Aktivitetet



E enjte, 2 korrik 2009

KRYESIMI SUEDEZ ME BE-në PARA SFIDAVE TË MËDHA

Pas përgatitjeve më se dyvjeçare, Suedia e mori dje kryesimin me Bashkimin Europian. Në Stokholm, Kryeministri suedez, z. Frederik Rejnfelt, e priti Kryetarin e Komisionit Europian z. Zhoze Manuel Baroso. Festimet ceremoniale u mbajtën në muzeun Skansen, ku ishin prezent edhe mbreti i Suedisë, Karl Gustavi XIV. Pritet që ky vend skandinav, gjatë mandatit të tij gjashtëmujor, të realizojë mbi 3.000 takime, shumica e të cilave në Bruksel dhe Luksemburg, por edhe mbi njëqind takime në qytetet e tij.

- Bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë suedeze dhe Komisionit Europian është i shkëlqyeshëm. Me marrjen e kryesimit pason dhe përgjegjësi e madhe. Detyra jonë është të veprojmë në interes të gjithë Bashkimit Europian. Kryesimi nuk është obligim vetëm i Qeverisë, por i gjithë Suedisë, deklaroi z. Rejnfelt.

Ai nënvizoi që kryesimi suedez më BE-në gjendet para sfidave të mëdha, që nuk janë fare të lehta.

- Europa dhe bota, gjenden në krizën më serioze ekonomike të periudhës moderne. Si bartës të kryesisë, prioritet yni edhe më tutje do të jetë lufta kundër krizës ekonomike dhe ballafaqimi me papunësinë që e përfshiu Europën. Ne do të bëjmë gjithëçka është në fuqitë tona që në dhjetor, në Kopenhagë, të arrihet marrëveshje ndërkombëtare për klimën, theksoi kryeministri suedez.

Z. Frederik Rejnfelt u shpreh se është i vetëdijshëm që e marrin kryesimin me BE-në në kohën e një numri të ndryshimeve institucionale. Parlamenti i sapozgjedhur europian do të fillojë me punë dhe do të zgjidhet Komisioni i ri. Aty edhe nuk është e sigurt a do të hyjë në fuqi në vjeshtë Marrëveshja e Lisbonës. Këto janë çështje të rëndësishme të cilat duhet të përballen me qëllim krijimin e stabilitetit dhje efektivitetit në punën e ardhshme të Bashkimit Europian.

- Shpresojmë që në BE do të zhvillohet bashkëpunimi në fushën e gjyqësisë dhe Punëve të brendshme, në pajtim me programin e Stokholmit. Qëllim tjetër i BE-së është të miratohet strategji e cila do ta forcojë bashkëpunimin në mbrojtjen e ambientit në rajonin e Detit Baltik. Ne do të vazhdojmë të punojmë në forcimin e politikës së BE-së në marrëdhëniet me vendet fqinje në jug dhe në lindje. Vazhdimi i procesit të zgjerimit është po aq i rëndësishëm sa edhe sigurimi i paqes dhe përparimit në një Europë të bashkuar – shtoi Kryeministri i Suedisë.

Z. Zhoze Manuel Barosso theksoi që slogani i Suedisë – “T’u dalim para sfidave”, shpjegon gjithçka. Ai beson që ka shumë për të bërë dhe se do të ketë përparim deri në fundin e vitit, kur skadon mandati suedez.

- Gjashtë muajt e ardhshëm paraqesin mundësi të mirë që të përgatitemi për të ardhmen, të përgatitemi për një ekonomi të re. Ne duam një Europë të mundësive, përgjegjësisë dhe solidaritetit, Europë të zhvillimit inteligjent ekologjik, Europë me rregullim dhe mbikëqyrje më etike dhe më efektive të tregjeve financiare, Europë e cila ka një treg të përbashkët, deklaroi Kryetari i Komisionit Europian.

Click