Udhëheqja parlamentare

E enjte, 24 tetor 2019, Strasburg

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konferencën evropiane të kryetarëve të parlamenteve në temën "Shtëpia jonë e përbashkët evropiane: 70 vitet e ardhshme“

I nderuar kryesues, 
Kolegë të nderuar, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të uroj shënimin e 70 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, organizatës udhëheqëse për të drejtat e njeriut në kontinent, në të cilën janë anëtare 47 vende evropiane të cilat përveç asaj që gjenden në kontinent të përbashkët, kanë edhe një gjë të përbashkët dhe shumë të rëndësishme, respektivisht, janë nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila konventë në fakt është marrëveshje për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe sundimit të drejtës. Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare që nga viti 1995 dhe gjatë gjithë kohës bashkëpunon në mënyrë aktive me të gjitha organet e Këshillit të Evropës.

Prej themelimit të Këshillit deri tani, kanë ndodhur shumë ndryshime, si në planin politik, ashtu edhe në atë demografik. Ideja fillestare për Evropën si shtëpi e përbashkët e të gjithëve, mundet lirisht të thuhet se është zgjeruar jashtë kufijve të kontinentit evropian. Dhe pse mos jetë ashtu, kur parimet mbi të cilat funksionon dhe të cilat i proklamon Këshilli janë ato të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, organizatë në të cilën është anëtare pothuajse e gjithë bota. Bota në të cilën jetojmë dallon nga bota kur është themeluar Këshilli, por, themelet janë të njëjta demokratike dhe thelbësore, gjegjësisht, sundimi i të drejtës dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Me ç'rast, të gjithë njerëzit, pa përjashtim, kanë të drejtë jete në liri, jete dinjitoze në të cilën nuk do u mohohet e drejta në jetë të lirë, liria e lëvizjes, e punës dhje krijimit, realizimi i të drejtave dhe trajtim i drejtë dhe i barabartë para autoriteteve gjyqësore dhe institucioneve shtetërore. Që kjo të jetë kështu, nevojitet të respektohen të drejtat dhe parimet demokratike të cilat janë moti të vendosura dhe të pranuara nga vendet nënshkruese të konventave ndërkombëtare. Mirëpo, gjëja më e rëndësishme është kjo të respektohet dhe praktikohet prej të gjithëve. Për arsye se, realisht, të gjithë ne si qenie njerëzore, si individë, kemi veçoritë tona, karakteristikat tona, aspiratat dhe dëshirat, ndonjëherë reale, ndonjëherë mundet jo reale, mirëpo, me rëndësi është ato të jenë të bazuara mbi vlerat dhe parimet e përbashkëta. Mos lejojmë të ketë ndarje, mos lejojmë të ketë qytetarë të dorës së dytë, të tretë për shkak se, ushqimi i këtyre demonëve, mbështetja e liderëve të ri, kokëfortë dhe egocentrikë të cilët do e anashkalojnë të mirën e përgjithshme për arritjen e qëllimeve të veta egoiste, nuk do të sjellë asgjë të mirë për askënd. Dallimet janë të bukura vetëm kur janë pjesë e ndonjë mozaiku prej të cilit kompozohet një pikturë e tërë në të cilën nuk ka vija të ndarjes dhe përçarjes. Në të kundërtën, piktura do të jetë e zymtë dhe pikëlluese, përplot dhimbje për të cilën e di, gjeneratat e reja nuk e kanë të njohur dhe shpresoj se nuk do e njohin kurrë, mirëpo, të gjithë ne që dikur e kemi shijuar atë hidhësi, ose po e kanë jetuar dhe na e kanë rrëfyer baballarët ose gjyshërit tanë, kemi obligim moral që mos lejojmë ta ndjejnë as gjeneratat aktuale, as ato të ardhshme. Kemi obligim ti mësojmë të jetojnë njëri me tjetrin, jo njëri pranë tjetrit, të bashkëndjejnë me gëzimin, por edhe me dhimbjen e tjetrit për arsye se, para së gjithash, dhe mbi të gjitha, të gjithë jemi qytetarë të kësaj bote e cila sado që të duket e ndërlikuar dhe e vështirë, përsëri, nëse bazohet mbi vlerat e vërteta të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, mund të jetë shumë e thjeshtë dhe e bukur. Edhe qëllimi i themelimit të Këshillit të Evropës ka qenë pikërisht ky, të bashkohen dallimet, të respektohen veçoritë, mirëpo, të gjetet platformë e përbashkët mbi të cilën do të zhvillohen dhe avancohen bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet shteteve, popujve dhe njerëzve me qëllim të krijimit të një shtëpie më të bukur të përbashkët për të gjithë, shtëpi në të cilën secili do të ndjehet i barabartë dhe i mbrojtur, pa diskriminim nacional, racor, religjioz, ekonomik, social, kulturor, gjinor, seksual apo çfarëdo diskriminimi tjetër. Botë në të cilën secili ka mundësi të barabarta për arsimim, për shërim, për punë dhe për krijim, botë në të cilën secili ka të drejtë në mjedis të pastër jetësor dhe ajër të pastër. Po a ekziston diçka më e bukur sesa qytetarë të kënaqur të cilët vendin e vet e ndjejnë si shtëpinë e vet, punojnë dhe kontribuojnë për përparimin dhe zhvillimin  e tij.

