Aktivitetet



E enjte, 17 shtator 2009, Parlamenti Evropian

MAQEDONIA I PLOTËSOI KUSHTET PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Pjesa më e madhe e grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian e përkrahën propozimin për liberalizimin e vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.  Eurokomisionari   për punë të brendshme, z. Zhak Baro dhe ministri suedez për çështje evropiane Sesilija Malmstrom, para eurodeputeteve në Strasburg kumtuan se këto tri vende të Ballkanit Perëndimor i kanë të gjitha gjasat që nga 1 janari i vitit 210  të përfshihen në zonën shengen të Unionit Evropian.

,,Sipas analizave të Komisionit Evropian, mund të themi se Maqedonia i plotësoi të gjithë kërkesat për liberalizim të vizave. Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë përparim të konsiderueshëm, por Serbia ka edhe shumë punë, posaçërisht rreth dokumentacionit të banorëve të Kosovës, si dhe me ata që kanë prejardhjen nga Kosova dhe jetojnë jashtë shtetit.  Pika tjetër është administrimi i kufirit me Kosovën, si dhe raportet me EULEKS-in. Mali i Zi duhet të gjejë zgjidhje për çështjen e personave të zhvendosur”, u shpreh z. Zhak Baro .

Sesilija Malmstrom, përsëri, potencoi se procesi i  liberalizimit të vizave do t’i përforcojë marrëdhëniet mes popujve të këtyre vendeve me popujt e Unionit Evropian.

Hyrja në hapësirën shengen, e përbërë nga 25 shtete, është e rregulluar me regjim të përbashkët të vizave të UE-së. Pas dritës së gjelbër nga Këshilli, Komisioni në korrik miratoi propozimin për ndryshimin e dispozitave ekzistuese të vizave për Ballkanin Perëndimor. Komisioni u shpreh se Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet që janë parashtruar në reglamentin e përgjithshëm për viza në lidhje me sigurinë e dokumenteve, imigrimit ilegal, rendit shoqëror dhe sigurisë. Serbia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar shumë nga kushtet dhe janë afër qëllimit nga të tjerët. Për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën bisedimet për liberalizimin e regjimit të vizave do të vazhdojnë edhe më tej dhe Komisioni do t’i rrisë përpjekjet që t’u ndihmojë edhe këtyre vendeve.

Europarlamenti tashmë punon në raport-rezolutën për liberalizimin e vizave, për të cilën do to votohet më datë 24 nëntor, ndërsa fjalën përfundimtare do ta japë Këshilli Evropian.

Click