Udhëheqja parlamentare



E premte, 26 mars 2010

FJALIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT VELJANOSKI NË HAPJEN E GARAVE NDËRKOMBËTARE PËR STUDENTË

Zonja dhe zotërinj,
Shkëlqesi,
të nderuar miq të rinj,

Është kënaqësi e madhe për mua sot të jem këtu me ju në kuadër të garave kualifikuese për studentët e drejtësisë, studimeve evropiane, shkencave politike, ekonomisë dhe teknologjive të informatikës.
Veçanërisht më gëzon fakti që në këto gara marrin pjesë studentë, si nga universitetet shtetërore, ashtu edhe nga universitetet private në Republikën e Maqedonisë, pasi, edhe në procesin e arsimit të lartë, edhe  në  fakultete është e nevojshme konkurrencë e shëndoshë, e cila, para së gjithash, shpie në ngritjen e kualitetit të procesit arsimor dhe hulumtues-shkencor të universiteteve.

Do të doja t'i falënderoj miqtë tanë austriakë, para së gjithash, Shërbimin Universitar Botëror të Austrisë dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe institucionet tjera evropiane që janë përfshirë në këtë projekt. Vetë fakti se në këtë janë përfshirë shtete të rajonit, në mesin e të cilave edhe Republika e Maqedonisë, tregon se të gjithë ne jemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Njëkohësisht, e ardhmja e Evropës së bashkuar qëndron pikërisht tek ju, qytetarë të ardhshëm akademikë që me njohuritë tuaja do të jeni bartës të zhvillimit, si në kufijtë nacionalë, ashtu edhe në nivel global, evropian dhe nëse doni edhe nivel botëror. 
 
Të nderuar miq,
Dija është fuqi, nuk është frazë e thjeshtë politike për përdorim ditor, por paraqet aksiomë e cila është e vjetër aq sa është i vjetër civilizimi njerëzor, pa dallim nëse bëhet fjalë për dije në shkencat natyrore, shkencat teknike ose shkencat shoqërore, pasi shkenca është komplementare dhe vetëm ashtu siguron progres.

Nëse e shikojmë zhvillimin  e shpejtë të disa shteteve, p.sh. të Irlandës, edhe pse ky nuk është shembull i vetëm, qartë shihet se përmes investimit në shkencë, kjo nënkupton investim në procesin arsimor nga arsimi fillor deri në arsimin akademik, rezultatet janë shumë domethënëse. Pikërisht për këtë, ne në Republikën e Maqedonisë i kushtojmë rëndësi të madhe procesit arsimor në të gjitha nivelet. Vetëm t'ju rikujtoj, vendosëm arsim të mesëm të detyrueshëm, pastaj aksionin kompjuter për çdo nxënës, hapjen e universiteteve të reja shtetërore dhe forcimin e kapaciteteve të atyre ekzistuese, janë vetëm një pjesë e zotimeve të përgjithshme të programit qeveritar, kur bëhet fjalë për procesin arsimor dhe hulumtues-shkencor të shtetit. Në universitete e vendosëm sistemin e ashtuquajtur të Bolonjës, i cili sot është bazë e procesit të arsimit të lartë evropian.  

E gjithë kjo duhet të shikohet si pjesë e përcaktimit tonë strategjik, këto janë integrimet euroatlantike, përkatësisht Republika e Maqedonisë anëtare e UE-së  dhe NATO-së. Nuk do të flas, as për Raportin  e Komisionit Evropian në të cilin qartë u theksua përparimi ynë, nuk do të flas as për mosmarrjen e datës për fillimin e bisedimeve, edhe pse morëm rekomandim, pasi ju si qytetarë akademikë, veçanërisht si studentë të shkencave shoqërore, këtë shumë mirë e dini dhe e kuptoni. 

Proceset integruese në Evropë janë të pashmangshme dhe ato do të ndodhin sot ose nesër. Andaj dua të theksoj një dimension tjetër. Gjegjësisht, kur nesër do të bëhemi anëtare e Unionit Evropian, shumë e rëndësishme është që të jemi të gatshëm t'iu përgjigjemi të gjitha sfidave, por edhe të gjitha detyrimeve të cilat i sjellë anëtarësimi në familjen evropiane. 

