Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 2 gusht 2017

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi me rastin e 2 gushtit, Ditës së Republikës

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë,
të Ministrisë së mbrojtjes, 
kolegë të nderuar të përbërjes aktuale parlamentare dhe të përbërjeve të kaluara,
Shkëlqesi,Përfaqësues të bashkësive fetare,
Përfaqësues të Lidhjes së luftëtarëve,
Të nderuar qytetarë,

Sot jemi këtu në Meçkin Kamen, t'i nderojmë heronjtë e Ilindenit të cilët këtu i dhanë jetët e tyre dhe me këtë e ndërtuan të tanishmen të cilën të gjithë e jetojmë. Të përulemi para autorëve të Manifestit të Krushevës, dokument i shkruar para njëqind e katërmbëdhjetë vitesh, por që është aktual edhe sot. Më lejoni të citoj një pjesë të tij: 

„Ejani vëllezër myslimanë afër nesh, të nisemi kundër armiqve tuaj dhe tanë! Ejani me bajrakun e „Maqedonisë autonome. Maqedonia është nëna jonë e përbashkët dhe po na thërret për ndihmë. Ejani t'i këpusim zinxhirët e robërisë, të shpëtojmë nga mundimet dhe vuajtjet. Fqinj tanë të dashur, si turq, arnautë, ejani afër nesh vëllezër, t'i afrojmë shpirtrat dhe zemrat dhe të shpëtojmë, që ne dhe bijtë dhe pasardhësit tanë të jetojnë të qetë, të punojnë mirë dhe të përparojnë…“

Me këtë udhëheqësit e Kryengritjes së Ilindenit, Nikolla Karev, Goce Dellçev, Dame Gruev, Pitu Guli dhe heronjtë tjerë të njohur dhe të panjohur kanë treguar se kanë pasur vlera dhe parime të larta të zhvilluara civilizuese për bashkësinë, tolerancën dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, pa dallim të fesë, përkatësisë etnike, gjinisë apo statusit social. Mendoj se të gjithë ne që sot jetojmë në këtë shtet të përbashkët, duhet të jemi krenarë që para më tepër se një shekulli paraardhësit tanë kanë folur dhe kanë luftuar për liri, për respektimin e të drejtave të njeriut, për bashkëjetesën dhe tolerancën, për shoqërinë multikulturore dhe multietnike.

Të nderuar miq,

Dikush do të thotë se prej historisë nuk jetohet. Kjo është e vërtetë, megjithatë, të mos harrojmë se historia në njëfarë mënyrë e determinon edhe të tanishmen, por edhe ne si individë jemi historikisht të determinuar. Pikërisht ky determinim historik që bazohet në vlerat dhe parimet civilizuese të ilindenasve të parë, ka qenë motivimi, unë do të them, edhe zotimi i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe shumë të tjerëve në vitin 1941 të cilët përsëri së bashku me pushkë në dorë kanë luftuar dhe e kanë fituar lirinë e tyre, por edhe për fitoren mbi të keqen më të madhe në shekullin e njëzetë, fashizmin. Dua ta theksoj faktin se fryma e Manifestit të Krushevës, fryn gjatë tërë luftës nacionalçlirimtare, kurse materializohet edhe në Ilindenin tonë të dytë, përkatësisht në dokumentet e KAÇKM-së nga viti 1944. Dokumentet në të cilat qartë janë të përkufizuara të drejtat dhe liritë e përgjithshme dhe të veçanta të njeriut, qartë përkufizohet karakteri multietnik, muktikulturor dhe multikonfesional i shtetit tonë. Ajo që është mjaft me rëndësi është fakti që me dokumentet e KAÇKM-së, qartë përkufizohet e drejta e vetëqenies të bazuar në parimet e vetëvendosjes, respektivisht Republika e Maqedonisë për herë të parë konstituohet si republikë me të drejta të barabarta në kuadër të Jugosllavisë Federale.
Kjo dëshirë shekullore, nëse dëshironi edhe ëndërr shekullore për shtet të pavarur të Maqedonisë si atdhe i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe të gjithë qytetarëve të saj vazhdoi të ëndërrohet, e u realizua më 8 Shtator 1991 me referendumin për shtet të pavarur dhe të mëvetësishëm. Ndërsa kjo konstantë e themeluar në Manifestin e Krushevës për karakterin multietnik, multikulturor dhe multikonfesional të shtetit tonë është vërtetuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. 

