Aktivitetet



E mërkurë, 27 janar 2010

MODELI FINLANDEZ SI NDIHMË PËR ANËTARËSIMIN E MAQEDONISË NË UE

Anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë sot mbajtën takim me Delegacionin e Komisionit të Madh për Çështje Evropiane të Parlamentit  Finlandez.

Në përbërje të Delegacionit Finlandez ishin z. Ero Akan Pentela, z Esko Kiviranta, z. Mati Kaupilla, znj. Helli Jarvinen, z. Anti Vuolane, znj. Elizabet Naukler, z. Petar Saramo, në shoqërim të ambasadorit të Republikës së Finlandës në Republikën e Maqedonisë shkëlqesisë së tij z. Ari Heikinen dhe sekretarja e Ambasadës znj. Kristina Roine.

Nga ana tjetër, në rolin e nikoqirit, ishin anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme: z. Vasko Shutarov, znj. Hristina Runçeva, z. Pavle Trajanov, z. Igor Ivanovski, z. Vllado Buçkovski, z. Nazif Bushi dhe znj. Flora Kadriu.

Deputetët maqedonas shprehën falënderim për bashkëpunimin e suksesshëm dhe për përkrahjen që Finlanda ia jep Republikës së Maqedonisë në procesin e evrointegrimeve.

U theksua problemi i emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, i cili nuk është vetëm një problem ndërmjet dy shteteve, por edhe pengesë e Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit në UE dhe në NATO.

U theksua se Maqedonia pret ndihmë nga Finlanda, nëse dihet se i ashtuquajturi modeli finlandez u ka ndihmuar shumë vendeve aspirantë për në UE. Lidhur me këtë, mysafirët potencuan se edhe pse ky model është pozitiv, megjithatë nga politikanët varet se si ai do të shfrytëzohet.

Ata vlerësuan se Republika e Maqedonisë është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në Union, për çka flet edhe Raporti pozitiv i Komisionit Evropian, por çështja e emrit ende paraqet problem.

Takimi u shfrytëzua edhe që të apelohet për përforcimin e bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve, ndërsa kishte edhe reagime pozitive në lidhje me dërgimin e ushtarëve maqedonas në operacione paqeruajtëse.

Në fund, të pranishmit shprehën bindjen se kontaktet ndërmjet Maqedonisë dhe Finlandës do të shpeshtohen dhe se do të vazhdohen marrëdhëniet miqësore.
 
 

Click