Udhëheqja parlamentare

E hënë, 19 qershor 2017, Riga          

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Forumin Parlamentar të Sigurisë

Të nderuar kolegë të parlamentit të Letonisë, 
I nderuar Kongresmen Pitinxher, 
Zonja dhe zotërinj,

Për mua është kënaqësi e madhe të marr pjesë në këtë Forum Parlamentar të Sigurisë, Forum me renome dhe lartë i respektuar, i cili në vazhdimësi mbahet pothuajse një dekadë me iniciativë të përbashkët dhe sinergji të kongresit amerikan dhe parlamenteve nacionale të më shumë se 30 shteteve. 

Temat për debate që i kemi para nesh e pasqyrojnë jo vetëm gjendjen aktuale të sigurisë botërore, por gjithashtu i prekin edhe proceset e përforcuara të globalizmit dhe zhvillimit teknologjik që pas Luftës së Ftohtë në mënyrë dramatike e kanë ndryshuar konceptin e përgjithshëm të sigurisë. Pavarësisht leksioneve të mësuara dhe përvojës së fituar, siguria në shekullin 21 bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Në këtë drejtim ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme edhe shpërbërja e bllokut komunist, me çka në skenën ndërkombëtare u hapën dyer për marrëdhënie të reja. 

Sot sfidat e sigurisë në botë rrjedhin nga burime të ndryshme. Zakonisht ato janë pasojë e dallimeve sociale, fetare, ekonomike, shkencore dhe teknologjike. Nga ky spektër i gjerë i sfidave, veçanërisht jemi të shqetësuar nga terrorizmi ndërkombëtar, përhapja e armëve të shkatërrimit masiv, konfliktet religjioze dhe fetare, krimi i organizuar dhe krimi kibernetik. Pasi këto kërcënime janë trans nacionale, asnjë vend nuk mundet me sukses t’i përballojë ato vetë. Edhe pse çdo vend ka nevojë për doktrinë të sigurisë dhe strategji operative për mbrojtjen e interesave dhe vlerave themelore dhe sigurinë e informacioneve, njëkohësisht është e nevojshme edhe një përgjigje e koordinuar globale që paraqet sfidë të madhe plotësuese në aspektin financiar dhe operativ. 

Sot, pasi një pjesë e madhe e operacioneve të përditshmërisë mbështeten në teknologjitë informative, çështjet e sigurisë bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme.  Hapësira kibernetike e ka transformuar në mënyrë thelbësore ekonominë globale dhe mënyrën tonë të jetës, duke mundësuar qasje të drejtpërdrejtë te informacionet anembanë botës, komunikim dhe mundësi të reja ekonomike, por njëkohësisht ka hapur edhe terren të ri për betejë, që mund ta rrezikojë sigurinë nacionale, ekonominë dhe qytetarët. Qëllimet kryesore të sigurisë kibernetike janë të një diapazoni të gjerë: parandalimi i vjedhjes së identitetit të huaj, parandalimi i spiunazhit industrial – keqpërdorimi i informacioneve delikate të biznesit, parandalimi i rrjedhjes së informacioneve më të besueshme në lidhje me sigurinë shtetërore. Pasojat kolektive të këtyre llojeve të sulmeve krijojnë ndjenjë të cenueshmërisë, por edhe e ngritin vetëdijen nacionale për nevojën e edukimit të përforcuar në fushën e sigurisë së informacionit. 

Të nderuar kolegë,

Si parlamentarë kemi përgjegjësi të përbashkët për ta përforcuar kornizën legjislative në aspektin e sigurisë kibernetike dhe të vendosim mekanizma institucionale që do të mundësojnë përgjigje efektive dhe veprim të koordinuar në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar. Për ta mbrojtur hapësirën kibernetike doemos duhet të sigurohet prioritet i lartë i koordinimit të strategjive nacionale për siguri, bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat, si dhe përfshirja e qytetarëve dhe gjitha palëve të prekura. 

Praktika tregon se menaxhimi i çështjeve të sigurisë kibernetike, ruajtjes së informacioneve virtuale të karakterit strategjik, si dhe mbrojtja nga spiunazhi dhe krimit onlajn janë detyra mjaft të komplikuara që bartin sfida të caktuara. Për ti mbrojtur vlerat demokratike dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe privatësinë, imponohet nevoja për ndërtimin e partneriteteve më të fuqishme me anë të ndarjes ndërkombëtare të informacioneve ndërmjet shteteve rreth kërcënimeve ekzistuese në hapësirën kibernetike. 

Republika e Maqedonisë është në proces të përgatitjes së strategjisë nacionale për mbrojtjen kibernetike, ku janë përfshirë të gjitha institucionet relevante qeveritare dhe akademike. Gjatë këtij procesi, debatojmë për praktikat më të mira dhe qasjet inventive për zhvillimin e sigurisë kibernetike, si dhe mbledhjen e përvojave nga vendet që tani më kanë hartuar strategji të tilla, për t’ju përgjigjur të gjitha sfidave nga sfera e sigurisë kibernetike si në shtetin tonë, ashtu edhe në rrethin rajonal dhe ndërkombëtar. 

Në fund, më lejoni që ta riafirmoj angazhimin dhe gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë si vend aspirant për anëtarësim në NATO për zhvillimin e të gjitha kapaciteteve të domosdoshme për tu ballafaquar me këto sfida në kontekst lokal dhe regjional. Besoj se vetëm me mbindërtimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të saj, Republika e Maqedonisë do të arrijë me sukses ta ruajë nivelin e nevojshëm të harmonizimit me standardet që kërkohen edhe për vendet anëtare të NATO-s edhe për vendet partnere.   

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click