Aktivitetet



E premte, 27 gusht 2010

MBLEDHJA E DYZETË E KOMISIONIT PËR BUJQËSI, PYLLTARI DHE EKONOMI TË UJËRAVE

Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e 40-të si trup punues amë, në lexim të parë e shqyrtoi Propozim-Ligjin për Kualitetin e Prodhimeve Bujqësore.  

Në mbledhje në cilësinë e përfaqësuesit të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë ishte i pranishëm Perica Ivanovski, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. 

Në diskutimin për Propozim-ligjin për kualitetin e prodhimeve bujqësore morën pjesë deputetët Femi Jonuzi, Pançe Dameski, Vasko Shutarov, Zhivko Pejkovski dhe Nikolla Qurkçiev, dhe Marija Gjosheva Kovaçeviq si përfaqësuese e Federatës së Fermerëve të Republikës së Maqedonisë.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e theksoi nevojën për miratimin e ligjit, qëllimet që do të arrihen dhe zgjidhjet themelore që rregullohen me ligj. 

Ai kryesisht theksoi se me Propozim-ligjin bëhet harmonizimi i Legjislacionit vendor me Legjislacionin Evropian, që është edhe politikë e Qeverisë në tërësi.  Përfaqësuesi i Qeverisë në mënyrë të veçantë e theksoi përmbajtjen thelbësore të ligjit e cila bazohet në standardet e miratuara dhe të zbatuara në rregullativën e Unionit Evropian, veçanërisht për ushqimin me origjinë shtazore.
Në fund, përfaqësuesi i Qeverisë e theksoi nevojën që në afat sa më të shkurt të mundshëm të miratohen aktet nënligjore me qëllim zbatimin në tërësi të ligjit në praktikë, me ç’rast do të angazhohen dhe konsultohen subjekte dhe institucione relevante.

Pas përfundimit të debatit për Propozim-ligjin Komisioni njëzëri e miratoi Konkluzionin, si vijon:

  • Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave e shqyrtoi Propozim-ligjin për kualitetin e prodhimeve bujqësore (leximi i parë), dhe vlerësoi se Propozim-ligji është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtejmë.


Click