Aktivitetet



E mërkurë, 15 korrik 2009

SEANCA E NËNTËMBËDHJETË E KOMISIONIT PËR SISTEM POLITIK DHE MARRËDHËNIE NDËRMJET BASHKËSIVE

Komisioni për sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, në Seancën e nëntëmbëdhjetë të mbajtur më 14 korrik 2009, si trup punues amë i shqyrtoi Propozim-ligjin për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë (leximi i parë) dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e partive politike (leximi i parë).

Nevojën për miratimin e Propozim-ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë e arsyetoi përfaqësuesi i propozuesve të ligjit, deputeti Tahir Hani. Ai theksoi se Propozim-ligji rrjedh nga debati të cilin tridhjetë deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e kanë mbajtur në konferencën në Villton Park në Britani të Madhe. Ai arsyetoi se me këtë Propozim-ligj pritet të përparojë kapaciteti i Kuvendit dhe roli i tij ligjvënës, nëpërmjet rregullimit të parimeve dhe rregullave të caktuara në kuadër të sistemit politik. Deputeti Tahir Hani i sqaroi dispozitat e Propozim-ligjit të cilat kanë të bëjnë me autonominë  buxhetore të Kuvendit, debatet mbikëqyrëse të cilat e kontrollojnë mënyrën e miratimit të ligjeve, takimet koordinuese për harmonizimin e  trupave punues të Kuvendit, punën e Kanalit të Kuvendit si dhe takimet e deputetëve me qytetarët.

Nga ana e grupit të deputetëve të LSDM-së, u theksua se ata insistojnë që paralelisht me Propozim-Ligjin për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në procedurë kuvendore të jenë edhe ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores së Kuvendit.

Me miratimin e këtij ligji do të forcohej roli i pushtetit ligjvënës dhe do të vendosej kontroll më i madh nga ana e të zgjedhurve të popullit ndaj miratimit të ligjeve dhe dispozitave të cilat ato i përmbajnë si dhe zbatimit të tyre.

Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e partive politike, arsyetim dha ministri për  Ddrejtësi Mihajllo Manevski. Ai theksoi se Ligji për financimin e partive politike është miratuar në muajin tetor 2004, ndërsa me ndryshimet dhe  plotësimet të cilat propozohen bëhet rirregullimi i ligjit themelor, me elemente të cilat duhet të jenë në funksion të financimit më transparent të partive politike, burimeve të financimit të partive politike, sistemit për kontroll, përfshirjes së donacioneve dhe burimeve të tyre, mekanizmave për publikimin e raporteve dhe zbatimin e aktiviteteve si pasojë nga raportet, dhe parashikimit të dënimeve më të rrepta për kundërvajtësit e ligjit.

Gjatë propozimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit është nisur nga Rekomandimet e Grupit të shteteve kundër korrupsionit GREKO, të cilat sugjerojnë  për çështjet të cilat janë rregulluar me këtë ligj. Risitë në ligj kanë të bëjnë me zvogëlimin e shumës së donacioneve që mundet t’ia japë personi fizik ose juridik  partisë politike, obligimin që lidhet me të, dallimi ndërmjet vlerës së lejuar dhe të dhuruar t’i kthehet donatorit, si dhe obligimi që donacioni me prejardhje të panjohur të bartet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë. Risi paraqet edhe obligimi i partive politike, që donacionet e fituara t’i publikojnë në ueb faqet, dhe në njërën nga gazetat ditore që e siguron parimin e transparencës.

Në bazë të debatit, Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, me 6 vota “PËR” konstatoi se Propozim-ligji për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm, njëkohësisht komisioni njëzëri konstatoi se edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e partive politike, është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Click