Zonja dhe zotërinj, 

Në këto njëzet e gjashtë vite pavarësi, të gjithë bashkërisht kaluam nëpër shumë trazira dhe kriza. Megjithatë, ajo që është më me rëndësi është fakti që këto trazira dhe kriza te qytetarët, pa marrë parasysh dallimin e tyre etnik, fetar, politik ose cilitdo dallim tjetër, nuk e çrregulluan frymën e bashkimit, të bashkëjetesës.  Vlera të cilat janë vërtetuar në historinë tonë të përbashkët, e të cilat vërtetohen edhe në përditshmëri, sepse ne e kemi ditur dhe dimë që bashkërisht t'i ndajmë edhe çastet e bukura, edhe më pak të bukura që i bart jeta.  Ne e kemi një atdhe të përbashkët Republikën e Maqedonisë, dhe të gjithë ne jemi përgjegjës për ta ruajtur dhe zhvilluar, për ne dhe për brezat e ardhshëm.  Njëkohësisht, të gjithë ne që jetojmë këtu ose së paku shumica e qytetarëve, ndajmë edhe një përcaktim të përbashkët, e nëse dëshironi edhe ëndërr të përbashkët, e kjo është integrimi i plotë në BE dhe NATO. 

Fatkeqësisht, në rrugën e realizimi të këtyre përcaktimeve tona strategjike dhe ëndrrës tonë të përbashkët qëndron një kontest për të cilin besoj se të gjithë e dini a e di edhe opinioni ndërkombëtar. Kemi çështje të hapur me fqinjin tonë jugor, mirëpo unë jam optimist dhe jam thellë i bindur se në rast se të gjithë ne i qasemi maksimalisht seriozisht dhe me maturi kërkimit dhe gjetjes së zgjidhjes për tejkalimin e këtij problemi realisht ekzistues, do të ngjitemi një shkallë më lart në shkallën e pjekurisë politike dhe përgjegjësisë. Shumica aktuale parlamentare dhe Qeveria aktuale punojnë me përkushtim në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje të hapur, në drejtim të mbylljes së çështjeve tjera të hapura me qëllim që të mundemi sa më shpejt tu përkushtohemi të gjitha reformave të duhura nëse dëshirojmë të kthehemi në të ashtuquajturin binar të shpejtë për anëtarësim në NATO dhe për fillim të negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

E kam në mendime para së gjithash zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, e në këto korniza, hap i rëndësishëm është marrëveshja për marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Bullgarisë.  Marrëveshje të cilën dje e nënshkruan kryeministrat e qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Bullgarisë, z. Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.  Shpresoj se kjo marrëveshje do të ratifikohet relativisht shpejt në të dy parlamentet, e me këtë besoj se edhe si fqinj do të bëjmë hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet bilaterale, si dhe në forcimin e stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euroatlantike.   

Zonja dhe zotërinj, 
Të nderuar miq, 

Periudha e cila vijon, kërkon shumë punë dhe vendime e zgjidhje serioze, ndoshta në shikim të parë vendime dhe zgjidhje mjaft të vështira, të cilat në një afat të arsyeshëm do ta tregojnë përfitimin për të gjithë qytetarët. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, këtu mendoj për të gjithë njëqind e njëzet  (120) deputetë dhe administratën, ka kapacitet por besoj edhe vullnet politik ta plotësojë obligimin e vet që buron nga Plani qeveritar i njohur si 3-6-9. Jam i bindur se edhe shtyllat tjera të pushtetit, ekzekutiv dhe gjyqësor, gjithashtu kanë kapacitet t'i realizojnë obligimet e tyre. Dëshiroj të besoj se kriza e fundit politike na mësoi se nuk guxojmë më t'i përsëritim gabimet tona dhe të vazhdojmë të jetojmë në rrethin magjik, i cili manifestohet me të tanishme jostabile dhe ardhmëri të paqartë. Besoj se, të gjithë ne, ngadalë por sigurt i tejkalojmë disa antagonizma të cilat nuk kanë rrënjë në historinë tonë të përbashkët, në bashkëjetesën dhe tolerancën tonë shekullore, dhe aq më pak në përcaktimet tona për të ardhme më të mirë në kuadër të familjes evropiane.  Këtë ua kemi borxh të gjitha gjeneratave të mëparshme të cilat jetët e tyre i dhanë për Republikën e sotme të Maqedonisë, të lirë dhe të pavarur, por aq më tepër këtë ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme. 

Ju faleminderit. 

Click