Kjo do me thënë se nesër juristi maqedonas, ekonomisti, politikologu, përkatësisht cilido profil i arsimimit akademik, të jetë konkurrues me kolegun e tij nga cilido vend shtet-anëtar. Pa dallim nëse ndonjëri nga ju do të punojë në institucionet e vendit ose në Bruksel, pa dallim nëse do të jetë pjesë e ekipit të ndonjë firme të madhe evropiane ose do të ketë biznes personal, duhet të jetë konkurrues me dijen e tij dhe i suksesshëm në punën e tij.

Që të arrihet kjo duhen fakultete kualitative, duhen kontakte të rregullta me universitetet nëpër Evropë, duhen edhe gara të këtilla të cilat nuk kanë për qëllim që dikush të mund dikë, por t’i tregojë më të mirët, dhe njëkohësisht duhet të jetë nxitje dhe motiv për të gjithë. Ju e dini se që nga dhjetori i vitit të kaluar për qytetarët tanë u hoq regjimi i vizave. Me këtë, veçanërisht për ju, studentët, shumë më lehtë ju mundësohet që të udhëtoni dhe të jeni në kontakt me kolegët tuaj evropianë. Për internetin dhe shfrytëzimin e tij, pikërisht në procesin edukativ, nuk duhet  të flas veçanërisht, pasi jam i bindur se ju këtë e dini më mirë. Gjithashtu, këtu janë edhe miqtë tanë evropianë të cilët me të vërtetë na ndihmojnë pikërisht në proceset e arsimit të lartë dhe përfshirjen tonë në rrjedhat evropiane. Ju e dini se Unioni Evropian shumë investon në arsimin e lartë dhe për këtë ndahen mjete të mëdha financiare. Edhe pse ende nuk jemi anëtare e UE-së, na janë të hapura mundësitë për qasje në ato mjete përmes programeve të ndryshme. 

E gjithë kjo jep bazë të mirë që të shfrytëzohet për të mirë para së gjithash për të mirën tuajën, por me këtë na ndihmoni edhe neve politikanëve të cilët jemi përgjegjës që t’i përmbushim detyrimet tona, përkatësisht ta kryejmë detyrën e shtëpisë për integrimin tonë në UE dhe NATO. 

Të nderuar,
Duke e shikuar me kujdes programin për këto gara, vërejta se bëhet fjalë për të ashtuquajturën ‘’kejs stadi’’ në sfera të ndryshme, drejtësi, ekonomi, politikologji, institucione evropiane dhe kështu me radhë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë ju tani në fazën e studimit mund t’i kontrolloni dhe vërtetoni njohuritë tuaja teorike dhe shkencore në zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve konkrete. Me këtë ju shumë më lehtë dhe në mënyrë më efikase do të mund të përfshiheni në procesin e punës. Njëkohësisht, besoj se me këtë metodologji, ju shumë më lehtë mund t’i shihni afinitetet dhe interesat tuaja dhe përmes studimeve pasdiplomike të specializoheni për çështje konkrete teorike dhe gjithsesi praktike.

Besoj se këto "kejs stadi’’ shembuj do të gjejnë interes te institucionet përkatëse, në mesin e të cilave është edhe Kuvendi, por edhe në sferën e biznesit, pasi sot këto janë trendet evropiane dhe botërore që sigurojnë zhvillimin e tërësishëm të shoqërisë, të subjekteve të caktuara ekonomike, gjithashtu edhe karrierën tuaj të suksesshme profesionale.

Zonja dhe zotëri, miq të rinj,
Më lejoni që në fund edhe një herë të gjithë pjesëmarrësve në këtë garë, si dhe organizatorëve, t'ju dëshiroj sukses. Siç thashë më herët, unë këtë nuk e shoh si garë në të cilën dikush fiton e dikush humb, por si mundësi që të tregohen më të mirët. Ndërsa më të mirëve u dëshiroj shumë sukses në korrik në garat në Vjenë dhe besoj se me njohurinë e tyre teorike dhe praktike, kolegëve tuaj nga Evropa, edhe një herë, do t’ua prezantoni shtetin tonë, kësaj radhe përmes dijes dhe shkencës.

Ju faleminderit.
 
 

 

Click