Aktivitetet



E mërkurë, 15 korrik 2009

MBLEDHJA E NJËZETETETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për financim dhe buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e mbajti Mbledhjen e njëzetetetë.Komisioni si trup punues amë, e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Drejtorinë e të Hyrave Publike (leximi i parë).

Arsyetimin hyrës për ligjin e parashtruar e dha zëvendësministri i Financave, z. Nedim Ramizi. Ai theksoi se me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Drejtorinë e të  Hyrave Publike, shlyhet dispozita e cila ka të bëjë me kryerjen e punëve administrative juridike dhe punëve tjera profesionale, të cilat i kryen Drejtoria e të Hyrave Publike, si dhe autorizimet e inspektorëve tatimorë, të cilat kanë të bëjnë me akcizat.

Komisioni me tetë vota "për" dhe dy "të përmbajtur",  konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin e ligjit për Drejtorinë e të Hyrave Publike, është i pranueshëm dhe se mundet të jepet në lexim të mëtejmë.

Në mbledhje Komisioni e shqyrtoi  edhe Propozim-ligjin për Bankën Maqedonase për Përkrahjen e zhvillimit (leximi i parë).

Z. Ramizi theksoi se qëllimi i ligjit të propozuar është që Banka Maqedonase për Përkrahjen e Zhvillimit, si bankë në pronësi shtetërore, të përfshihet në mënyrë aktive në realizimin e masave që ndërmerren për arsye të zbutjes së pasojave nga kriza globale financiare, dhe të zmadhohet vëllimi dhe efikasiteti në shfrytëzimin e mjeteve të Bankës. Zgjidhjet themelore të propozuara me këtë ligj janë: dhënia e mundësisë që Banka Maqedonase për Përkrahjen e Zhvillimit, të kryejë kreditimin e drejtpërdrejtë të shoqërive tregtare të themeluara në Republikën e Maqedonisë, lejimi i kredive me shkallë të subvencionuara të kamatave, garantimi i obligimeve të Bankës Maqedonase për Përkrahjen e Zhvillimit  nga ana e Republikës së Maqedonisë etj.

Pas vërejtjeve të paraqitura u propozua se më së miri do të  ishte që Qeveria ta tërheqë këtë Propozim-ligj nga procedura parlamentare, dhe të bëjë ndryshime të domosdoshme në Ligjin ekzistues për BMPZH-në, vetëm në atë pjesë ku është marrë obligimi për realizimin e kredisë nga Banka Investuese Evropiane. Do të ishte e pranueshme edhe futja e dispozitave për lejimin e kredive nga ana e kësaj banke me shkallë të subvencionuara të kamatave.

Me tetë vota "për" dhe dy "të përmbajtur",  komisioni konkludoi se Propozim ligji për Bankën Maqedonase për Përkrahjen e Zhvillimit, është i pranueshëm dhe se mundet të jepet në lexim të mëtejmë.

Komisioni e shqyrtoi edhe Propozim ligjin për ndryshim të Ligjit për procedurë tatimore (leximi i parë).

Zëvendësministri i Financave, theksoi se me ndryshimin e Ligjit për procedurë tatimore, shlyhet dispozita nga Ligji për procedurë tatimore e cila ka të bëjë me kompetencën e Drejtorisë së të Hyrave Publike, për udhëheqjen e procedurës kundërvajtëse dhe për shqiptimin e sanksioneve kundërvajtëse, për kundërvajtjet e përcaktuara me Ligjin për akcizat.

Komisioni me tetë vota "për" dhe dy të "përmbajtur"  konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin e ligjit për procedurë tatimore, është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

Komisioni për financa dhe buxhet e shqyrtoi edhe Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Drejtorinë Doganore (leximi i parë).

Z. Ramizi theksoi se me ndryshimet precizohen kompetencat e Drejtorisë Doganore, të cilat dalin nga zbatimi i Ligjit për akcizat.

Komisioni me tetë vota "për" dhe dy të "përmbajtur"  konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Drejtorinë Doganore, është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

Në të njëjtën mbledhje u shqyrtua edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizat (leximi i parë).

Arsyetimin hyrës për ligjin e parashtruar e dha zëvendësministri i Financave, i cili theksoi se ndryshimet e propozuara në Ligjin për akcizat, janë me qëllim që të sigurohet bazë ligjore për bartjen e kompetencave për menaxhim me akcizat, nga Drejtoria e të Hyrave Publike në Drejtorinë Doganore në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Në Republikën e Maqedonisë menaxhimi me akcizat është rregulluar me Ligjin për akcizat dhe Rregulloren për zbatimin e Ligjit për akcizat, sipas të cilave institucione kompetente për arkëtimin e detyrimeve të akcizave, janë Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Drejtoria Doganore. Duke pasur parasysh rëndësinë e akcizave për stabilitetin financiar të shtetit, mënyrën dhe ngjashmërinë e arkëtimit dhe kontrollit të akcizave me detyrimet doganore, në të gjitha vendet anëtare të UE-së, arkëtimin e akcizave në tërë territorin e shteteve e kryejnë shërbimet doganore. Pasi puna me akcizave lidhet me punën doganore, që të mundet nëpunësit e akcizave të jenë efikas në punën e tyre, ata duhet patjetër të kenë njohuri të shkëlqyeshme të punës doganore. Rikualifikimi më i vogël i cili do të jetë i nevojshëm është që nëpunësit doganorë të angazhohen rreth arkëtimit të akcizave edhe në qarkullimin e brendshëm (jo vetëm gjatë importit të mallrave), sepse paraprakisht kanë pasur përvojë të caktuar, përkatësisht kanë kryer punë në arkëtimin e akcizave gjatë importit, procedura e kontrollit plotësues dhe kontrollit është shumë e ngjashme me procedurën me kontrolleve plotësuese te llogaritja dhe arkëtimi i detyrimeve doganore. Gjithashtu, Drejtoritë Doganore kanë teknikë moderne dhe të sofistikuar për zbulimin e mallrave të kontrabanduara ( skenerë, detektorë për zbulimin e dendësisë së materialeve) dhe shërbime të cilat munden së bashku me kontrollet e mallrave të cilat importohen nga aspekti doganor, të kryejnë kontroll edhe nga aspekti tatimor dhe i akcizave.

Nga Ministria e Financave u kërkua që të dorëzohen te Komisioni të dhëna për numrin e të punësuarve, të cilëve me transferin e kompetencave do t’u zvogëlohen obligimet në Drejtorinë e të Hyrave Publike, dhe ku do të sistemohen ata. Duke u nisur nga ajo se në Drejtorinë e të Hyrave Publike ekzistojnë seksione për akciza, të ekipuara me persona profesionalë të cilët janë të kualifikuar në mënyrë adekuate, u theksua se bartja e këtillë e ingjerencave mund të shkaktojë shpenzime shtesë për rikualifikimin e të punësuarve ne Drejtorinë Doganore, ngecje në punën e subjekteve me mallra të akcizave dhe çregullime tjera.

Komisioni konstatoi se ka nevojë për miratimin e ligjit të propozuar.

Komisioni me tetë vota "për" dhe dy të "përmbajtur"  konkludoi që Ministria e Financave, deri në shqyrtimin e Propozim-ligjit në leximin e dytë, Komisionit t’ia dorëzojë Planin aksional për bartjen e kompetencave për menaxhim me akcizat, nga Drejtoria e të Hyrave Publike në Drejtorinë Doganore.

Komisioni me tetë vota "për" dhe dy "të përmbajtur", konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin  dhe plotësimin e Ligjit për akcizat është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

Click