Aktivitetet



E martë, më 29 shtator 2009

MBLEDHJA E TRIDHJETEKATËRT E KOMISIONIT PËR FINANCA DHE BUXHET

Komisioni për Financa dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e tridhjetekatërtë, të mbajtur më 29 shtator 2009, si trup punues amë në leximin e parë i shqyrtoi:

1. Propozim-ligjin për ngarkim me borxh të Republikës së Maqedonisë në Bankën për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës sipas marrëveshjes kornizë për hua për financim të pjesshëm të Projektit për strehimin e grupeve të cenueshme sociale;
2. Propozim-ligj për ngarkim në borxh të Republikës së Maqedonisë  me hua në Bankën Kreditore për Zhvillim-KFB sipas marrëveshjes për hua për projektin “Ujitjen e luginës jugore të lumit Vardar-faza II’’;
3. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar;
4.  Propozim-ligj për ndryshimin e Ligjit për Qarkullim Pagesor;
5. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurë Tatimore;
6. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Pagesave me para në dorë;
Njëkohësisht arsyetim për Propozim-ligjet dha zëvendës-ministri i Financave, z.Nedim Ramizi.

-Në lidhje me  Propozim-ligjin për ngarkim me borxh të Republikës së Maqedonisë në Bankën për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës sipas marrëveshjes kornizë për hua për financim të pjesshëm të Projektit për strehimin e grupeve të cenueshme sociale, z.Nedim Ramizi theksoi se Projekti për strehimin e grupeve të cenueshme sociale filloi të implementohet në vitin 2007. Deri tani janë ndërtuar tri ndërtesa, ndërsa në rrjedhë është ndërtimi i dymbëdhjetë të tjerave. Gjithsej duhet të ndërtohen 37 ndërtesa me 1708 banesa në 19 qytete në Republikën e Maqedonisë deri në vitin 2012. Vlera e përgjithshme e Projektit është 50.700.000 euro.

Qëllimi kryesor i projektit është sigurimi i qasjes për strehim adekuat dhe lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social. Janë përcaktuar traget grupe, të cilat do të jenë të përshtatshme për shfrytëzimin e këtyre banesave: fëmijë pa prindër mbi 18 vjet, persona të papunësuar dhe persona shfrytëzues të ndihmës sociale; banorë të rajoneve të goditura nga katastrofat natyrore, persona me invaliditet ose amvisëri që kanë person me invaliditet; persona të rrezikuar social pjesëtarë të popullatës rome; dhe prindër vetmbajtëse me fëmijë të mitur.

Me shtatë vota “pro” dhe tre “kundër” Komisioni përfundoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

Për Propozim-ligjin për ngarkim me borxh të Republikës së Maqedonisë  me hua në Bankën Kreditore për Zhvillim-KFB sipas marrëveshjes për hua për projektin “Ujitjen e luginës jugore të lumit Vardar-faza II’, zëvendës-ministri i Financave theksoi se implementimi i Projektit ndikon shumë në drejtim të rritjes dhe përmirësimit të shfrytëzimit, mirëmbajtjes dhe menaxhimit të sistemeve për ujitje nga ana e bashkësive të ujërave në këto rajone. Realizimi i suksesshëm i fazës së parë të këtij Projekti dhe përvoja e fituar gjatë të njëjtës mundësojnë zgjerimin e projektit në fazën e dytë.

Projekti “Ujitja e luginës jugore të lumit Vardar-faza II” sipas rezultateve nga Studimi për Realizim i përpunuar më parë, do të përfshijë zgjerimin e hapësirës së tokës për ndërtim të sistemeve për ujitje për 3.894 hektarë në gjashtë lokacione dhe atë: Miravcë, Kovancë, Negorcë, Gjevgjeli, Gërçishtë, Paljurcë dhe Valandovë.

Faza e dytë e projektit synon zgjerimin e konceptit të suksesshëm për mbështetjen e rehabilitimit / modernizimit të sistemeve për ujitje nëpërmjet inkorporimit të teknologjisë për kursimin e ujit (pikë për pikë, stërpikës dhe të tj.), në bazë të dizajnit të qëndrueshëm teknik, social dhe institucional dhe me bartjen e përgjegjësive të ardhshme për menaxhim dhe mirëmbajtje tek bashkësitë e ujërave, si shfrytëzues të ardhshëm të projektit.

