Udhëheqja parlamentare

E enjte, 14 mars 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi para deputetëve në Sejmin e Lituanisë     

Sot, Sejmi i Lituanisë, me vendim unanim, me 92 vota për e ratifikoi Protokollin për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Kryetari Xhaferi i cili është në Vilnus me ftesë të Kryetarit të Sejmit, z. Pranckietis, u drejtua me fjalët në vijim: 

I nderuar Kryetar i Sejmit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 
Të nderuar përfaqësues të medieve,

Më lejoni që ta ndaj me ju kënaqësinë që sot isha dëshmitar i këtij akti solemn për ne, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë që kontribuuan për atë ku gjendemi sot, na besonin dhe na dhanë mbështetje. Sejmi i Lituanisë dhe shteti i Lituanisë, me aktin e Ratifikimit të Protokollit për aderimin tonë në Aleancën e NATO-s,  vetëm e konfirmuan në vepër mbështetjen e sinqertë dhe pa rezervë që gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara e kemi pasur dhe e kemi pranuar nga ju. Prandaj, më lejoni që sinqerisht të falënderoj në emrin tim personal, në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me këtë rast, dëshiroj t'ju informoj se të gjitha institucionet shtetërore dhe të gjithë faktorët shoqërorë dhe sektori joqeveritar, angazhohen në mënyrë altruiste dhe kontribuojnë në drejtim të bërjes së reformave në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ky proces nuk është aspak i lehtë megjithatë, kemi qëllim të qartë para vetes dhe dimë se çka duam të arrijmë, respektivisht, duam ta përmbushim qëllimin tonë strategjik moti të miratuar, anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Kjo do të thotë ndërtim të shtetit me të vërtetë demokratik me sundim të të drejtës dhe me institucione funksionale në shërbim të qytetarëve. Duke i pasur parasysh pengesat mirë të njohura, u përqendruam në mënyrë maksimale në përmbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e këtyre qëllimeve tona, nënshkruam Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe e nënshkruam Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit me emrin me Republikën e Greqisë. Nuk ishte aspak lehtë mirëpo, arsyeja, vizioni për ardhmëri të sigurt dhe prosperuese ngadhënjyen, ngadhënjyen për të mirën e qytetarëve, për të mirën e shtetit a edhe të gjithë rajonit. Qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropiane, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdoherë ishin pranë nesh miqtë dhe partnerët tanë të vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë.

Të nderuar deputetë,

Përpjekjet tona nuk ishin të kota dhe tani jemi në fazën e ecjes së kilometrave të fundit  para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raport me NATO-n, ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit 2020, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të  Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO do të ratifikohet në të gjitha 29 parlamentet nacionale dhe me këtë do të bëhemi anëtare e tridhjetë e plotfuqishme me të gjitha të drejtat dhe obligimet që i ka çdo anëtare e NATO-s. Protokollin e para e ratifikoi Republika e Greqisë që mandej ta hapë rrugën për të gjitha parlamentet tjera nacionale. Deri tani, Republika e Sllovenisë, Republika e Shqipërisë, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania dhe qe sot edhe Lituania e vulosën me vepër konkrete raportin e vet miqësor ndaj nesh. Republika e Maqedonisë së Veriut do e mbajë mend këtë akt përgjithmonë.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click