Aktivitetet



E hënë, 14 qershor 2010

MBLEDHJA E GJASHTËDHJETEKATËRTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e gjashtëdhjetekatërtë, të mbajtur më 9 qershor 2010, si trup punues amë e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi vlerën e shtuar (leximi i parë) dhe Amendamentin e nenit 2 për Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për tatim mbi fitimin  të parashtruar nga grupi i deputetëve të Lidhjes Socialdemokrate. Arsyetimin hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi vlerën e shtuar e bëri zëvendës-ministri i Financave, z. Nedim Ramizi.

Ai theksoi se me ndryshimet dhe plotësimet propozohet ndryshimi i afatit në të cilin obliguesi tatimor  obligohet që të parashtrojë fletëparaqitje edhe atë prej 15 deri në 25 ditë pas skadimit të periudhës së tatimit.  Në këtë mënyrë bëhet ndarja nga data kur arrijnë për pagesë edhe obligimet tjera tatimore, me ç'rast tatimpaguesve do tu mundësohet relaksim adekuat në pikëpamje të sigurimit të mjeteve financiare të dedikuara për shlyerjen e obligimeve në lidhje me tatimet.   Kjo masë  është në drejtim të lehtësimit të punës së kompanive dhe përmirësimit të likuidimit në punën e tyre të përditshme.

Me ndryshimet propozohet përcaktimi i limitit më të lartë të regjistrimit edhe atë prej 1.300.000 në 2.000.000 denarë.   Me këtë masë lirohen nga obligimi i regjistrimit për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar tatimpaguesit të cilët nuk do të arrijnë limitin prej 2.000.000 denarësh. Me këtë zgjidhje pritet që në organin kompetent për tatim  të ulen shpenzimet për administrim të cilat bëhen për tatimpaguesit të cilët kanë qarkullim nën 2.000.000 denarë, si dhe të ulen shpenzimet për administrim te tatimpaguesit të cilët realizojnë qarkullim nën  limitin për regjistrim, por gjithsesi edhe më tej ata do të kenë të drejtë që vullnetarisht të regjistrohen  për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar.

Me ndryshimet dhe plotësimet propozohet që raportet periodike të llogarive bankare  nëpërmjet të cilave tatimpaguesi i regjistruar për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar e realizon punën e tij, bartësi i qarkullimit tatimor në formë elektronike t'ia dorëzojë organit kompetent për tatime. Raportet periodike, bartësi i qarkullimit pagesor i dorëzon në periudhën dhe afatin në të cilin parashtrohet fletëparaqitja për tatim. Me këto ndryshime pritet që tatimpaguesve tu ulen shpenzimet për administrim dhe tu eliminohet shpenzimi për marrjen e raportit periodik nga llogaritë bankare.

Me ndryshimet në pjesën e dispozitave për kundërvajtje bëhet zvogëlimi i ndëshkimeve për kundërvajtje të përcaktuara me Ligjin në pikëpamje të lartësisë dhe nivelit të gjobave, ndërsa njëkohësisht harmonizohet Ligji për tatim mbi vlerën e shtuar me ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal.                  

Komisioni njëzëri përfundoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi vlerën e shtuar është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

Sa i përket amendamentit të nenit 2 për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi fitimin të parashtruar nga grupi i deputetëve të Lidhjes Socialdemokrate, arsyetimin e bëri deputeti Mile Andonov, me ç'rast sqaroi se i njëjti propozohet me qëllim që të evitohet tatimimi i shumëfishtë i dividendëve gjatë transferimit nga njëri subjekt juridik te tjetri, si dhe të stimulohen tatimpaguesit që ta riinvestojnë profitin në Republikën e Maqedonisë.

Meqë fitimi i treguar në raportet financiare për vitin 2009, duhet të sistemohet deri më 30 maj 2010, ka kompani të cilat në pajtim me afatet ligjore e kanë bërë sistemimin në firma me kapital të lidhur, prandaj për këtë qëllim kjo zgjidhje ligjore duhet të zbatohet nga 1 janari 2009. Përfaqësuesi i Qeverisë nuk u pajtua me amendamentin e parashtruar.

Me tre vota "për" dhe "shtatë" kundër, Komisioni nuk e miratoi Amendamentin.

Komisioni me shtatë vota "për" dhe një "të abstenuar" përfundoi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ta shqyrtojë dhe miratojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi fitimin.

Click