma shumë serioze dhe në momente edhe të dhimbshme në të gjitha sferat, prej gjyqësisë, administratës shtetërore nëse doni edhe sistemin arsimor deri në sektorin civil. Reforma në të cilat Kuvendi luan rol të madh. Prandaj, tani më punojmë me shumë seriozitet në përforcimin e kapacitetit parlamentar, si të deputetëve, ashtu edhe të administratës së Kuvendit. Me këtë, e rrisim cilësinë e funksionit ligjvënës të Kuvendit, por po ashtu përforcohet edhe funksioni mbikëqyrës i parlamentit dhe arrijmë hapje dhe përfshirje më të madhe të sektorit joqeveritar. Pikërisht në këto çështje mundemi në masë të madhe ti shfrytëzojmë përvojat tuaja, a unë jam i bindur se ashtu si edhe deri tani, ashtu edhe në të ardhme do të mund ta pranojmë prej jush gjithë ndihmën e duhur profesionale dhe eksperte. Me këtë rast, dëshiroj që veçanërisht ta theksoj rolin shumë pozitiv dhe konstruktiv të deputetëve të Sllovenisë në Parlamentin Evropian, të cilët gjithmonë kanë ditur ti artikulojnë dhe ti mbrojnë interesat dhe qëndrimet e vërteta të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Miq të nderuar,

Më lejoni që shkurtimisht ti jap këndvështrimet e mia për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me Marrëveshjen veç më të përmendur bilaterale me Greqinë, a paraprakisht nënshkruam Marrëveshje për miqësi edhe me Bullgarinë, janë tejkaluar shumë antagonizma të cilat historikisht zvarriten moti në Ballkan i cili në skenën ndërkombëtare emërohet si "fuçi baruti“.

Për arsye se në njërën anë, të gjithë që jetojmë në Ballkan u përcaktuam për anëtarësim të plotfuqishëm në BE a përveç Serbisë, edhe në NATO, ishim të detyruar ti tejkalojmë antagonizmat historike të cilat moti, sipas esencës së vet, së paku pjesa më e madhe e tyre ishin me të vërtetë irracionale, shikuar në aspektin e proceseve të sotme të globalizimit.

Në këtë çast, çështje e vetme e hapur në rajon janë marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që është mirë për të dyja palët a edhe për rajonin në tërësi, është fakti se qeveritë e Serbisë dhe Kosovës zgjidhjen e shohin vetëm dhe vetëm nëpërmjet dialogut. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si fqinj i Kosovës dhe Serbisë, a duke e pasur parasysh edhe strukturën etnike të qytetarëve tanë, jemi veçanërisht të interesuar dhe e përkrahim në tërësi dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe presim që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

Mendoj se në Ballkan definitivisht të gjithë kuptuam se idetë për një lloj shtete të mëdha nacionale janë tejkaluar moti. Respekti i ndërsjellë, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimi i të drejtës dhe shtete juridike funksionale janë ato standarde themelore pa të cilat nuk mund të zhvillohet asnjë shtet, a në të njëjtën kohë janë condicio sine kva non për marrëdhënie bilaterale dhe multilaterale lartë të zhvilluara. Kjo është edhe më e rëndësishme nëse të gjithë jemi fortë të përcaktuar të bëhemi pjesë e familje së madhe evropiane, shikuar jo vetëm në mënyrë gjeografike por edhe në aspektin e civilizimit, ku bëjmë pjesë.

Zonja dhe zotëri,
Kolegë të nderuar,

Më lejoni që të rikthehem në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona. Fillimisht, konkretisht, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast dhe të shpreh falënderim ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë, saktësisht, pjesëtarëve të policisë së Sllovenisë të cilët gjenden në kufirin verioromaqedonas-grek bashkë me policinë tonë kufitare dhe pjesëtarët policorë të disa shteteve tjera evropiane, dhe punojnë në mënyrë të përkushtuar në sigurimin e të ashtuquajturës rutë Ballkanike të migrimit. Është problem i cili sipas vëllimit dhe intensitetit e prek gjithë Evropën edhe atë në më shumë aspekte, të sigurisë, kulturës dhe atë social.

