Aktivitetet



E shtunë, 17 tetor 2009

MBLEDHJA E TRIDHJETEPESTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e tridhjetepestë, të mbajtur më 5 tetor të vitit 2009, si trup punues amë e shqyrtoi Informatën për aktivitetet e Drejtorisë së të Hyrave Publike në gjysmën e parë të vitit 2009.

Arsyetim hyrës për Informatën paraqiti drejtori i Drejtorisë së të Hyrave Publike, z. Goran Trajkovski, i cili theksoi se në të është sqaruar profili i DHP-së, qëllimet prioritare që dalin nga plani i saj strategjik, realizimi dhe planet e qëllimet vijuese të këtij institucioni.

Përmbajtjen e Informatës të azhurnuar me të dhënat e fundit për punën e DHP-së (30.09.2009), e prezantoi Marija Leova-Dimovska, analiste kryesore në DHP. Ajo potencoi se në suaza të kompetencave të përcaktuara me Ligj, DHP-ja e zbaton politikën tatimore dhe kryen arkëtim të tatimeve dhe detyrimeve tjera publike, u jep ndihmë tatimpaguesve në plotësimin e obligimeve të tyre tatimore, e përcjell dhe analizon funksionimin e sistemit tatimor dhe parashtron propozime për përparimin e tij, bashkëpunon me organe tatimore nga shtete tjera dhe jep ndihmë ndërkombëtare juridike në lëndët tatimore.

Qëllimi themelor i DHP-së është që ta zbatojë legjislacionin për tatime dhe detyrime tjera publike dhe të mundësojë nivel të kënaqshëm të hyrjeve në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë, për sigurimin e funksioneve të shtetit, me ç’rast t’u japë ndihmë dhe mbështetje tatimpaguesve për plotësimin vullnetar të obligimeve tatimore.

Përcaktim strategjik i DHP-së në periudhën 2009-2011, është që të vazhdojë me procesin e përforcimit të aktiviteteve për zmadhimin e kapacitetit administrativ për zbatimin e legjislacionit tatimor dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në Unionin Evropian. DHP-ja në vitet e fundit zbaton aktivitete intensive për modernizim, të cilat duhet t’i përforcojnë kapacitetet e saja nëpërmjet të përmirësimit të metodave për punë dhe menaxhim.

Në vitin 2009 kompetencat e DHP-së u zgjeruan me vendosjen e principit të pagesës së rrogës bruto dhe ndërmarrjen e administrimit të kontributeve sociale nga rroga dhe arkëtimin e tyre të integruar me tatimin personale mbi të ardhurat.

Në debat morën pjesë deputetët Jovan Manasijevski, Marjanço Nikollov, Jovan Ginev dhe Mile Andonov.

  • Mbi bazë të debatit, Komisioni njëzëri i miratoi konkluzionet vijuese: Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e shqyrtoi Informatën  për aktivitetet e Drejtorisë së të Hyrave Publike, në gjysmën e parë të vitit 2009;
  •  Komisioni për Financim dhe Buxhet konstatoi se në Informatë është paraqitur objektivisht realizimi i qëllimeve prioritare të Drejtorisë së të Hyrave Publike, arkëtimi i kontributeve dhe planet për zhvillim dhe modernizim të këtij institucioni.
  •  Këto konkluzione së bashku me Raportin e Komisionit për Financim dhe Buxhet të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të dorëzohen te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Ministria e Financave dhe Drejtoria e të Hyrave Publike.
Click