Udhëheqja parlamentare

E premte, 14 dhjetor 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Shënimin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Republikës së Maqedonisë 

Të nderuar kolegë deputetë, 
E nderuar ambasadore Gallovej,  
Të nderuar Shkëlqesi,
E nderuar z-nja Sekretar i përgjithshëm,
Të nderuar përfaqësues të Vestminster Fondacionit për Demokraci, 
Të nderuar mediume, 
Zonja dhe zotëri

Jam i nderuar që sot jemi tubuar këtu të gjithë së bashku të shënojmë në mënyrë solemne por edhe pune 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Republikës së Maqedonisë. Bëhet fjalë për marrëdhënie diplomatike me shtet që është djepi i demokracisë parlamentare, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe një nga shtetet më të zhvilluara ekonomikisht. Mënjanë e gjithë kjo, për ne është shumë e rëndësishme ajo që në këto 25 vite, Britania e Madhe ka qenë çdoherë mik i vërtetë dhe përkrahës i Republikës së Maqedonisë në të gjitha përpjekjet e saj në të gjitha planet, qoftë nëse bëhet fjalë për planin ndërkombëtar, qoftë për dhënien e ndihmës së gjithanshme në proceset e tranzicionit, veçanërisht në përforcimin e demokracisë, kuptuar në kuptimin më të gjerë të fjalës. Në planin ndërkombëtar, Britania e Madhe është mbështetës aktiv i përcaktimit tonë për integrimet euroatlantike, respektivisht anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në NATO dhe BE. Më lejoni t'ju përkujtoj vizitën e kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, z-njës Tereza Mej në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në muajin maj të këtij viti, kur kishim nderin të jemi mikpritësit e saj dhe kishim mundësi për bisedë të hapur dhe konstruktive. E kujtoj përkufizimin e saj për atë se çfarë do të thotë parlament i suksesshëm dhe do të provoj ta interpretoj: "parlamentet më të suksesshme kanë dy punë të përbashkëta: e para është se, janë vende ku qytetarët kanë qasje të lirë te përfaqësuesit e vet dhe janë në dijeni se çfarë punë bëhet në emër të tyre; e dyta është se, parlamentet duhet të jenë vende ku deputetët janë në pozitë dhe kanë vullnet ta sfidojnë Qeverinë dhe institucionet tjera publike me çështje të aktiviteteve dhe politikave të tyre.  

Do të isha jomodest nëse them se ne si Kuvend i kemi realizuar këto parime në tërësi, megjithatë, me kënaqësi të madhe mundem dhe dua të theksoj se kjo përbërje mandatare e ktheu Kuvendin në rrugën e vërtetë të realizimit të principeve që i sugjeroi kryeministrja britanike, e nderuara Tereza Mej. Në të njëjtën kohë, shumica parlamentare, besoj edhe opozita, do e japin maksimumin e vet që Republika e Maqedonisë shumë shpejt të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe ti fillojë me sukses negociatat për anëtarësim në BE dhe kjo do të thotë se duhet ne si Kuvend ti rrumbullakojmë proceset e filluara dhe ti përmbushim obligimet tona që rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës. 