Tani do të vazhdoja me aspektet tjera të marrëdhënieve tona bilaterale, respektivisht marrëdhëniet tona në planin politik, si edhe në sferat tjera, në planin e kulturës dhe arsimit dhe me kënaqësi kisha konstatuar se janë me të vërtetë të mira. A sa i takon marrëdhënieve ekonomike, mendoj se ato ngecin duke i marrë parasysh mundësitë dhe duke e pasur parasysh shfaqjen e qartë të interesit nga të dyja ekonomitë për bashkëpunim më të madh. Respektivisht, prej vitit 2016 shënohet rritje në këmbimin e mallrave ndërmjet dy shteteve dhe ai këmbim sot rrotullohet rreth 300 milionë eurove në të dyja drejtimet dhe këtë e mbështes me të dhënat në vijim. Për shembull, në nëntë muajt e parë të vitit 2018 shënohet rritje e këmbimit të mallrave prej rreth 7 përqind në raport me periudhën e njëjtë në vitin 2017. Mund të jetë interesant e dhëna në vijim: në Maqedoni 1437 ndërmarrje të Sllovenisë eksportojnë mallra të ndryshme a 357 ndërmarrje të Sllovenisë merren me import nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo premton se përsëri, mbetet hapësirë e madhe me potencial të pashfrytëzuar. Jam i njoftuar me ekzistimin e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik i cili është në nivel të ministrive dhe i cili parashikon që këmbimi i mallrave për disa vite të arrijë pothuajse gjysmë miliardë euro, për çka të dyja palët kanë përpiluar edhe plan përkatës aksioni dhe kjo më gëzon. Mendoj se të gjithë e kemi të qartë se parlamentet nuk nënshkruajnë marrëveshje biznesi, kjo është punë e pushtetit ekzekutiv i cili lidh marrëveshje në bazë të të cilave mandej ndërmarrjet dhe asociacionet ekonomike e vendosin bashkëpunimin ekonomik. Megjithatë, si parlamente, nëpërmjet Ratifikimit të atyre marrëveshjeve dhe nëpërmjet nxjerrjes së zgjidhjeve ligjore të cilat do e lehtësojnë këtë komunikim dhe nëpërmjet funksionit tonë mbikëqyrës, ne mund të kontribuojmë në krijimin e kushteve më të mira për një bashkëpunim ekonomik më dinamik edhe atë në nivel më të lartë, para së gjithash me investime të përbashkëta, duke i shfrytëzuar përfitimet që si shtet ua ofrojmë investitorëve të huaj. Dhe, edhe një aspekt tani më kur i përmenda investimet. Sllovenia, si anëtare Bashkimit Evropian ka mundësi a ka edhe dituri se si të shfrytëzohen fondet evropiane pikërisht kur bëhet fjalë për objektet infrastrukturore te ne, por edhe në segmentet tjera të ekonomisë. Ne jemi më shumë se të interesuar ti ndani ato përvoja me ne.

Tani dua ta theksoj edhe një segment të rëndësishëm i cili na bashkon dhe është bazë e shkëlqyer për miqësinë tonë të sinqertë. Mendoj për rolin dhe pozitën e atyre qytetarëve tanë të cilët me prejardhje janë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, pa dallim nëse bëhet fjalë për maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarë të bashkësive tjera etnike. Sipas njohurive të mia, shumica e tyre janë shumë mirë të inkuadruar në shoqërinë e Sllovenisë dhe mënyrën e jetës në Slloveni. Në të njëjtën kohë, shteti i Sllovenisë ka edhe programe konkrete a edhe mjete për këto, unë i kisha emëruar si qytetarë të përbashkët dhe urë e ndërlidhjes, ta ruajnë identitetin e vet nacional, kulturën dhe gjuhën, që me të vërtetë është për tu përshëndetur. Te ne ka një grup shumë i vogël i bashkëqytetarëve Sllovenë, por më besoni, ato janë mirë të organizuar a kisha thënë edhe mirë të njohur në shoqërinë tonë.

Kolegë dhe miq të nderuar,

Në fund, kisha dashur edhe njëherë ta shpreh kënaqësinë time personale, a edhe të gjithë delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë takim bilateral edhe njëherë të suksesshëm dhe para së gjithash produktiv. I nderuar Kryetar i Kuvendit Shtetëror, z. Dejan Zhidan, të nderuar kolegë deputetë, dëshiroj t'ju uroj punë të suksesshme dhe shpresoj se së shpejti do të shihemi në Shkup, a deri në fund të vitit do të ulemi bashkë si anëtarë të barabartë në NATO a me këtë edhe në Asamblenë Parlamentare të aleancës së NATO-s.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click