Aktivitetet



E hënë, 30 nëntor 2009

MAQEDONIA E MORI LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë së vendeve-anëtare të Unionit Evropian, në preskonferencën në Bruksel, e konfirmoi liberalizimin vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, i cili do të startojë më 19 dhjetor të këtij viti. Me vendimin plotësohet Rregulativa 539/2001 e UE-së, përkatësisht këto tre vende ballkanike kalojnë nga shengen-lista "e zezë” në "të bardhë’’.

"Qytetarët e këtyre vendeve të cilët duan t'i festojnë Krishtlindjet me shokët dhe familjet e tyre në hapësirën e Shengenit, tani mund ta bëjnë atë pa nevojën e nxjerrjes së vizave. Lidhjet ndërmjet këtyre tre vendeve dhe UE janë forcuar me këtë vendim, i cili është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve tona. Me padurim e pres ditën kur do të mund të marrim vendim për t'u liruar nga vizat për Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën’’, deklaroi ministri suedez i politikës së migracionit, z.Tobias Bilstrom.
Vendimi është marrë me shumicë të kualifikuar, përkatësisht me përkrahjen e dy të tretës së vendeve-anëtare të UE, e në pajtim me të, pa viza do të mund të udhëtojnë vetëm personat të cilët posedojnë dokumente biometrike të udhëtimit. Për qytetarët me pasaporta të vjetra do të vlejnë kushtet për regjim të lehtësuar të vizave dhe ata duhet të deponojnë vizë të vlefshme të Shengenit.

Liberalizimi i vizave do t'u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë të udhëtojnë në 25 vende prej 27 vendeve-anëtare të UE-së (me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës) edhe në tre vende evropiane-Norvegji, Zvicër dhe Islandë, si dhe në Bullgari dhe Rumani edhe pse ato nuk janë pjesë  hapësirës së Shengenit.

Regjimi pa viza nuk do të thotë mundësi për qëndrim ose punë të pakufizuar në vendet e UE-së. Shtetasit e Maqedonisë do të lirohen nga viza e tipit "C’’ që ka të bëjë me qëndrim të shkurtër, për udhëtime turistike më së shumti deri në 90 ditë në afat prej gjashtë muajsh, përkatësisht deri në 180 ditë në afat prej një viti.

Për qëndrim më të gjatë në UE do të nevojitet vizë e tipit "D’’ që ka të bëjë edhe me qëndrim studimi ose pune në Union, ndërsa aplikohet në ambasadën e vendit-destinacion.

Më 12 nëntor 2009 Parlamenti Evropian me 550 vota "për’’, 51 "kundër’’ dhe 37 "të përmbajtur’’ e miratoi Rezolutën, me të cilën propozohet heqja e vizave për shtetasit e tre vendeve ballkanike nga 19 dhjetori 2009. Paraprakisht, rekomandim për heqjen e regjimit të vizave për tre vendet më 15 korrik 2009 dha edhe Komisioni Evropian.


 

Click