Aktivitetet



E premte, 19 shkurt 2010

PJESËMARRJA E DEPUTETIT HISEN XHEMAILI NË SESIONIN E NËNTË DIMËROR TË AP TË OSBE-SË NË VJENË

Hisen Xhemaili, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së) merr pjesë në Sesionin e nëntë dimëror të AP-së së OSBE-së, që mbahet më 18 dhe 19 shkurt 2010 në Vjenë të Austrisë. Në kuadër të Sesionit, në të cilin marrin pjesë rreth 250 deputetë nga vendet anëtare të OSBE-së, u mbajtën mbledhje të tre komisioneve të Asamblesë Parlamentare të OSBE: Komisioni për Çështje Politike dhe Siguri, Komisioni për Çështje Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedis Njerëzor dhe Komisioni për Demokraci, të drejta të njeriut dhe çështje humanitare, mbledhje e përbashkët e tre komisioneve të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe debati special me temë: "Gjendja në Afganistan".

Në mbledhjen e përbashkët të tre komisioneve të AP-së së OSBE-së para deputetëve mbajti fjalë  Kanat Saudabajev kryesues i OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, i cili informoi për programin e kryesimit të Kazakistanit me Organizatën, si dhe iniciativën për organizimin e Samitit të OSBE-së. Ai vlerësoi se përforcimi i bashkëpunimit me parlamentarët e OSBE-së paraqet komponentë të rëndësishme në zgjidhjen e sfidave rajonale, si dhe konfliktet e ngrira dhe kontrolli i armatimit.

Në mbledhjen e Komisionit për Çështje Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedisit Njerëzor, fjalim mbajti z. Fatmir Besimi ministër i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë. Në cilësinë e kryesuesit të Bashkësisë Energjetike, ai informoi për qëllimet e Bashkësisë, si dhe për prioritetet dhe sfidat e kryesimit të Maqedonisë: zhvillimi i tregut rajonal të energjisë në drejtim të sigurisë në furnizime, implementimi i legjislaturës për efikasitet energjetik e kështu me radhë.

Në debatin special për gjendjen në Afganistan morën pjesë rreth pesëdhjetë deputetë, mes të cilëve edhe z. Hisen Xhemaili, i cili informoi për pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë në misionin ISAF në Afganistan. Me qëllim të përkrahjes së vendosjes së rendit juridik në Afganistan, Republika e Maqedonisë planifikon të dërgojë 79 pjesëtarë shtesë të ARM-së, të cilët do të marrin pjesë në mentorimin dhe trajnimin e forcave të sigurisë Afgane, së bashku me gardën kombëtare të Vermontit, SHBA. Zoti Xhemaili vlerësoi se përmes kontributit të Republikës së Maqedonisë për sigurinë globale, paqen dhe stabilitetin, në mënyrë më të mirë të mundshme përforcohet autoriteti dhe kredibiliteti i saj ndërkombëtar në promovimin e lirisë, demokracisë dhe vlerave dhe të drejtave të njeriut.

Click