Udhëheqja parlamentare

E premte, 31 janar 2020

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Dialogun Zhan Mone të tretë

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian, z. Kjuçjuk, z. Shieder, z-nja Vallsman, 
Të nderuar nënkryetarë të Kuvendit,
Të nderuar kolegë, 
E nderuar sekretare e përgjithshme Ivanova, 
I nderuar Ambasador Zhbogar

Sot vazhdojmë me Dialogun e ri Zhan Mone, të tretë me radhë, dhe mua më vjen mirë që mes nesh gjendet përbërja e re e eurodeputetëve, miq të Kuvendit dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kolegë tanë nga Parlamenti Evropian, të cilët janë këtu ta vazhdojnë me ne bashkëpunimin që filloi në maj të vitit 2018, vazhdoi në qershor të vitit 2019 në Kuvend dhe dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast dhe të shpreh falënderim ndaj treshit paraprak të eurodeputetëve, Vajgëll, Kukan dhe Flekenshtajn, për miqësinë e tyre dhe përkushtimin e padyshimtë ndaj dhomës sonë ligjvënëse, ndërsa Ju, z. Kjuçjuk, z. Shieder  dhe z-nja Vallsman, më lejoni t'ju përshëndes dhe t'ju uroj mirëseardhje në Kuvend, me besim se bashkë do të arrijmë rezultate konkrete dhe suksese për të cilat mundet në ndonjë të kaluar të mëparshme kemi menduar se janë të pamundur, por megjithatë kemi arritur ti realizojmë. "Zhan Mone Dialogu për paqe dhe demokraci" është instrument i zhvilluar nga Parlamenti Evropian si vegël e fuqisë së butë në fushën e ndërmjetësimit dhe dialogut parlamentar, besoj se të gjithë këtu të pranishëm e kanë mirë të njohur konceptin e këtij procesi, respektivisht, përqendrimin në arritjen e konsensusit për reformat institucionale dhe nacionale, larg mbulimit mediatik, larg teatralitetit që e nxit prezenca e publikut dhe larg presionit politik të diskursit aktual.  

Të nderuar,

Pyetja konkrete rreth së cilës do të përqendrohemi edhe kësaj radhe është në fakt vazhdimi i diskutimit për arritjen e harmonizimit të qëndrimeve për përpilimin e Rregullores për punën e Kuvendit sa më shumë që mundet konsensuale. Kjo propozim Rregullore sipas së cilës debatojmë sot është produkt i punës së më shumë komponentëve, gjegjësisht, pas debatit dhe harmonizimeve të arritura në DZHM të dytë, ku kishim edhe kontributin e ekipit të ekspertëve nga Projekti i BE-së për mbështetjen e reformave në Kuvend, shërbimi i dhomës ligjvënëse e përpiloi këtë Propozim në të cilin qartë vërehen pikat që mbesin për harmonizim. Në të janë futur sugjerimet e pranuara të parashtruara nga NDI në Dialogun e kaluar, ndërsa për të sotmin, kanë parashtruar propozime që i keni në materialet tuaja për punë.

Të nderuar, 

Edhe unë, edhe ju e keni të qartë se ky nuk është tajmingu më mirënjohës për finalizimin e debatit për Rregulloren konsensuale, duke pasur parasysh se së shpejti, gj.gj. më 12 shkurt kjo përbërje parlamentare do të shpërndahet ndërsa më 12 prill shkojmë në zgjedhje të parakohshme mirëpo, një gjë nuk mund të anashkalojmë dhe të përjashtojmë, dhe kjo është se gjithçka që kemi bërë, gjithçka që do të bëjmë tani dhe në të ardhme, nuk është diçka që do të vlejë vetëm për një mandat ose frutat e të cilës do i gëzojë vetëm një përbërje parlamentare. Ajo që e bëjmë në fakt është vënia e themeleve të forta të veglës më të rëndësishme për funksionimin e Kuvendit - Rregullores, me qëllim që e njëjta mos jetë pengues, frenues apo bllokues i reformave aq të duhura në shoqëri, në shtet dhe në mendësinë tonë në fund të fundit, sepse, gjithçka fillon prej mendësisë, ose duam dhe ka vetëm një mënyrë për të bërë këtë, ose nuk duam dhe gjejmë njëqind e një arsyetim për mos e bërë. 

 

Qëllimi ynë është të përforcohet roli i Kuvendit, dhe jemi të bindur se ky dialog ofron mundësi të vërtetë për ta vënë Kuvendin jo vetëm në qendrën e ndërtimit të konsensusit në lidhje me legjislacionin për mbështetjen e agjendës reformuese të BE-së por, edhe për ta paraprirë agjendën reformuese, duke e përdorur gjithë legjitimitetin e vet të rëndësishëm demokratik, kontrollues dhe legjislativ, për arsye se përcaktimet tona strategjike janë të njohura, respektivisht anëtarësimi në NATO dhe BE dhe për këtë nevojiten institucione funksionale, Kuvend funksional. Dhe, kur jam te përforcimi dhe vënia e dhomës së demokracisë si përfaqësuesi më i drejtpërdrejtë i sovranit dhe bartës i legjitimitetit të besuar nga ai, dua me krenari ta përmend nxjerrjen e Ligjit për Kuvendin, ndryshimet dhe plotësimet e të cilit në pjesën e Shërbimit, mundësojnë pavarësi financiare dhe administrative, dy prej tre qëllimeve të pothuajse çdo përbërjeje parlamentare prej pavarësimit e këndej. Së shpejti do të hapet edhe Zyra Buxhetore Parlamentare е cila do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë e pavarësisë financiare të Kuvendit. Mbetet të punohet në drejtim të pavarësisë së sigurimit të Kuvendit, mbetemi të përkushtuar në sigurimin e konsensusit që të jetë më produktiv dhe të sjellë vetëm përmirësim në mënyrën e funksionimit të Kuvendit, me mundësinë më të vogël për keqpërdorimin e të drejtave me rregullore në drejtim të pengimit të punës. 

Kolegë, 

Në Kuvend, duke e pasur parasysh gjithë kontekstin pas zgjedhjes sime pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit, e dini se megjithatë komunikimi me gjithë ju ishte i vazhdueshëm dhe prandaj i kam të njohur edhe qëndrimet tuaja rreth çështjeve kontestuese mes opozitës dhe pushtetit dhe nuk do i numëroj mirëpo, mund të sugjeroj që sot dhe nesër të bëjmë përpjekje që sa më shumë që mundet ti afrojmë ose edhe më mirë, ti harmonizojmë qëndrimet rreth kufizimit të Seancës konstitutive në dy ditë, Kalendarit të Kuvendit, debatet mbikëqyrëse, idesë për aprovimin me dy të tretat të ligjeve me procedurë të shkurtuar, zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm dhe gjithsesi, mund të flasim edhe për çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit në Nenin 1, për shumicën e heqjes së imunitetit të deputetit dhe tjetër. E di se jeni të vetëdijshëm se gjithçka që bëjmë është në drejtim të përmirësimit të funksionalitetit të institucionit që kjo si rezultat të reflektohet në jetën reale të qytetarëve tanë. Gjithsesi, kjo është në favor të përpjekjeve tona për marrjen e  datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Ju faleminderit për vëmendjen dhe uroj dialog të suksesshëm Zhan Mone.

Click