Udhëheqja parlamentare

E martë, 15 janar 2019

KONFERENCË PËR SHTYP E KRYETARIT TALAT XHAFERI

Të nderuar qytetarë, 
të nderuar përfaqësues të mediumeve, 

Më lejoni që t'ju drejtohem dhe nëpërmjet kësaj Konference për shtyp t'ju informoj për aktivitetet e fundit, gjegjësisht veprimet që zhvilloheshin në kuadër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht shtëpisë ligjvënëse, 

Shtëpisë Suaj, qytetarë të nderuar!

Besoj se tani më jeni të informuar, megjithatë dëshiroj që këtë ta bëj edhe kështu, zyrtarisht, që mos ketë asnjë dilemë. Mbrëmë, unë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit a në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, nënshkrova dy Dekrete të cilat mandej, bashkë me tekstet përkatëse i dërgova për publikim në Gazetën Zyrtare.

Dekreti i parë është Dekreti për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e nxori në seancën e mbajtur më 14 mars të vitit 2018 dhe i njëjti hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare.

Dekreti i dytë është Dekreti për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shfuqizimin e Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995, dhe për vendosjen e partneritetit strategjik ndërmjet palëve të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e nxori në seancën e mbajtur më 5 korrik të vitit 2018 dhe i njëjti hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën zyrtare.

Të dy Dekretet i dërgova në Gazetën zyrtare në bazë të Nenit 52 dhe Nenit 75, paragrafi 1 dhe 2 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, dhe me sqarim plotësues të arsyeve pse Dekreti është nënshkruar vetëm nga ana ime.

Në vazhdim të Konferencës për shtyp, vijonin pyetje gazetarësh, dhe në pyetjen e parashtruar të parë në lidhje me atë a konsideron se ka vepruar jashtë veprimeve dhe procedurave të përcaktuara në Kushtetutë, kryetari Xhaferi konfirmoi se prej fillimit të procedurës për nxjerrjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka vepruar në kuadër të veprimeve dhe procedurave të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Rregulloren për punë të Kuvendit. Përkundrazi, mund të konsiderohet se është keqpërdorur detyra zyrtare nga ana e Presidentit të Republikës me mosnënshkrimin e Dekretit për Ligjin. Sipas Nenit 8 të Kushtetutës, është e qartë ndarja e pushteteve në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Presidenti është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të përzihet në pjesën e pushtetit ligjvënës dhe mos e përmbushë obligimin vet. Kryetari i Kuvendit theksoi se nuk ndjen asnjë përgjegjësi për atë që i ka nënshkruar të dy Dekretet dhe se i ka dhënë kohë të mjaftueshme Presidentit të Republikës ti nënshkruajë, një vit prej votimit të Ligjit për gjuhët dhe gjashtë muaj prej votimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes.

Kryetari Xhaferi konsideron se Presidenti Ivanov i ka përzier këmbët në fund të mandatit të vet dhe se pushteti ligjvënës është ai që mund të kërkojë përgjegjësi prej Presidentit, e jo e kundërta. I pyetur për Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, kryetari u përgjigj se bëhen përpjekje të harmonizohen dispozitat e ligjit. afatet janë të shkurta, por shpallja e parë është kompetencë e kryetarit të Kuvendit dhe Ligji mund të nxirret në afatin e përcaktuar me qëllim që të formohet Komisioni për zgjedhjet presidenciale. Plani fillestar është që rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 14 prill ndërsa i dyti më 28 prill, mirëpo, mundet për shkak të festës së Pashkëve, të ndryshohet termini dhe zgjedhjet të mbahen më 21 prill, gjegjësisht rrethi i dytë më 5 maj. Në këtë rast, zgjedhjet do të shpalleshin më 8 shkurt. 21 prilli do të ishte data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme lokale në tre komuna ku aktualisht ka ushtrues detyre të kryetarit të komunës.

Në pyetjen për zgjedhje eventuale të parakohshme parlamentare, kryetari Talat Xhaferi u përgjigj:

"Unë jam kryetar i Kuvendit dhe nuk bëj kalkulime për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në rast se deputetët marrin vendim ta shpërbëjnë Kuvendin, kjo është çështje tjetër. Mendimi im është se është ide e gabuar kur të gjithë presim të përfundohen procedurat për pranim në NATO dhe për fillim të negociatave aderuese në BE, të bisedohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, është e drejta e tyre se si do të vendosin".

Click