Aktivitetet



E enjte, 9 korrik 2009

SEANCA E NJËZETESHTATË E KOMISONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Më 3 korrik 2009, Komisioni për financim dhe buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e mbajti Mbledhjen e njëzeteshtatë, në të cilën mes tjerash, si trup amë punues e shqyrtoi Raportin vjetor të Entit shtetëror për revizion, për vitin 2008.

Në Raport janë dhënë rezultatet e përmbledhura nga revizionet e kryera në vitin 2008, në sferat  më të rëndësishme të sektorit publik (buxhet dhe shfrytëzues të buxhetit, shëndetësi, buxhet gjyqësor, Fondin e SPIM-së si revizion i veçantë tematik, ndërmarrje publike, njësi të vetadministrimit lokal), si dhe rezultatet e revizionit të suksesit, të cilët përfshijnë edhe më tepër subjekte varësisht nga lloji i revizionit.

Në pajtim me Ligjin për revizion shtetëror, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë parashtrohen të gjitha raportet e veçanta, te të cilat janë përcaktuar parregullsi të konsiderueshme, kështu që më 2008 janë parashtruar 76 raporte të veçanta, nga gjithsej 187.

Në bazë të debatit, Komisioni njëzëri konkludoi që t’i propozojë Kuvendit t’i miratojë këto Konkluzione:

1. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi Raportin vjetor të Entit shtetëror  për revizion, për vitin 2008;

2.  Kuvendi i Republikës së Maqedonisë konsideron se është e nevojshme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë, të ndërmarrë masa dhe aktivitete të nevojshme  për implementimin e politikave dhe procedurave për menaxhim të qëndrueshëm financiar, revizion të brendshëm dhe mbikëqyrje mbi shfrytëzimin e mjeteve publike te subjektet nga sektori publik;

3.  Kuvendi i Republikës së Maqedonisë vlerëson se Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe organet kompetente, duhet të ndërmarrin masa dhe aktivitete të nevojshme për krijimin e sistemit gjithëpërfshirës, funksional, informatik dhe sistemit informativ për evidentimin dhe grumbullimin efikas të të hyrave dhe derdhjeve të përgjithshme (tatimeve, doganave, koncesioneve, qirave, shitjes së  sendeve të tundshme dhe të patundshme, mallit të konfiskuar etj.) të Buxhetit Qendror të Republikës së Maqedonisë;

4. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sugjeron se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, duhet të vazhdojë dhe t’i intensifikojë aktivitetet për harmonizimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore, në të cilat sipas të  dhënave të konstatuara të Entit shtetëror për revizion, është konfirmuar kolizion të dispozitave ligjore dhe dobësive sistematike;

5. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë vlerëson se është e nevojshme që Komisioni për financim dhe buxhet në kuadër të realizimit të kompetencave të veta, krahas Raportit vjetor të Entit shtetëror për revizion, rrjedhimisht t’i shqyrtojë edhe raportet e revizionit për subjektet e revizionit, në të cilat janë të përcaktuara parregullsi dhe të propozoj masa dhe aktivitete në formë të konkluzioneve dhe rekomandimeve të trupave kompetente, për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga raportet e revizionit;
6.  Këto konkluzione bashkë me Raportin e Komisionit për financim dhe buxhet,  t’i parashtrohen Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Ministrisë së Financave dhe Entit shtetëror për revizion.

Komisioni për financim dhe buxhet, e shqyrtoi edhe Propozim–ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bankat (leximi i dytë). Duke marrë parasysh  se për këtë Propozim–ligj nuk u parashtruan amendamente, Komisioni njëzëri konkludoi se nuk janë të plotësuara kushtet për përgatitjen e Propozim-ligjit të plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bankat.

Në mbledhjen e njëjtë, Komisioni i shqyrtoi Amendamentet e nenit 30 paragrafi (3) alineja 2 dhe të nenit 35 paragrafi (1) dhe të nenit 59, për Propozim–ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontrollin e brendshëm publik financiar, të parashtruar nga deputeti Ilija Dimovski, si dhe Amendamentet  e nenit 36 paragrafi (2) alineja një dhe paragrafi (3) alineja një dhe të paragrafit (4) alineja 1, dhe për shtimin e  nenit të ri 58-a pas nenit 58, të parashtruar  nga grupi parlamentar i LSDM-së.

Komisioni njëzëri i miratoi Amendamentin e nenit 30 paragrafi (3) alineja 2, Amendamentin e nenit 35 paragrafi (1) dhe Amendamentin e nenit 59.

Komisioni me tri vota “për” dhe tetë vota “kundër”, nuk e  miratoi Amendamentin e nenit 36 paragrafi (2) alineja një dhe të paragrafit 3 alineja një dhe paragrafit (4) alineja një, si dhe Amendamentin për shtimin e nenit të ri 58-a pas nenit 58.

Komisioni me shtatë vota “për” dhe tre vota “të përmbajtur”, konkludoi se në pajtim me nenin 155 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, janë plotësuar kushtet që të përgatitet Propozim-ligji i plotësuar për kontrollin e brendshëm publik financiar.

Click