Udhëheqja parlamentare



E hënë, 08 shkurt 2010

FJALIM I KRYETARIT VELJANOSKI NË PUNËTORINË NDËRKOMBËTARE "KONFLIKTI I INTERESAVE DHE GJENDJA PRONËSORE", TË ORGANIZUAR NGA KOMISIONI SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

Zonja dhe zotërinj,
Shkëlqesi,
Të nderuar miq,
‘’Të brengosur për shkak të peshës së problemeve që i shkakton korrupsioni dhe kërcënimit që ai paraqet për stabilitetin dhe sigurinë, duke i minuar institucionet dhe vlerat demokratike, vlerat morale dhe drejtësinë dhe duke e vënë në rrezik zhvillimin e përhershëm dhe shtetin juridik...’’

Të nderuar,

Besoj se shumë nga ju e hetojnë se ky është citat nga Preambula e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, të cilën Republika e Maqedonisë e nënshkroi në vitin 2005, ndërsa e ratifikoi në mars 2007. E përmenda Konventën, duke u nisur nga fakti se korrupsioni më nuk është problem lokal, por fenomen transnacional i cili i sulmon të gjitha shoqëritë dhe ekonomitë. Në të njëjtën kohë, jemi dëshmitarë të lidhshmërisë së korrupsionit me format e tjera të krimit, veçanërisht të krimit të organizuar dhe të krimit ekonomik. Mu për atë në preventivën dhe luftën kundër korrupsionit është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërkombëtar.
Në atë frymë e shoh edhe këtë punëtori ndërkombëtare kushtuar ‘’Konfliktit të interesave dhe gjendjes pronësore’’ dhe jam i bindur se pjesëmarrësit në mënyrë të ndërsjellë do t’i shkëmbejnë përvojat personale në luftën kundër korrupsionit. Është e domosdoshme bashkëpunimi i vazhdueshëm, pikërisht në drejtim të shkëmbimit të përvojave pozitive dhe rezultateve, bashkëpunim në të cilin do të mësonim dhe do të ndërmerrnim, por edhe do t’i bartnim rezultatet dhe arritjet tona. 

Zonja dhe zotërinj,

Nëse korrupsioni sot është fenomen ndërkombëtar, lufta kundër kësaj të keqeje fillon nga shtëpia, përkatësisht nga oborri i vet.  Të ju rikujtoj se Republika e Maqedonisë në vitin 2002 miratoi Ligj të veçantë për parandalimin e korrupsionit. Ky ligj deri më tani ka pësuar disa ndryshime dhe plotësime, në të cilat të fundit në vitin 2008. Sipas mua, këto ndryshime dhe plotësime u bënë me qëllim që në rrethanat e sapokrijuara të ndiqet preventiva dhe lufta kundër korrupsionit.

Në vitin 2007 është miratuar Ligji për konflikt të interesave, në vitin 2009 i njëjti është plotësuar. Por, ekzistimi i ligjit të përmendur, nuk është pengesë që edhe në akte tjera ligjore, konflikti i interesave të jetë i pranishëm si normë juridike, për shembull në Ligjin për vetadminisrim lokal, Ligjin për furnizime publike e kështu me radhë.  Me fjalë të tjera mund të them se kemi kornizë ligjore solide për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave.

Këtu dua të theksoj edhe një fakt. Konflikti i interesave në të vërtet është hapi i parë për përfshirje në korrupsion, sepse praktika edhe te ne, edhe në botë, tregon se çdoherë kur ka korrupsion ekziston edhe konflikt i interesave.

E dyta, një dimension, gjithashtu i rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, është ndërtimi i institucioneve përkatëse dhe efikase. Gjithsesi, këtu në radhë të parë mendoj në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por edhe në institucionet tjera të cilat janë të përfshirë në luftë kundër kësaj dukurie. Në Republikën e Maqedonisë 12 institucione shtetërore, nga Drejtoria e të Hyrave Publike, përmes Entit Shtetëror për Revizion, Drejtoria e Policisë Financiare, Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme e kështu me radhë, janë të përfshira, përkatësisht kanë nënshkruar Protokoll për bashkëpunim për preventivë dhe represion të korrupsionit dhe konfliktit të interesave.  Edhe pse në punëtorinë e sotme do të flitet shumë më tepër për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ajo që unë dua ta theksoj është se të gjitha këto institucione duhet të punojnë rreptësisht në bazë të dispozitave ligjore dhe, para së gjithash, pavarësisht nga vullneti i partive politike ose individëve.

Si jurist, i cili në karrierën e tij politike ka qenë pjesë e tri degëve të pushtetit, jam i bindur se – nëse duam të flasim për shtet juridik, nëse duam të flasim për demokraci, atëherë është e nevojshme zbatim i ligjit dhe normave juridike në mënyrë këmbëngulëse, në të gjitha nivelet dhe në mënyrë joselektive.

Gjithashtu, kur flasim për ndërtim të institucioneve, kjo nënkupton edhe pavarësi të tyre financiare, dhe përgatitje teknike dhe teknologjike dhe, gjithsesi, ato janë resurset njerëzore, më saktësisht kuadër përkatës të stërvitur dhe të arsimuar mirë, i cli profesionalisht do t’i kryejë detyrat e punës.

Kur flasim për preventivën e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, është e domosdoshme krijimi i kulturës së tillë politike dhe sistemi i vlerave, në të cilin korrupsioni do të identifikohet qartë si e keqe shoqërore e cila duhet në kontinuitet të parandalohet dhe të sanksionohet.  Mendoj se këtu rol të rëndësishëm ka sektori joqeveritar, i cili me mekanizmat e tij të veprimit mundet të jetë subjekt i rëndësishëm në luftën kundër kësaj të keqeje shoqërore, ndërsa në ato suaza e shoh edhe rolin e medieve.

