Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 29 maj 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Seminarin special për Republikën e Maqedonisë së Veriut në temën "Hapat e ardhshme drejt NATO-s" 

Kolegë të nderuar, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në fillim t'ju uroj mirëseardhje në shtëpinë tonë ligjvënëse dhe të shpreh kënaqësinë që sot jam pjesë e këtij Seminari special për Republikën e Maqedonisë së Veriut me temën "Hapat e ardhshme drejt NATO-s". Më lejoni gjithashtu ta përshëndes prezencën e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Qendrës Xhorxh Marshal dhe prezencën e ambasadorëve të nderuar. Evenimenti i sotëm është indikator i qartë se ndajmë qëllime të njëjta dhe vlera të njëjta, dhe kjo është arritja tani më qartë e dukshme e anëtarësisë së plotfuqishme në NATO, ndërsa vlerat themelore në të cilat besojmë janë paqja, stabiliteti, lufta kundër çdo lloji të terrorizmit, sundimi i të drejtës, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe përforcimi i proceseve demokratike.

Miq të nderuar,

I përmenda këto vlera dhe standarde për arsye se janë pikërisht këto vlerat dhe standardet e Aleancës së NATO-s. Gjegjësisht, të gjithë e dimë se NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake por, që të bëheni anëtare e NATO-s, doemos duhet ti ndani dhe zbatoni të gjitha këto vlera dhe standarde. Me këtë rast, dua veçanërisht të theksoj se procesi i ratifikimit të Protokollit për aderimin tonë në NATO shkon me një dinamikë të mirë, në qershor presim që Senati amerikan ta ratifikojë protokollin dhe unë jam i sigurt se që këtë vit, ne edhe formalisht do të bëhemi anëtar i plotfuqishëm i Aleancës NATO. Respektivisht, në Samitin e NATO-s në Londër në dhjetor, flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të valojë në shtizë bashkë me flamujt tjerë të vendeve anëtare të aleancës si anëtare e tridhjetë.

Me këtë, një nga dy përcaktimet tona strategjike, respektivisht anëtarësimi në NATO dhe BE është realizuar, dhe unë shpresoj se këtë vit do i fillojmë edhe negociatat për integrimin në BE. Nuk do të flas për përfitimet që si shtet dhe si shoqëri do i kemi me anëtarësimin tonë në NATO, për arsye se për këtë është folur shumë. Dua të theksoj se me anëtarësimin tonë në NATO, nuk përfundojnë "detyrat tona shtëpiake". Përkundrazi, anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO imponon gjithashtu shumë punë, në shtëpi, në rajon, a edhe në strukturat e Aleancës së NATO-s. Tani nuk do të ndalem në sistemin e mbrojtjes, dhe në këto suaza edhe në Armatën tonë, edhe pse ajo problematikë është e përafërt për mua, duke e pasur parasysh arsimin tim ushtarak, karrierën time oficere dhe detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Do të përqendrohem në pjesën civile, dhe në këto korniza në rolin e Kuvendit. Reformat që i kemi filluar dhe që i përfshijnë pothuajse të gjitha segmentet e jetës shoqërore, doemos duhet  të vazhdojnë. Siç e dini, na presin reforma në gjyqësi, në administratën shtetërore, në sistemin e sigurimit dhe ashtu më tutje. Të gjitha këto reforma kalojnë nëpër Kuvend përmes procesit ligjvënës. Si Kuvend, e kemi patjetër që edhe më tutje të punojmë në përforcimin e procesit ligjvënës përmes transparencës së tij më të madhe dhe inkuadrimin e opinionit ekspert dhe sektorit joqeveritar. Por, me këtë nuk përfundon roli i Kuvendit. Gjegjësisht, si anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne duhet patjetër ta përforcojmë rolin mbikëqyrës nëpërmjet të cilit shihet se sa këto reforma janë zbatuar në jetën e përditshme reale të qytetarëve, gjegjësisht sa ato kontribuojnë në funksionalitetin e vërtetë të institucioneve shtetërore. Me këtë rast mendoj edhe për strukturat e sigurisë, si të policisë, ashtu edhe të Armatës. 

