Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 28 prill 2010

KRYETARI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË TRAJKO VELJANOSKI REALIZOI TAKIM ME KRYETARIN E KONGRESIT POPULLOR TË KINËS VU BANGUO



Në kuadër të vizitës në Republikën Popullore të Kinës të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga Kryetari Trajko Veljanoski, në përbërje të të cilit janë deputetët Sillvana Boneva, Cvetanka Ivanova dhe Xhevat Ademi, sot në Pekin, në ndërtesën  e Kongresit Popullor i Kinës u realizua takim me kryetarin  e Kongresit Popullor të Kinës Vu Banguo, që njëherit paraqet takimin e parë në nivel të kryetarëve të parlamenteve të dy vendeve.

Kryetari  Veljanoski theksoi se ky takim i nivelit më të lartë paraqet bazë për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, por edhe mundësi për përparimin e marrëdhënieve të gjithëmbarshme ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Popullore të Kinës.  Me këtë rast, ai e përshëndeti qëndrimin parimor të RP të Kinës lidhur me njohjen e emrit tonë kushtetues me çka vërtetohet miqësia e vërtetë ndërmjet dy shteteve. 

Kryetari Veljanoski theksoi se Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në plotësimin e qëllimeve strategjike për anëtarësim të barabartë në UE dhe në NATO, por gjithashtu kujdes të veçantë i kushtohet dhe relacioneve të përgjithshme me RP të Kinës. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve do të vazhdojë  dhe do të thellohet në fusha të ndryshme, siç janë kultura, shkenca, turizmi, për çka pala maqedonase është gatshme që edhe më tutje t’i përforcojë të gjitha aktivitetet. Në këtë mënyrë do të kontribuohet për intensifikimin edhe të bashkëpunimit ekonomik, me ç'rast kompanitë kineze janë të mirëseardhura të investojnë në Republikën e Maqedonisë, si mundësi dhe për hyrje në tregun evropian.

Kryetari Veljanoski shprehu falënderime për ndihmën që Qeveria e Republikës Popullore të Kinës ia ndau Republikës së Maqedonisë për pjesëmarrje në ekspozitën botërore Shangai Ekspo 2010 dhe për mundësinë që në këtë ngjarje me rëndësi globale, të paraqitet kultura maqedonase, tradita dhe vlerat historike.

Kryetari i Kongresit Popullor të Kinës, Vu Banguo, theksoi se ky takim është me rëndësi dhe duhet të jetë nxitje për bashkëpunim më intensiv ndërmjet dy shteteve në sfera të ndryshme.

‘’u qëndroj në disponim në drejtim të forcimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona në nivel parlamentar, por mendoj se është e nevojshme që të bëhen përpjekje që të avancohen marrëdhëniet edhe më gjerësisht. Bashkëpunimi ekonomik duhet të thellohet për çka tanimë ekzistojnë sinjale pozitive dhe interes të shtuar të kompanive kineze për prani në Republikën e Maqedonisë’’.

 Kryetari Vu Banguo theksoi se pala kineze e respekton dhe ka mirëkuptim të plotë për të drejtën e Republikës së Maqedonisë për përdorimin e emrit kushtetues dhe, njëherit, shpreson në zgjidhje sa më të shpejtë të këtij kontesti në kuadër të OKB-së.

Në fund, Kryetari Veljanoski shprehu falënderim për mikpritjen e ngrohtë dhe e ftoi kolegun e tij z. Vu Banguo që ta vizitojë Republikën e Maqedonisë.

Në kuadër të qëndrimit në RP të Kinës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Shangai Ekspo  2010 dhe do të realizojë takime me përfaqësues tjerë të lartë të kreut shtetëror të Kinës.

Click