Të nderuar,

Republika e Maqedonisë së Veriut, qytetarët e saj, institucionet shtetërore dhe publike, faktorët politikë në pushtet dhe opozitë, sektori joqeveritar dhe i gjithë potenciali njerëzor, nëpër të gjitha periudhat turbulente të cilat si duket janë pjesë përbërëse e territorit të Ballkanit, gjithmonë kanë qenë konsekuent ndaj Konventave të ratifikuara universale për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ato janë pjesë përbërëse e Kushtetutës të vendit prej pavarësimit të tij dhe respektohen plotësisht, për arsye se kjo është garanci për paqen në shtëpi, për sigurinë e rajonit dhe më gjerë të botës. Republika e Maqedonisë së Veriut punon shumë në fushën e avancimit dhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore për shkak se besojmë se bashkë si rajone, mund të dërgojmë mesazhe të shumëfishta të bashkimit dhe të fuqisë për ballafaqim me kanosjet bashkëkohore të cilat pa seleksionim trokasin në derën e secilit, qoftë shtet më i vogël apo më i madh. Globalizimi, avancimi teknologjik dhe shfrytëzimi gjithnjë më i vëllimshëm i mediumeve sociale si mjet komunikimi, për përhapjen e informatave të rrejshme apo të vërteta, për krijimin e politikave dhe ndërtimin e opinionit publik në mënyrat dhe metodat gjithnjë më të sofistikuara, kërkon prej nesh të hulumtojmë dhe të gjejmë metoda më efektive për parandalimin e dëmeve që mund ti shkaktojë ky lloj i veprimit destruktiv. Ruajtja e kësaj paqeje dhe sigurimi i kushteve dinjitoze për jetë është obligimi ynë.

Zonja dhe zotëri,

Besoj se të gjithë jeni tani më të informuar, të vetëdijshëm për ngjarjet fundit në raport me pritjet tona për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, diçka që për fat të keq nuk u realizua edhe përskaj disa raporteve të njëpasnjëshme në të cilat notohej avancimi pozitiv i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Edhe gjatë Samitit të BE-së u konfirmua e njëjta nga vendet anëtare të BE-së se ne e përmbushëm në mënyrë konsekuente detyrën tonë të shtëpisë, mirëpo, këtu pushon hapësira jonë e manovrimit (të shprehem në mënyrë ushtarake). E kemi të njohur parimin e marrjes së vendimit në BE, respektivisht kjo doemos të jetë me konsensus të gjitha vendeve anëtare. Nëse parashtrohet pyetja nëse argumentet për mos ndarjen e datës mbajnë apo jo, unë do të përmbahem nga komentimi. Mirëpo, nëse pyeteni se si dhe cilës rruge do të vazhdojmë prej këtu e tutje, mund tu them lirshëm dhe me siguri se - për ne nuk ekziston alternativë tjetër përveç asaj që është nënvizuar prej pavarësimit të vendit, gjegjësisht, anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO,  vazhdim edhe më i zellshëm i reformave, për të mirën e qytetarëve tanë, për përparimin dhe për zhvillimin e vendit tonë, për Evropë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Kolegë të nderuar, ju faleminderit për vëmendjen!

Click