Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E hënë, 22 korrik 2019, QIK

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI ME RASTIN E PROMOVIMIT TË LIBRIT "THESAR KOMBËTAR I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI"  

Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar kryetar i Shoqatës "Papa Klementi XI Albani",
z. Ibrahimi,
I nderuar kryetar i Këshillit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup,
Të nderuar krijues, artistë, botues dhe artdashës,
I nderuar ambasador Reka, 
Zonja dhe zotëri, 

Në fillim, më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot jemi tubuar këtu në këtë eveniment kulturor në të cilin do të bëhet përurimi i librit "Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi", vëllimi i 10 -të, që vetvetiu flet për vazhdimësinë dhe për këmbëngulësinë me të cilën Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë "Papa Klementi XI Albani" nga Suedia e realizon aktivitetin e vet kaq fisnik. Dhe, jo vetëm që e vazhdon por, edhe e zgjeron dhe thellon me lidhjen e marrëveshjeve të reja për bashkëpunim me institucione përkatëse këtu dhe në rajon, duke e pasuruar në këtë mënyrë edhe portofolin e vet por edhe skedarin e popullit shqiptar me shënime për periudhën historike aktuale, atë të kaluarën dhe natyrisht, atë që e presim të vijë. 

Kur u takova për herë të parë me z. Hysenin, më la përshtypje pasioni me të cilin fliste për aktivitetin e Shoqatës, qëllimin që dëshiron ta arrijë kjo shoqatë dhe mënyra se si tenton ta arrijë. Dhe të them të drejtën, më gëzoi. Më gëzoi për arsye se, ishte ndryshe nga ajo që e kam dëgjuar deri tani. Jemi të vetëdijshëm se populli jonë, edhe pse këtu nuk mund ti përjashtoj edhe popujt tjerë, në të kaluarën e largët, por edhe atë të afërt, aktualisht a nuk kam mëdyshje se do të vazhdojë edhe në të ardhme, ka marrë rrugën dhe është nisur përtej kufijve për arsye të ndryshme në periudha të ndryshme kohore, gjegjësisht, në fillim të gjithë kanë shkuar për sigurimin e kafshatës së bukës për familjen ndërsa viteve të fundit, edhe pse tendenca fillestare është siguria financiare, përsëri nuk do të gaboj nëse them se një pjesë bukur e madhe e të rinjve shkon për të mësuar, hulumtuar dhe zgjeruar horizontet e veta të dijes dhe me këtë sërish edhe mundësitë e një jete më të mirë. Është në natyrën e njeriut të jetë kureshtar dhe të hapë krahët gjerë. Dhe, nuk them se kjo është dukuri krejtësisht negative por, gjithsesi se ka mangësitë e veta. Largimi nga vendlindja sjell me vete edhe shkëputjen nga arsimimi në gjuhën e nënës, nga rrjedhat aktuale, zhvillimet shoqërore, shkëputjen nga tradita, harrimi i trashëgimisë, jo qëllimisht por thjesht sepse dinamika e mënyrës bashkëkohore të jetës e imponon këtë, nxitimi pas kohës e cila kurrë nuk mjafton. 

Dhe, pikërisht këtu shfaqet kjo shoqatë e cila me kujdesin më të madh përpiqet që ti regjistrojë ngjarjet, ta ruajë trashëgimin shpirtërore dhe atë letrare, duke e pasuruar atë njëkohësisht me përmbajtje të reja të cilat u shërbejnë gjeneratave të reja dhe pikërisht kjo ishte ajo që më inkurajoi ta mbështes këtë eveniment dhe ti përgëzoj për punën e vyer dhe të shkëlqyeshme që e bëjnë, për mbajtjen e komunikimit brenda komunitetit shqiptar në mërgatë, për frymëzimin, për trashëgiminë dhe mbajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Ju me këtë bëheni pjesë e historisë. 

Fakti që në këtë eveniment do të ndani Mirënjohje për personalitetet e shquara krijuese dhe artistike shqiptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për arsye se me këtë tregoni qartë se puna dhe vepra e tyre valorizohet dhe çmohet si vepër e cila në fakt na nderon të gjithë ne si komb dhe si bashkëqytetarë të tyre dhe ato janë ambasadorë të vërtetë të krijimtarisë dhe artit shqiptar anembanë botës. Shpreh nderimet e mia për Ju krijues dhe artistë dhe uroj që pena dhe brusha Juaj mos thahet kurrë!

Tani më kam njohuri se me këtë rast Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë "Papa Klementi XI Albani" nga Suedia do më shpallë Anëtar nderi dhe dua të them se për mua është nder por edhe përgjegjësi që të vazhdoj tutje me angazhimin tim maksimalisht profesional në kryerjen e detyrave në krye të të cilave jam. Në mua do të gjeni mbështetësin e përkushtuar të Shoqatës suaj.

Qofshi me nderë dhe paçi edhe shumë suksese në misionin tuaj fisnik!

Ju faleminderit për vëmendjen! 

 
a

Na ndiqni në: