HARMONIZIMI I LEGJISLACIONIT
Harmonizimi i legjislacionit të Republikës së Maqedonisë me të drejtën e UE-së, paraqet afrimin e zgjidhjeve të legjislacionit nacional me të drejtën e UE-së. Në kuadër të UE-së, harmonizimi por edhe unifikimi i të drejtës duhet ta mundësojë realizimin e hapësirës unike të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, si dhe tregun e unik të në të cilin pa pengesa realizohen funksionet ekonomike dhe të tjera të Unionit.
Obligimi për harmonizimin e legjislacionit të RM-së me të drejtën e UE-së, është inkorporuar në nenin 68 të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim. Me miratimin e Rregullores së re të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në qershor të vitit 2008, në nenin 135 është paraparë që përmbajtja e çdo propozim-ligji me të cilin bëhet harmonizimi, duhet të përmbajë edhe të dhëna për aktet burimore të Unionit Evropian , si shenjë që i bën të dallohen nga të tjerat.
Për procesin e suksesshëm të harmonizimit të legjislacionit të RM-së me të drejtën evropiane, për konsistencën, koordinimin dhe pasqyrën e qartë dhe monitorimin e procesit të afrimit të legjislacionit, në vitin 2000 është përgatitur Metodologjia dhe struktura e harmonizimit të legjislacionit nacional me atë të UE-së.
Sipas metodologjisë, procesi i harmonizimit ndahet në katër faza:
1. Faza përgatitore-vendosja e të gjitha institucioneve të nevojshme për realizimin e procesit, si dhe aktiviteteve me karakter teknik, si për shembull distribuimi dhe prezantimi i akteve juridike evropiane, në rajonet konkrete dhe prezantimi i parimeve për harmonizim në përgjithësi.
2. Faza analitike-përkthimi i akteve të nevojshme juridike evropiane në gjuhën maqedonase dhe inkorporomi i tyre në programin për afrimin e legjislacionit nacional me legjislacionin evropian, në pajtim me përparësitë e përcaktuara paraprakisht.
3. Faza e transponimit-elaborimi operativ i legjislacionit të ri, në pajtim me planin e përcaktuar paraprakisht. Në këtë fazë fitohet afrimi i vërtetë i legjislacionit maqedonase me atë të UE-së. Gjegjësisht, kjo është faza në të cilën ekspertët nacionalë dhe ekspertët e UE-së, doemos duhet t’i përgatisin projekt-ligjet e reja ose ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjeve ekzistuese ose akteve nënligjore, me qëllim që të arrihet kompatibiliteti ndërmjet rregullimit juridik në Republikën e Maqedonisë dhe legjislacionit të UE-së, dhe së fundi
4. Faza e implementimit-jo vetëm miratimi i ligjeve të reja në Kuvend ose ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve ekzistuese, por gjithashtu edhe implementimi adekuat i tyre në praktikë dhe administrimi me efektin që i kanë ato, në infrastrukturën ekzistuese institucionale.
Procesi i harmonizimit ka të bëjë me tërë acquis communitaire që në vetvete përmban shumë më tepër rregulla juridike. Harmonizimi ka të bëjë me kapitujt vijues:
1. Lëvizje e lirë e mallrave; 2. Lëvizje e lirë e punëtorëve; 3. E drejta e themelimit dhe liria e dhënies së shërbimeve; 4. Lëvizja e lirë e kapitalit; 5. Furnizimet publike; 6. E drejta e shoqërisë tregtare; 7. E drejta e pronësisë intelektuale;
8. Politika e konkurrencës; 9. Shërbimet financiare; 10. Shoqëria informative dhe mediet; 11. Bujqësia dhe zhvillimi rural; 12. Siguria e ushqimit, politika veterinare dhe fitosanitare; 13. Peshkataria; 14. Politika e transportit; 15. Energjetika; 16. Tatimimi; 17. Politika ekonomike dhe monetare; 18. Statistika; 19. Politika sociale dhe punësimi; 20. Ndërmarrja dhe politika industriale; 21. Rrjetat trans-evropiane; 22. Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore; 23. Jurisprudenca dhe të drejtat fondamentale; 24. Drejtësia, liria dhe siguria; 25. Shkenca dhe hulumtimi; 26. Arsimi dhe kultura; 27. Mjedisi jetësor; 28. Mbrojtja e konsumatorëve dhe mbrojtja shëndetësore; 29. Unioni doganor; 30. Marrëdhëniet e jashtme; 31. Politika e jashtme e sigurimit dhe mbrojtjes; 32. Kontrolli financiar; 33. Dispozita financiare dhe buxhetore; 34. Institucionet, dhe 35. Çështje tjera.
|
Deri në miratimin e Kushtetutës së Unionit Evropian, e cila do të duhej ta bashkonte dhe unifikonte sistemin e tërë juridik, legjislacioni i Unionit Evropian përbëhet nga legjislacioni parësor dhe dytësor si dhe nga burime tjera të Unionit Evropian.
