Aktivitetet



E hënë, 18 janar 2010

MBLEDHJA E TRIDHJETETRETË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

Komisioni për Çështje Ekonomike në Mbledhjen e tridhjetetretë, të mbajtur më 14 janar 2010, si trup amë punues e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shoqëri tregtare (leximi i parë) dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për koncesione dhe lloje të tjera të partneritetit privat publik, me procedurë të shkurtuar.

Arsyetim të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëri tregtare, dha përfaqësuesi i propozuesit, ministri i Ekonomisë, Dr. Fatmir Besimi.

Ai theksoi se qëllimi themelor i ndryshimit dhe i plotësimit të këtij Propozim-ligji është harmonizimi i të drejtës së shoqërive tregtare me UE-në, përmes harmonizimit të plotë të direktivës për realizimin e të drejtave të shoqërive aksionare, aksionet e të cilave kuotojnë në bursën e letrave me vlerë.

Njëherit, ministri i Ekonomisë theksoi se Republika e Maqedonisë edhe më tutje është një nga liderët në rajon, lidhur me shkallën e harmonizimit me të drejtën e shoqërive tregtare me UE-në. Në drejtim të përmbylljes së këtij procesi ngelin edhe disa akte kyçe të UE-së të cilat Republika e Maqedonisë duhet t’i miratoj gjatë këtij viti dhe të cilat do të fillojnë me zbatim me anëtarësimin e plotë në UE. Ato janë: direktivat për lidhjen ndërkufitare të kompanive, rregullativa për grupet me interes ekonomike evropiane dhe rregullativa për status në shoqërinë evropiane. 

Qëllimet e këtij Propozim-ligji janë: rritja e transparencës në punën e  shoqërive aksionare të cilat kuotojnë në bursë, mënjanimi i pengesave kundrejt aksionarëve në realizimin e të drejtave të tyre në Kuvend dhe rritjen  e kontrollit mbi strukturat udhëheqëse nga ana e aksionarëve dhe menaxhim më të mirë  korporativ .

Pas mbarimit të debatit, Komisioni për Çështje Ekonomike njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për shoqëritë tregtare është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për koncesione dhe lloje të tjera të partneritetit privat publik, ministri i Ekonomisë theksoi se bëhet fjalë për një ndryshim të Ligjit, edhe atë në pjesën që ka të bëjë me garancinë për pjesëmarrje në procedurë dhe propozohet niveli i saj më i ulët, në vend të gjertanishmit 3%, të jetë 0,5 %, me atë që vetë institucionet që i udhëheqin këto procedura, në pajtim me Ligjin për koncesione dhe partneritet privat publik, në mënyrë transparente, vetë do të vendosin për përqindjen e garancisë, e cila duhet të sigurohet. Në këtë rast ndryshohet vetëm niveli më i ulët i cili do të jetë 0,5%.

Në fund të prononcimit të vet, z. Besimi theksoi se qëllimi i Ligjit të propozuar është nevoja e mënjanimit të barrierave për pjesëmarrje të një numri më të madh të ofertuesve të interesuar në procedurën për koncesion dhe partneritetit privat publik dhe rritja e konkurrencës.

Në debat të Komisionit morën pjesë: kryetari i Komisonit, z. Lubisav Ivanov Xingo, anëtarët e Komisionit, z. Marjanço Nikolov dhe z. Adnan Jashari, si dhe ministri i Ekonomisë, Dr. Fatmir Besimi.

Komisioni për çështje ekonomike, në bazë të debatit, me shumicë votash konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për koncesion dhe lloje të tjera të partneritetit privat publik, me procedurë të shkurtuar, duhet të përcillet në procedurë të mëtejme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Click