Aktivitetet



E martë, 20 prill 2010

MBLEDHJA E PESËDHJETENËNTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 16 prill 2010 e mbajti mbledhjen e pesëdhjetenëntë

Si trup  punues amë Komisioni e shqyrtoi Raportin Vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike për vitin 2009.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike, znj. Maja Mallahova, theksoi se buxheti i miratuar i Komisionit Shtetëror për vitin 2009 ishte 11.246.000,00 denarë dhe i njëjti ka qenë i pamjaftueshëm për punën dhe funksionimin normal të Komisionit Shtetëror si organ shtetëror i pavarur. 

Në vitin 2009 në Komisionin Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike kanë arritur gjithsej 1044 lëndë nga të cilat janë të zgjidhura 996 lëndë ose 95,40%. Komisioni Shtetëror gjatë vitit 2009 ka vendosur për 934 lëndë me gjithsej 1121 ankesa të parashtruara.  Lidhur me numrin e kontesteve administrative kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror më vitin 2009, nga gjithsej 960 lëndë për të cilat Komisioni Shtetëror ka vepruar, kanë qenë të parashtruara  para Gjykatës Administrative gjithsej 105 padi ose 10,94%. Nga gjithsej 960 lëndë të ankesave të arritura në Komisionin Shtetëror janë refuzuar  44,67%, janë miratuar 25,94% të ankesave,15,74% janë hedhur poshtë, 10,94% janë tërhequr, ndërsa 2,71% janë miratuar nga organi kontraktues.

-Komisioni e shqyrtoi edhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen e shoqërive aksionare (leximi i parë), për të cilin arsyetim hyrës dha zëvendësministri  i Financave  z. Nedim Ramizi.

Ai theksoi se qëllimi themelor i ndryshimit dhe plotësimit të propozuar të Ligjit për marrjen e shoqërive aksionare është harmonizimi i ligjit ekzistues me Kodin Penal.

Gjegjësisht, është i plotësuar neni me të cilin rregullohet përgjegjësia e personit juridik në rast se jep informata të pasakta në prospektin për blerjen e letrave me vlerë ose të jep ofertë konkurruese për blerjen e letrave me vlerë nga shoqëritë aksionare, pa pasur të drejtë për këtë, me çka do të sjellë në huti dy apo më tepër persona të blejnë ose shesin letra me vlerë nga shoqëria  aksionare përkatëse. Në këtë nen bëhet plotësimi i dispozitës ekzistuese me masën dënim në para të cilën gjykata mund t’ia shqiptojë personit juridik për kryerjen e veprës së tillë.

Njëkohësisht, me këtë Propozim-ligj bëhet plotësimi lidhur me përgjegjësinë e personit juridik të autorizuar, pjesëmarrës në tregun e letrave me vlerë i cili nuk do të refuzojë kërkesë për blerje  të letrave me vlerë nga shoqëria aksionare, për të cilën e ka ditur ose ka mundur ta dijë se me pranimin e të njëjtës do të dëmtojë një ose më tepër persona, të cilët gjithashtu janë pjesëmarrës në tregun e letrave me vlerë. 

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen e shoqërive aksionare është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Në mbledhje u shqyrtua edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet investuese (leximi i parë).

Zëvendësministri i Financave theksoi se qëllimi themelor i ndryshimit dhe plotësimit të propozuar të Ligjit  për fonde investuese është harmonizimi i ligjit ekzistues me Kodin Penal. Me zgjidhjen e propozuar vendosen dënime dytësore për personat juridikë të cilët e kanë keqpërdorur veprimtarinë e tyre.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  fondet investuese është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

-Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kambial (leximi i parë), z. Ramizi theksoi se qëllimi themelor i ndryshimit dhe plotësimit  të propozuar të Ligjit për kambial është harmonizimi i ligjit ekzistues me Kodin Penal dhe me Ligjin për kundërvajtje.

U theksua se me dispozitat e këtij ligji bëhet rritja e dënimeve, që është në kundërshtim me përcaktimin e Qeverisë për ndryshimin  e politikës ndëshkimore në drejtim të zvogëlimit të dënimeve që do t'i përfshijë 166 ligje në mesin e të cilëve është edhe ky ligj.

Komisioni me 7 vota ‘’për’’ dhe 1 ‘’kundër’’ konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kambial është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

Për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bankat (leximi i parë) dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kryerjen e shërbimeve për transferim të shpejtë të parave (leximi i parë), zëvendësministri i Financave theksoi se shkaqet për miratimin e tij dalin nga nevoja për harmonizim me Kodin Penal. 

Nevoja për harmonizim del nga neni 121 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, në pajtim me të cilin  organet shtetërore janë të detyruara që në afat prej gjashtë muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji t'i harmonizojnë ligjet në të cilët janë të përcaktuara veprat penale me ndryshimet e përcaktuara me këtë ligj.

Komisioni njëzëri konkludoi se të dy Propozim-ligjet janë të pranueshme dhe mund të jepen në lexim të mëtejmë.

- Lidhur me Propozim-Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për denacionalizim (leximi i parë), z. Ramizi theksoi se Ligji për denacionalizim parasheh ndalim për disponimin dhe shfrytëzimin e pronës objekt të denacionalizimit me të cilin krijohen detyrime për kërkuesin në mënyrë që ajo t’i kthehet kërkuesit pas mbarimit të procedurës për denacionalizim.

Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara janë në drejtim të unifikimit të  praktikës lidhur me zbatimin e dispozitave që kanë të bëjnë me ndalimin për disponim të pronës që është objekt i denacionalizimit dhe në krijimin e kushteve ligjore për shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurës për denacionalizim.

Komisioni me shtatë vota "për” dhe tre "kundër” konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejshëm.

- Në mbledhje u shqyrtua edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për supervizion të sigurimit (leximi i parë).

Në arsyetimin hyrës, zëvendësministri theksoi se arsyet për miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për supervizion të sigurimit dalin nga nevoja për harmonizimin e Ligjit ekzistues për supervizion të sigurimit me Kodin Penal, si dhe vendosjen e dispozitave për kompanitë e sigurimit për të luftuar kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Me Propozim-ligjin parashihen ndryshime në pjesën e dispozitave ndëshkimore që parashikojnë masa ndëshkuese për personat juridikë të cilët deri më tani nuk kanë qenë të parashikuara, përkatësisht vendoset dënim me para për personin juridik, si dhe shqiptim i ndalimit për ushtrimin e profesionit, veprimtarisë ose detyrës të kryerësit të veprës penale.

Me Propozim-ligjin parashihet edhe heqja e lejes për punë, nëse nuk respektohen dispozitat e Ligjit  për parandalimin e larjes së parave dhe financimit të terrorizmit si dhe shtohet kompetencë shtesë e bordit mbikëqyrës të shoqërive të sigurimit lidhur me kryerjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi zbatimin e masave dhe veprimeve për parandalimin e larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për  ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për supervizion të sigurimit është i pranueshëm dhe mund jepet në lexim të mëtejshëm.

 

Click