Në mposhtjen e kësaj dukurie përgjegjësi të madhe kanë funksionarët të cilët në vendimet e tyre çdoherë duhet të nisen nga interesi publik, i themeluar mbi dispozitat ligjore dhe të tjera. Me ç'rast doemos duhet të ngrihen mbi interesat e tyre personale, familjare, partiake, dhe nëse doni edhe ato etnike ose religjioze. Veçanërisht kur bëhet fjalë për konflikt të interesave, ato kanë përgjegjësi personale për identifikimin dhe shkarkimin e tij në pajtim me politikat dhe praktikat për konflikt të interesave. Në mënyrë të pakontestueshme, kjo duhet të jetë edhe model i sjelljes së të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore dhe publike.

Po aq e rëndësishme është edhe sigurimi i transparencës dhe mbikëqyrjes. Zbatimin e detyrave që dalin nga funksioni, funksionarët dhe personat zyrtarë duhet ta bëjnë në mënyrë transparente dhe të kapshme për publikun. Dimension tjetër i asaj transparence është në atë që funksionarët dhe personat tjerë zyrtarë detyrohen që pas marrjes së detyrë t’ia bëjnë të kapshme publikut edhe disa të dhëna të veta personale, para së gjithash mendoj në gjendjen pronësore.

Kjo, sipas meje, është e rëndësishme për disa shkaqe. Para së gjithash, në këtë mënyrë institucionet kompetente, në rend të parë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por edhe të gjithë të tjerët, mund ta përcjellin gjendjen pronësore të çdonjërit që dispozitat ligjore e obligojnë që ta paraqesë pronën personale dhe, nëse gjatë kryerjes së funksionit vërehen  dhe vërtetohen ndryshime joadekuate dhe të dyshimta ligji parasheh mundësi për reagim në kohë dhe sanksion.

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja shkurt në vazhdim të përqendrohem në rolin e Kuvendit në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave.
Si pushtet ligjvënëse, detyra jonë primare është që të miratojmë ligje kualitative, me angazhim dhe përkushtim të plotë për përmirësimin e dispozitave ligjore të propozuara.

Nga organizimi i debateve publike gjatë debatit nëpër komisione, deri te parashtrimi i amendamenteve e kështu me radhë. Kjo është vetëm njëra anë e demokracisë parlamentare. Dimension tjetër i rëndësishëm,  karakteristike për parlamentarizmin e sotëm bashkëkohor, është funksioni kontrollues. Gjegjësisht, si Kuvend, ne i shqyrtojmë raportet për punën e më tepër institucioneve shtetërore, në mes e të cilëve është edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Gjithashtu, sipas Ligjit për Kuvendin, mund të organizojmë debate mbikëqyrëse në të cilat shqyrtohet implementimi i ndonjë ligji, përkatësisht puna e ndonjë organi. Mendoj se ky është dimension shumë i rëndësishëm parlamentar, sepse nga njëra anë e forcon rolin e pushtetit ligjvënës në zbatimin  e ligjeve dhe në të  njëjtën kohë së bashku me institucionin kompetent mund të konstatojmë se ku shfaqen problemet dhe si ato të tejkalohen. Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, dhe në ato korniza edhe bashkëpunimi jonë me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, mund të theksoj se deri më tani ai ka qenë i ndërsjellë dhe i suksesshëm. 

Dhe me këtë rast, dua të theksoj se Kuvendi, duke filluar nga kompetencat e tij kushtetuese dhe të rregullores, maksimalisht është i hapur që atë bashkëpunim ta zhvillojë edhe më tutje, duke pasur parasysh se korrupsioni dhe konflikti i interesave pas të cilëve zakonisht qëndrojnë interesa të leverdishëm të individëve, ndërsa ndonjëherë edhe interesa politike, është e keqe shoqërore e cila i minon themelet e çdo shoqërie, të çdo shteti dhe të çdo individi.

Zonja dhe zotërinj,

Në Republikën e Maqedonisë lufta kundër korrupsionit në të gjitha format dhe nivelet, sot është prioritet i lartë në politikën qeveritare. Ne u përcaktuam për proceset e evrointegrimit. Ndërsa kjo nënkupton se duhet jo vetëm t’i miratojmë, por edhe t’i zbatojmë të gjitha ato standarde të cilat sot janë të pranishëm në shtetet-anëtare të UE-së, në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Është fakt se kjo është një detyrë e lehtë e cila zgjidhet brenda natës dhe imponon angazhim permanent të të gjitha subjekteve të cilat janë të lidhura me këtë problematikë.

Është fakt se Republika e Maqedonisë shënon rezultate pozitive, sa për ilustrim, nga vendi i 105-të ka zbritur në vendin 71 sipas indeksit të korrupsionit. Këtë përparim nuk e theksoj si lavdërim të thjeshtë, por para së gjithash si detyrim i yni të gjithë së bashku dhe me ndihmë të miqve tanë nga shtetet tjera të cilat kanë përvojë më të madhe nga ne, që të vazhdojmë në atë drejtim.  Sigurisht se do të na duhet kohë, të mos them edhe vite, ta arrijmë nivelin e Danimarkës, si shembull të shtetit më të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit, por besoj se kemi kapacitet të vazhdojmë me intensitet më të madh në luftën kundër kësaj dukurie.

Me atë bindje, në fund do të doja që të gjithë pjesëmarrësve të kësaj punëtorie ndërkombëtare t'ju dëshiroj punë të suksesshme. 

Ju faleminderit. 

Click