Vlera e përgjithshme e Projektit është 21.807.256 euro, ndërsa pjesërisht do të financohet me hua prej 10.250.000 euro nga KFV-ja.
Me gjashtë vota “pro” dhe dy “abstenim” Komisioni përfundoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

Sa i përket Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, qëllimi është zvogëlimi i shkallës tatimore nga 18% në 5% për qarkullimin e parë me ndërtesa banimi dhe banesa në atë pjesë në të cilën të njëjtat shfrytëzohen për qëllime banimi, që do të realizohet në periudhë deri në pesë vjet pas ndërtimit. Në kushtet e krizës, me zvogëlimin e shkallës tatimore do të nxitet ndërtimi i banesave nga ana e ndërmarrjeve ndërtuese, me çka do të mundësohet rimëkëmbja e ndërtimtarisë, por edhe i njëzet degëve të tjera të ekonomisë që lidhen me ndërtimin e hapësirës për banim, siç janë artizanati, industria, prodhimi i mobileve dhe të tjera.

Me zmadhimin e pritur të ofertave për banesa në tregun e patundshmërive, si dhe efektin e drejtpërdrejtë nga ulja e shkallës tatimore, pritet ulje e çmimit të përgjithshëm të hapësirës për banim dhe kjo për rreth 11%. Me këtë hapësira për banim do të bëhet më e arritshme për qytetarët, që do të ndihmojë që shumë prej tyre ta zgjidhin çështjen e tyre banesore. Shkalla e favorizuar tatimore prej 5% do të zbatohet prej 31.12.2011.

Me shtatë vota “pro” dhe dy “abstenim” Komisioni përfundoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Qarkullim Pagesor z. Nedim Ramizi theksoi se qëllimi është që të prolongohet zbatimi i dispozitës se pjesëmarrësi në qarkullimin pagesor prej 1 janar 2010 nuk mund të bëjë pagesën me llogari nëse ka të bllokuar llogarinë e transaksionit. Prolongimi i zbatimit të dispozitës së theksuar për një vit, përkatësisht prej janarit të vitit 2011 do t’u mundësojë firmave zbutjen e problemeve likuiduese.

Duke marrë parasysh numrin e firmave që mund të supozohet se do të goditen nga dispozita e përmendur, dhjetëra mijëra të punësuar  do t’i humbnin vendet e punës. Gjithashtu, pushimi i veprimtarisë së këtyre firmave do të shkaktojë pasoja serioze edhe në firmat të cilat nuk do të goditen drejtpërdrejtë nga kjo dispozitë, por do të pësojnë dëme për shkak të marrëdhënieve të tyre afariste me firmat e përmendura.

Me shtatë vota “pro” dhe një “kundër” Komisioni përfundoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për qarkullimin pagesor mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

Në funksion të zbutjes së efekteve negative nga kriza ekonomike, paraqitet nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e caktuar të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurë Tatimore.

Me Propozim-ligjin mundësohet rimëkëmbja e firmave me obligime të prapambetura të akumuluara dhe sigurimi i nivelit të kënaqshëm të likuidimit  pa shpenzime financiare shtesë të ndërmarrjeve në kushtet e reja  të krijuara prej krizës në të cilat ndodhet ekonomia e Maqedonisë. Me ndryshimet e propozuara, para së gjithash, bëhet intervenimi nëpërmjet caktimit të dispozitave të cilat janë më të volitshme për obliguesit tatimorë, ndërsa kanë të bëjnë me vazhdimin e maturimit të obligimeve. Gjithashtu, bëhet zvogëlimi i vlerës së garancisë nga obliguesit tatimorë për sigurimin e pagesës së borxheve tatimore, që është në funksion të lehtësimit të gjendjes së tyre.
 Me shtatë vota “pro” dhe dy “abstenim” Komisioni përfundoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Procedurë Tatimore mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

-Qëllimi i Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Pagesave me Para në Dorë është që të rregullohet inkorporimi dhe shfrytëzimi i sistemit fiskal në pajisjen për regjistrimin e pagesave me para në dorë. Me Propozim-ligjin rregullohet edhe veprimi i Drejtorisë për të Hyra Publike në situatat kur obliguesi tatimor nuk ka inkorporuar sistem fiskal në pajisjen për regjistrimin e pagesave me para në dorë ose kur ka, por nuk e shfrytëzon ose nuk jep llogari fiskale.

Me shtatë vota “pro” dhe dy “abstenim” Komisioni përfundoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Regjistrimin e Pagesave me Para në Dorë mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

Click