Legjislacioni parësor bazohet në të gjitha marrëveshjet për themelimin e Bashkësisë me shtojcat dhe protokollet e tyre, dhe ndryshimet e plotësimet shtesë të të njëjtave (duke përfshirë edhe Marrëveshjet vijuese për aderim). Ato i përmbajnë dispozitat themelore për qëllimet e UE-së, organizimin dhe funksionimin e saj, si dhe pjesën më të madhe të së drejtës së saj ekonomike.
Legjislacioni dytësor ka të bëjë me aktet juridike, të cilat gjithashtu konsiderohen si burime të së drejtës së bashkësisë. Ato i janë Direktivat, Rregullativat, Vendimet dhe Rekomandimet e Mendimet.
-Direktivat nuk kanë për qëllim që t’i unifikojnë ligjet e shteteve anëtare, por t’i harmonizojnë, ashtu që dallimi i institucioneve nacionale dhe strukturave juridike mund të vazhdojë, në llogari të garancisë që gjithkund në bashkësi do të ekzistojnë kushte të njëjta materiale. Direktivat janë obliguese për shtetet anëtare lidhur me rezultatin që duhet të arrihet, por autoriteteve nacionale u mbetet që lirisht ta zgjedhin formën dhe metodën e legjislacionit, nëpërmjet të cilit do të arrihen efektet e dëshiruara në kuadër të periudhës së paraparë kohore.
-Rregullativat janë instrumente për unifikimin e rregullimit juridik në kuadër të UE-së, dhe paraqesin akte juridike të cilat zbatohen gjithkund në bashkësi. Ato janë obliguese në tërësi për të gjithë personat juridikë dhe entitetet, pa asnjë nevojë aktiviteti të autoriteteve nacionale. Ata kanë të drejtë që në çfarëdo mënyre të zgjedhin, interpretojnë ose të kryejnë çfarëdo lloj përjashtimesh lidhur me rregullativën. Aq më tepër, nëse ekziston ndeshje me ndonjë dispozitë nacionale, gjykatat e atij vendi në atë rast janë të obliguara që thjeshtë ta injorojnë legjislacionin nacionale dhe në tërësi ta zbatojnë rregullativën.
-Vendimet janë tërësisht të obligueshme për ata të cilëve u adresohen. Me ato UE-ja mund të kërkojë nga një shtet anëtar, por edhe nga cilido subjekt juridik që të kryejë ose të përmbahet nga çfarëdo lloj aktiviteti, ose mund t’u lejojnë të drejta konkrete ose t’u imponojë obligime të caktuara.
-Rekomandimet dhe mendimet janë akte juridike joobliguese, nëpërmjet të cilave institucionet e Bashkësisë mund ta shprehin qëndrimin e tyre para shteteve anëtare ose individëve, por me ato nuk imponohet asnjë obligim ose përgjegjësi për atë të cilit i drejtohen.
UNIONI EVROPIAN
Për Unionin Evropian
Unioni Evropian e paraqet integrimin unik të vendeve sovrane evropiane, të cilat bindshëm kanë vendosur që ta ndajnë ardhmërinë e përbashkët dhe ta bashkojnë një pjesë të sovranitetit të tyre nacional. Shtetet anëtare të UE-së, një pjesë të autorizimeve të tyre për marrjen e vendimeve ua delegojnë institucioneve evropiane, të cilat i kanë krijuar që të mundet vendimet për punë specifike me interes të përbashkët, të merren në mënyrë demokratike në nivel evropian.
Nocioni Union Evropian në përdorim zyrtar ka hyrë me Marrëveshje për Unionin Evropian (Mastriht, në vitin 1993), me të cilën u zëvendësuan tre integrimet juridike të shteteve të Evropës Perëndimore: Bashkësia Ekonomike Evropiane (EEC-European Economic Community), Bashkësia Evropiane për Thëngjill dhe Çelik (ECSC-European Coal and Steel Community) dhe Bashkësia Evropiane për Energji Atomike (EUROATOM- European Atomic Energy Community).
Procesi i integrimit evropian sot ka ndikim në tërë kontinentin, ndërsa ky është pjesë e botës e cila ndryshon shpejt dhe të cilës i nevojitet formë e re e stabilitetit.
Zhvillimi i qëndrueshëm, prirjet e popullimit, dinamika ekonomike, solidariteti social dhe përgjigjja e përparimit të shkencave, janë çështje të cilat nuk mund të zgjidhen me sukses në nivel nacional.