T'ju rikujtoj se nëpërmjet Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku disa herë kemi qenë mikpritës të seminareve Ros-Rot, mundemi në njërën anë të këmbejmë përvoja për shumë çështje, por edhe të ofrojmë zgjidhje tona të mira për çështje të caktuara.

Jetojmë në rajon në të cilin luftohej deri para vetëm dy dekadave dhe në të cilin ishte patjetër të intervenojë edhe Aleanca e NATO-s për të vendosur paqe. Sot, ardhmërinë e vet, edhe si rajon edhe çdo shtet veçmas e shohim në Evropën e Bashkuar dhe pothuajse të gjitha vendet në rajon janë përcaktuar për anëtarësim në NATO. Pikërisht për këtë arsye, si shtet doemos të vazhdojmë të japim kontribut në ruajtjen e këtij stabiliteti dhe në zhvillimin e perspektivës euroatlantike të rajonit. Mendoj se me Marrëveshjen për miqësi me Republikën e Bullgarisë dhe me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë fqinje, jo vetëm që i hapëm dyert e NATO-s dhe BE-së për ne por, dhamë kontribut të madh edhe për perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit.

Zonja dhe zotëri,

Paqja është kategori e pandashme, a edhe sfidat që mund ta çrregullojnë atë paqe janë gjithnjë e më shumë të pandashme. Lufta në Siri dhe në përgjithësi jostabiliteti në Lindjen e Afërme shkaktuan valë të jashtëzakonshme migrante e cila na prek të gjithë ne dhe të cilën duhet ta zgjidhim bashkë. Ngjashëm është edhe me luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe ashtu më tutje. Prandaj na nevojitet bashkëpunim shumë më efikas ndërmjet gjithë shteteve, jo vetëm në rajon por shumë më gjerë. Mendoj se këtu mund të kemi ndihmë të madhe nga NATO-ja a para së gjithash nga Këshilli Veri-Atlantik, që është organi suprem politik. Dhe, kur veç më e përmenda, t'ju rikujtoj se në fillim të qershorit në Shkup na vjen Sekretari i përgjithshëm i  NATO-s, i nderuari Jens Stoltenberg dhe anëtarët e Këshillit Veri-Atlantik. E dini se me këtë organ suprem politik të NATO-s kryeson Sekretari i përgjithshëm i cili i merr edhe vendimet më të rëndësishme. Më tutje, i mbikëqyr proceset politike dhe ushtarake që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes që kanë të bëjnë me gjithë Aleancën. I bashkon përfaqësuesit e çdo vendi - anëtar, për çdo çështje që kërkon vendim kolektiv dhe siguron forum për konsultime të gjera ndërmjet anëtarëve, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë. Mendoj se kjo ardhje e parë e Këshillit Veri-Atlantik në krye me Sekretarin e përgjithshëm, nuk është vetëm vizitë protokollare apo kurtuazie, këtu ka para së gjithash domethënie thelbësore e cila ka të bëjë me veprimin tonë të ardhshëm si anëtar i NATO-s. Besoj se edhe seminari i sotëm do të japë kahe dhe ide shumë konkrete për hapat tona të ardhshme në NATO, si anëtare e barabartë e cila është e vetëdijshme për obligimet e veta ndaj Aleancës dhe ndaj gjithë anëtarëve të saj. A, siç thashë në fillim, Kuvendi ka qenë dhe mbetet në suazat e kompetencave të veta kushtetuese, të punojë në proceset e integrimeve euroatlantike. Këtë ua kemi borxh para së gjithash qytetarëve tanë, ky është obligimi ynë edhe ndaj gjeneratave të ardhshme.

Ju faleminderit  për vëmendjen! 

Click