Aktivitetet



E mërkurë, 1 korrik 2009

SUEDIA MERR KRYESIMIN ME BE-në

Sot, zyrtarisht, Çekia ia dorëzoi Suedisë, kryesimin e radhës me BE-në, e cila do të udhëheqë me të në gjashtë muajt në vijim, përkatësisht deri më 31 dhjetor 2009.Me rastin e marrjes së kryesimit, sonte në muzeun Skansen në Stokholm do të mbahet ceremoni solemne.

Anëtarët e Qeverisë suedeze do të takohen me anëtarët e Komisionit Europian, ndërsa Kryeministri i Suedisë, z. Frederik Rejnfelt dhe Kryetari i Komisionit Europian, z. Zhoze Manuel Baroso, do të bisedojnë për prioritetet e mandatit suedez. Eurokomisarët do t’i pranojë edhe Mbreti i Suedisë, Karl Gustavi XVI.

Slogani i Suedisë në gjashtë muajt në vazhdim është “t’u dalim përpara sfidave”. Në këtë periudhë ky vend skandinav i vendosi disa qëllime – të krijohen kushte për përmirësimin e ekonomisë së vendeve të BE-së, të vendoset disiplinë financiare në vendet-anëtare të BE-së dhe të përforcohet kontrolli ndaj sektorit financiar në Bashkim. Prioritete të kryesimit suedez do të jenë edhe kriza ekonomike botërore, ulja e papunësisë dhe ndryshimet klimatike.

- Dy problemet më të rëndësishme për ne janë kriza ekonomike dhe ndryshimet klimatike. Do të bëjmë çdo gjë të mundur që në Kopenhagë të vijë deri te një marrëveshje botërore për krizën, me të cilën do të ulet sasia e dioksid karbonit në atmosferë. Doemos të kemi kujdes që BE-ja të flasë me një zë, të shoqërohemi bashkë, deklaroi Ministri për Çështje Europiane i Suedisë, Sesilia Malstrom.

Suedia e përkrah politikën e zgjerimit të BE-së, duke nënvizuar që pranimi i vendeve  të reja anëtare, në veçanti nga Ballkani Perëndimor do të varet më së shumti nga vetë ata, përkatësisht nga përmbushja e kritereve për anëtarësim të vendosura nga BE.

- Vizioni im për Europën është një Europë e cila e përfshin gjithë Europën. Vizioni im nuk është Europa e cila i përjashton një pjesë të vendeve, shkaku i përcaktimeve fetare ose kombësisë. Ky është një vizion shumë ambicioz dhe i kuptoj të gjitha vështirësitë me të cilat ndërlidhet kjo, por mënyrë e vetme për të trajtuar këtë temë është debati i hapur. Deri më tani ndoshta e kemi bërë shumë pak këtë, deklaroi shefi i diplomacisë suedeze, z. Karl Bildt.

Në sferën e marrëdhënieve me jashtë të BE-së, Suedia premtoi se do të bëjë përpjekje për forcimin e partneritetit ndërmjet dy brigjeve të Atlantikut, do të organizojë takime ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve, Rusisë, Ukrainës, Afrikës së Jugut, Brazilit, Indisë dhe Kinës.

Kryesimi suedez me Bashkimin Europian vjen në një kohë të një Parlamenti të ri europian, në kohën kur duhet të zgjidhet kryetari i ri i Komisionit Europian dhe në kohën kur duhet të miratohet Marrëveshja e Lisbonës, që paraqesin reforma serioze institucionale në Bashkimin Europian.

Click