Aktivitetet



E enjte, 8 korrik 2010

MBLEDHJA E GJASHTËDHJETETETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 7 korrik 2010 e mbajti mbledhjen e tij të gjashtëdhjetetetë.

- Si trup punues amë Komisioni e shqyrtoi Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për buxhetet (me procedurë të shkurtuar).

Arsyetimin hyrës për Propozimin e parashtruar e bëri zëvendës-ministri i Financave, z. Nedim Ramizi. Ai theksoi se shkaqet për të cilat propozohet miratimi i këtij ligji janë të lidhura me lëvizjet ekonomike aktuale, me qëllim që tu mundësohet shfrytëzuesve buxhetorë që të bëjnë ndryshim në dinamikën e realizimit të obligimeve sipas marrëveshjeve të kontraktuara, vetëm me kusht që të sigurohet pajtimi nga pala tjetër kontraktuese dhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Duke pasur parasysh atë që për këtë Propozim-ligj në afatin e përcaktuar me rregullore nuk u parashtruan amendamente, nuk janë plotësuar kushtet për përgatitjen e Propozim-ligjit të plotësuar.

Komisioni me shtatë vota "për" dhe një votë "kundër" përfundoi që t'i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta shqyrtojë dhe ta miratojë Ligjin për plotësimin e Ligjit për Buxhetet.

-Komisioni, si trup punues amë, e shqyrtoi edhe Propozim-ligjin për ngarkimin me borxh të Republikës së Maqedonisë në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - Banka Ndërkombëtare sipas marrëveshjes për hua për financimin plotësues të Projektit për kadastrën e patundshmërive dhe regjistrimin (në lexim të parë).

Në arsyetimin hyrës zëvendës-ministri i Financave theksoi se ky projekt përbëhet prej disa komponentëve:  mbarimi i kadastrës së patundshmërive dhe i regjistrimit të të drejtave; zhvillimi institucional dhe përmirësimi i kryerjes së shërbimeve; zhvillimi i politikave për tokat; menaxhimi me projektin; harta digjitale e kadastrës dhe ueb-GIS dhe mbështetja e Drejtorisë për marrëdhënie juridike-pronësore. Qëllimi i kësaj huaje është që të krijohet sistem efikas dhe efektiv për kadastrën e patundshmërive, duke kontribuar në zhvillimin e tregjeve efikase të tokës dhe të patundshmërive. Huaja do të ndahet nën kushtet si vijon: Afati i pagesës 25 vjet me përfshirje të grejs periudhës prej 8 vjetësh dhe shkallës kamatore prej gjashtëmuajsh LIBOR dhe proporcion variabil.

Komisioni me shtatë vota "për" dhe një votë "të përmbajtur" përfundoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Në këtë mbledhje, Komisioni si trup punues amë  e shqyrtoi edhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizimet publike, me procedurë të shkurtuar.

Zëvendës-ministri i Financave në arsyetimin hyrës theksoi se ndryshimet dhe plotësimet e propozuara  kanë të bëjnë me nevojën për ndryshimin e dinamikës së realizimit të marrëveshjeve tanimë të lidhura të cilat financohen me programe nga pjesa zhvilluese e Buxhetit.

Me dispozitat e propozuara mundësohet që organet kontraktuese t'i ndryshojnë kushtet e dorëzimit dhe realizimit të marrëveshjeve në pajtim me bartësin e furnizimit si palë tjetër kontraktuese, që ato të mund tu përshtaten kushteve momentale, të cilat nuk ka qenë e mundur të parashikohen në momentin e përkufizimit të kushteve fillestare të procedurës.

Gjithashtu, vendoset dispozita e cila ka të bëjë me nevojën për ndryshimin e dinamikës së realizimit të marrëveshjeve njëvjeçare për furnizime publike të cilat nuk janë përfshirë paraprakisht, nevojë e cila paraqitet si rezultat i reduktimit të mjeteve të parapara me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë. Kjo dispozitë është me karakter të përkohshëm dhe do të zbatohet deri në fund të vitit 2011, ndërsa Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të japë pajtimin paraprak.

Me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara zgjerohet edhe baza në pajtim me të cilën operatori ekonomik mund të përjashtohet nga procedurat për ndarjen e marrëveshjeve për furnizim publik. Me këtë bëhet harmonizimi i Ligjit për furnizimet publike me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal në të cilin janë vendosur lloje të reja të ndëshkimeve dytësore të cilat kanë të bëjnë me sferën e furnizimeve publike.  Gjithashtu, vendosen dy dokumentet reja me të cilat dëshmohet se operatorit ekonomik nuk i është shqiptuar ndalim i përkohshëm ose i përhershëm për kryerjen e veprimtarisë së caktuar, të cilat do të jepen nga regjistri adekuat i cili mbahet në Regjistrin qendror.

Ndryshime dhe plotësime janë propozuar edhe në drejtim të zmadhimit të efikasitetit dhe efektivitetit të procedurave dhe përshpejtimi i tyre nëpërmjet vendosjes së mundësisë që hapja publike e ofertave të zbatohet dhe kur si mundësi për ndarjen e marrëveshjes shfrytëzohet aukcioni publik, si dhe mundësia që organi kontraktues të miratojë vendim për zgjedhjen ose anulimin e procedurës në afatin e caktuar.

Me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara propozohen edhe masa të caktuara për zmadhimin e shfrytëzimit  të aukcioneve elektronike  në procedurat për ndarjen e marrëveshjeve për furnizime publike.

Komisioni me 8 vota "për" dhe 1 votë "kundër" përfundoi se në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nuk janë plotësuar kushtet për përgatitjen e Propozim-ligjit dhe i propozon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që ta shqyrtojë dhe ta miratojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizimet publike.

Click