Udhëheqja parlamentare

E shtunë, 8 qershor 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së parë të absolventëve të Universitetit Nënën Tereza 

I nderuar nënkryetar i Qeverisë Osmani, 
I nderuar ministër i Arsimit Ademi,
I nderuar rektor i Universitetit Nënë Tereza, z. Pollozhani,
I nderuar kryetar i komunës së Çairit,
Të nderuar studentë të Universitetit Nënë Tereza,
Të nderuar dekanë, profesorë, prindër,
Zonja dhe zotëri,  

Jam i nderuar dhe i lumtur që sot jam pjesë e këtij ceremoniali solemn të diplomimit të absolventëve të gjeneratës së parë të Universitetit Nënë Tereza. E di se edhe ju jeni po aq të lumtur por, edhe trefish krenarë, sepse ju jeni rezultati i parë i një rrugëtimi fisnik që filloi në vitin 2016 dhe që prej dite në ditë, prej gjenerate në gjeneratë, e shton numrin e arsimdashësve, cilësinë e arsimdhënësve dhe si rezultat i kësaj, diturinë dhe njohuritë e juaja për jetën, për botën, për universin dhe për gjithçka që na rrethon, na sfidon dhe na e nxit kureshtjen, sidomos tuajën, duke e konsideruar rininë tuaj, etjen për dituri dhe dëshirën për pasurimin e trurit dhe shpirtit.

I nderuar Rektor, dekanë, profesorë, ju uroj për kontributin që e keni dhënë dhe për përkushtimin që e keni pasur për të ndritur mendjen dhe zgjeruar diapazonin e njohurive të këtyre të rinjve të nderuar. Keni detyrë të përgjegjshme por në të njëjtën kohë edhe shumë të çmuar. Jeni përgjegjës për vlerat që i keni ngulitur në këto gjenerata të reja që prej sot e tutje do të jenë aktorë aktivë në shoqërinë tonë, do të jenë motori që do e çojë përpara vendin tonë drejt ndërtimit të një të ardhme të ndritur e do të kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit me fqinjët, me rajonin dhe botën. Do të punojnë në drejtim të arritjes së vlerave dhe standardeve që janë të pranuara në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar. Ndërsa ne, si politikbërës, si akademikë, si faktorë që ua lëmë në trashëgimi vendin, do të kujdesemi që këto të rinj të kenë hapësirë për të prodhuar vlera që do e bashkërendisin vendin tonë në rendin e vendeve shembullore. Do u mundësojmë ti ndjekin dhe realizojnë ëndrrat e veta, sepse ato e kanë rininë, energjinë, vullnetin  dhe guximin, janë syçelë dhe mendjehapur! Ne, nuk na mbetet asgjë tjetër përpos ti mbështesim në rrugëtimin e tyre, për të mirën e qytetarëve tanë, për të mirën e vendit, rajonit dhe botës. Jam i kënaqur që si politikbërës, i hoqëm nga rendi i ditës çështjet që e ngarkonin rrugëtimin tonë drejt arritjes së qëllimeve strategjike të vendosura që nga pavarësimi i vendit, gjegjësisht, anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO, organizatën më të madhe të mbrojtjes, gjë që tani më është e qartë se do të rrumbullakohet deri në fund të këtij viti dhe anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, gjë për të cilën presim me plot të drejtë që të merret vendim për hapjen e negociatave në qershor të këtij viti. Me arritjen e këtyre qëllimeve, do të mund të themi lirshëm se gjeneratave të reja u lëmë në trashëgimi shtet pa çështje të hapura, me perspektivë të qartë dhe të ndritur. 

Studentë të nderuar, sot kam një porosi për të gjithë ju që largoheni nga ky tempull i diturisë si arkitektë, si ndërtimtarë, si të diplomuar në Informatikë, në Teknikë, Teknologji dhe Shkenca Sociale:“Hapni krahët, kokën lartë, zemrën plotë dhe fluturoni, hapni shtigje të reja të zbulimit të kësaj bote aq intriguese dhe aq sfiduese dhe mos lejoni që udhëtimi juaj të mbetet vetëm me kaq. Vazhdoni të arsimoheni gjatë gjithë jetës sepse arsimimi nuk është vetëm një proces tre apo pesëvjeçar. Arsimimi është një proces i vazhdueshëm. Dhe, është në natyrën e njeriut të jetë kureshtar dhe gjithmonë të garojë me vetveten dhe të këmbëngulë që ta tejkalojë veten. Ky është mesazhi im për ju sot sepse ju sot e hapni një kapitull të ri në jetën tuaj dhe kur të punësoheni,  cilado që të jetë puna që e bëni, ju uroj që ta tejkaloni veten! Të tentoni të jeni më të mirë, duke e dhënë më të mirën prej vetes! Ju uroj sukses në arritjen e majave më të larta në botën profesionale, ndërsa stafit të respektuar të Universitetit Nënë Tereza i uroj që Universiteti, prej viti në vit të rritet dhe zhvillohet, si me numër të studentëve, ashtu edhe me cilësinë e studimeve dhe arritjeve shkencore. Të jetë tempull i cili do të dallohet dhe do të jetë atraktiv për studentët në vend dhe jashtë vendit. Paçi gjithmonë sukses dhe përparim!Faleminderit për vëmendjen!

Click