Aktivitetet



E hënë, 21 dhjetor 2009

MBLEDHJA E DYZETEPESTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për financim dhe buxhet, në Mbledhjen e dyzetepestë, të mbajtur më 17 dhjetor 2009, si trup pune amë shqyrtoi:

1. Propozim-ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2010 (në procedurë të shkurtuar);
2. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhet (në procedurë të shkurtuar);
3. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e njësive të vetadministrimit lokal (në procedurë të shkurtuar);
4. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontributet nga sigurimi i obliguar social (në procedurë të shkurtuar);

Arsyetim hyrës në lidhje me Propozim-ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2010 dha zëvendësministri i Financave, z. Nedim Ramizi.

Ai theksoi se me këtë ligj së afërmi përcaktohen mënyrat dhe kushtet për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2010. I njëjti paraqet plotësim të dispozitave nga Ligji për buxhet në lidhje me procedurat  për udhëheqje dhe realizim të buxheteve të shfrytëzuesve të veçantë buxhetorë.

Me 8 vota “për” dhe 3 “kundër”, Komisioni përfundoi se janë plotësuar kushtet për përgatitjen e Propozim-plotësimit të Ligjit për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2010.

Në arsyetimin në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhet, zëvendësministri i Financave theksoi se qëllimi i Propozim-ligjit është harmonizimi me Ligjin për furnizime publike në pjesën për sigurimin e pajtimit për furnizimet shumëvjeçare publike në programet për pjesën zhvilluese të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë.

Gjithashtu, me këtë Propozim-ligj propozohet prolongimi i zbatimit të nenit 10 nga Ligji për buxhetet për shkak të nevojës së futjes së zgjidhjeve të reja për softuerë për zbatimin e dispozitave nga ky nen.

Komisioni me 7 vota “për” dhe 3 “kundër” përfundoi se në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nuk janë plotësuar kushtet për përgatitjen e Propozim-plotësimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetet.

Lidhur me Propozim-ligini për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e njësive të vetadministrimit lokal, z. Ramizi theksoi se me ndryshimet e propozuara bëhet harmonizim me Ligjin për hua publike, i cili e rregullon hyrjen në borxh me çka formohet sistem koherent dhe i harmonizuar i hyrjes në borxh. Me ndryshimet propozohet edhe zmadhimi i përqindjes së të ardhurave nga TVSh-ja me çka do të mundësohet rritje e të ardhurave personale të komunave e cila  do të kontribuojë për forcimin  e tyre financiar.

Duke marrë parasysh se në lidhje me këtë Propozim-ligj nuk u parashtruan amendamente, Komisioni njëzëri përfundoi se nuk janë plotësuar kushtet për përgatitjen e Propozim-plotësimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e njësive të vetadministrimit lokal.

Sa i përket Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontributet nga sigurimi i obliguar social, zëvendësministri i Financave theksoi se në kushtet e krizës ekonomike, nëse zbatohen shkallët e kontributeve për sigurim të obliguar pensional dhe invalidor dhe sigurim të obliguar shëndetësor, të cilët janë definuar në tekstin themelor të ligjit, do të shkaktohet zvogëlim i të ardhurave të Fondit për PIOM dhe të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Prandaj është e nevojshme të revidohen shkallët e kontributeve për sigurim të obliguar pensional dhe invalidor dhe sigurimit të obliguar shëndetësor.

Meqë në lidhje me këtë Propozim-ligj nuk u parashtruan amendamente, komisioni me 6 vota “për” dhe 3 “kundër”, përfundoi se nuk janë plotësuar kushte për përgatitjen e Propozim-plotësimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontributet nga sigurimi i obliguar social.

Click