Sot, dekada e parë e shekullit 21 ofron ardhmëri më të ndritshme, por gjithashtu e ballafaqon Evropën me vështirësi dhe sfida të reja. Unioni Evropian është i hapur për çdo vend evropian që i plotëson kriteret demokratike, politike dhe ekonomike për anëtarësim. Zgjerimet e përforcuan demokracinë, e bënë Evropën më të sigurt dhe e zmadhuan potencialin e saj për tregti dhe zhvillim ekonomik. Institucionet e UE-së e dëshmuan vlerën e tyre, por ato doemos duhet të përshtaten që të mund të ballafaqohen me zgjerimin e Unionit, dhe me numrin gjithnjë më të madh të detyrave që ai duhet t’i kryejë. Çdo ndryshim përfundimtar i sistemit të tanishëm, doemos duhet që të sigurojë pluralizëm dhe respektim të dallimeve të cilat janë vlerat më të çmuara të popujve evropianë. Reformat doemos duhet të fokusohen edhe në procesin e vendimmarrjes.
Nga 1 janari, Unioni Evropian i ka 27 vende anëtare dhe më shumë se 500 milionë banorë.
Bashkëpunimi i vendeve anëtare bazohet në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit në kuadër të UE-së, pa kufizime në formë të doganave ose pengesave tjera. Me qëllim që kjo të funksionojë , UE e krijoi Tregun e brendshëm. Vendet anëtare të Unionit bashkëpunojnë edhe në sfera tjera: mbrojtje të ambientit jetësor, bujqësi, luftën kundër krimit të organizuar.
Bashkëpunimi i shengenit, njëkohësisht quhet edhe unioni i pasaportave të UE-së, që do të thotë se vendet të cilat marrin pjesë në të nuk kanë kontroll të pasaportave gjatë kalimit të kufijve në kuadër të territorit të shengenit. Shtetasit e një vendi të shengenit, nuk kanë nevojë për pasaportë gjatë udhëtimit në vende tjera të shengenit, mjafton që të mbajnë letërnjoftim nacional. Dispozitat e shengenit gjithashtu parashohin edhe bashkëpunim dhe koordinim më të afërt ndërmjet autoriteteve kufitare dhe doganore, organeve kompetente për dhënien e vizave, gjykatave dhe policive të vendeve anëtare. Një nga instrumentet kryesore për arritjen e këtij bashkëpunimi, është Schengen Information System, që paraqet bazë të gjerë të të dhënave nga tërë hapësira e shengenit.
Sfida kryesore është që të ruhet paqja dhe siguria edhe jashtë kufijve të Unionit Evropian. Që të ballafaqohet me këtë sfidë UE-ja zhvillon politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, që të mund të veprojë si fuqi e stabilitetit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në suaza botërore.
Rreth gjysma e vendeve anëtare të UE-së, marrin pjesë në Unionin monetar evropian. Në ato vende përdoret valuta e përbashkët euro. Vendet tjera anëtare ose nuk marrin pjesë ose nuk i plotësojnë kushtet për hyrje në unionin monetar.
Një vend anëtar nuk guxon t’i favorizojë prodhimet dhe shërbimet e veta. Doemos duhet që të mundësohet blerja dhe shitja e mallit në kushte të njëjta në tërë territorin e UE-së. Për këtë shkak, UE-ja ka një shkallë të përbashkët doganore dhe politikë unike tregtare.
Qëllimi i Politikës së përbashkët bujqësore të UE-së, është që të sigurohet bujqësi konkurruese dhe prodhimi i ushqimit të shëndoshë. Një pjesë e madhe e Buxhetit të UE-së, shpenzohet për politikën e bujqësisë.
Bujqësia, pylltaria dhe zhvillimi rural, janë kryesore për shfrytëzimin e tokës dhe për menaxhim me resurset natyrore, në territoret rurale evropiane. Përforcimi i politikës zhvillimore dhe rurale evropiane, parqet përparësi për UE-në.
UE-ja ka rregulla të përbashkëta për mbrojtjen dhe përmirësimin e ambientit jetësor, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe shfrytëzimin e drejtë të pasurive natyrore.
Vendet anëtare të UE-së, bashkëpunojnë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Ekzistojnë rregulla të përbashkëta për luftën kundër terrorizmit, tregtisë me drogë dhe pornografisë fëmijërore. Në luftën kundër krimit, bashkëpunojnë organet doganore, policore dhe prokuroritë publike të vendeve anëtare të UE-së.
Qëllimi kryesor i politikës së përbashkët imigruese, është që të përmirësohet menaxhimi me migrimin, nëpërmjet qasjes së koordinuar duke e pasur parasysh gjendjen demografike dhe ekonomike të UE-së.