Zonja dhe zotëri, 

Siç përmenda në fillim, për ne si demokraci e re është sidomos e rëndësishme ndihma me të cilën përforcohet kapaciteti i parlamentit edhe atë, si në procedurat e nxjerrjes së ligjeve, ashtu edhe në funksionin e tij mbikëqyrës. Dhe gjithsesi, me këtë rast nuk e harrojmë hapjen dhe transparencën ndaj qytetarëve, ndaj sektorit joqeveritar dhe ndaj gjithë subjekteve shoqërore. Pikërisht për këto çështje, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, prej vitit 2008 në vazhdimësi është i pranishëm Vestminster Fondacioni për Demokraci, i cili bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, nëpërmjet ambasadës në Shkup, ishte bartës i më shumë projekteve lidhur me realizimin e proceseve të demokracisë parlamentare, si edhe përforcimin e kapacitetit të deputetëve dhe administratës së Kuvendit. Do të bëj një retrospektivë të vogël. Gjithçka filloi me programin e quajtur Vilton Park, në vitin 2008. T'ju rikujtoj se në shtator të vitit të kaluar, me përfaqësuesit e Vestminster Fondacionit për Demokraci dhe ambasadorin e atëhershëm të Britanisë të Madhe, SH.T.Z. Çarls Garet nënshkrova në emër të Kuvendit Memorandum për bashkëpunim. Atëherë potencova se ky Memorandum është edhe një vërtetim për angazhimin e shprehur qartë për rritjen e dinamikës në zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë, sundimin e të drejtës dhe mbi të gjitha, përforcimin e rolit, por edhe përgjegjësisë së Kuvendit. Me këtë rast, theks i veçantë u vu mbi planifikimin strategjik, mbikëqyrjen financiare, buxhetimin, por edhe hapjen dhe transparencën në punën e Kuvendit si institucion. Në bazë të këtij Memorandumi, kishim konferencë të suksesshme pune në Vilton Park, në të cilën edhe pushteti edhe opozita, e dhanë kontributin e vet jomohues. Në shkurt të këtij viti, në organizim të Vestminster Fondacionit për Demokraci, ishim mikpritës të konferencës interparlamentare të shteteve kandidate për anëtarësim në BE, në të cilën debatohej për kontrollin e parlamenteve mbi mjetet buxhetore, si edhe për pavarësinë buxhetore të parlamenteve. Me Memorandumin që e nënshkruajmë sot me Vestminster Fondacionin për Demokraci, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë të Madhe dhe Komonveltit, të përfaqësuar nga Shkëlqesia e Saj, ambasadorja Rejçëll Gallovej, theksi është vënë mbi disa aspekte të rëndësishme të funksionimit të Kuvendit si institucion i pavarur, edhe atë: mbikëqyrja financiare; mbikëqyrja postligjvënëse; inkuadrimi i institucioneve të pavarura dhe agjencive rregullatore në proceset e mbikëqyrjes, ndërsa ajo që dua veçanërisht ta theksoj është inkuadrimi i publikut në dialogun dhe në krijimin e politikave. Gjithsesi se me Memorandumin mund të përfshihen edhe çështje tjera në interesin tonë, ndërsa programi do të zgjasë minimum deri më 31 mars të vitit 2021 dhe të nënvizoj se është i financuar nga ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup. 

Zonja dhe zotëri, miq të nderuar,

Me të vërtetë është e këndshme ndjenja kur keni miq të cilët duan të ndihmojnë sinqerisht, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore në këto 25 vite u tregua si mik i madh dhe i vërtetë. Përsëri, patjetër ta kemi ndërmend edhe atë mençurinë popullore se, së pari duhet ti vetë ti ndihmosh vetes, nëse dëshiron që edhe tjerët të të ndihmojnë. Unë besoj se kjo përbërje parlamentare dëshiron dhe ka kapacitet ti përmbushë obligimet e veta, sidomos ta përfundojë procesin e ndryshimeve kushtetuese me çka do të hapet rruga për fazat e ardhshme, që më në fund pastaj të bëhemi anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe të presim hapje të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. 

Në fund, dua që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, edhe njëherë të shpreh falënderim ndaj Qeverisë së Britanisë së Madhe, ndaj ambasadës në Shkup dhe gjithsesi ndaj Vestminster Fondacionit për Demokraci për gjithë ndihmën që këto 25 vite ia japin Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Jam i bindur se në të ardhme, marrëdhëniet lartë të zhvilluara me Britaninë e Madhe në të gjitha fushat, edhe më tutje do të zhvillohen dhe mbindërtohen, që është në interesin tonë të përbashkët. 

Ju faleminderit!

Click