Aktivitetet



E premte, 4 nëntor 2011

MBLEDHJA E NJËMBËDHJETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Mbledhjen e njëmbëdhjetë, e mbajtur më 31 tetor dhe 2 nëntor të vitit 2011, si trup punues amë shqyrtoi:   

  • Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e pagesave të gatshme (leximi i parë); 
  • Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për lëshimin e obligacioneve të Republikës së Maqedonisë për denacionalizim (leximi i parë);      
  • Propozim-ligjin për subvencionimin e kredisë banesore (leximi i dytë).

Arsyetim hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e pagesave të gatshme dhe Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për lëshimin e obligacioneve të Republikës së Maqedonisë për denacionalizim, dha zëvendësministri i Financave, z.  Nedim Ramizi.

- Për Propozim-ligjin e parashtruar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e pagesave me para në dorë, zëvendësministri i Financave theksoi se ndryshimet dhe plotësimet e propozuara janë me qëllim që të mundësohet organizimi i shitjes në rrugë të biletave të lotarisë që përdoren gjatë organizimit të lojës së fatit "lotari e çastit" dhe kartelat e tombolës që përdoren gjatë organizimit të lojës së fatit "tombolë" nga ana e Lotarisë së Shtetit të Maqedonisë. 

Gjegjësisht, meqë Lotaria e Shtetit të Maqedonisë ka për qëllim që të angazhojë persona të papunësuar të kategorive të rrezikuara socialë, siç janë prindërit kryefamiljarë, personat me të meta fizike dhe të tjerë, për shitjen e biletave të lotarisë të çastit dhe kartela të tombolës, propozohet plotësim i nenit 9 të zgjidhjes ligjore ekzistuese me atë që obligimi për instalimin dhe shfrytëzimin e sistemit të miratuar të pajisjes për regjistrimin e pagesave me para në dorë nuk do t'u referohet edhe personave të cilat shesin në rrugë bileta të lotarisë që përdoren gjatë organizimit të lojërave të fatit, të llojit të lotarisë së çastit, si dhe kartelave që përdoren gjatë organizimit të lojërave të fatit, të llojit të tombolës. 

Njëkohësisht, për përforcimin e disiplinës fiskale në Republikën e Maqedonisë, zvogëlimin e evazionit tatimor dhe respektimin më të madh të dispozitave të Ligjit, propozohet që te procedura gjatë shqiptimit të sanksioneve për kundërvajtje, gjobat në pjesën e kundërvajtjeve nga kategoria më e rrezikuar, të zmadhohen dhe njëkohësisht të zmadhohet kohëzgjatja e masës së përkohshme ndalim të ushtrimit të veprimtarisë të shqiptuara për personat fizikë pas konstatimit të mangësive në punë, si në lokalet e tyre afariste, ashtu edhe në pjesën e ushtrimit të veprimtarisë së caktuar.

Ne debatin për Propozim-ligjin morën pjesë deputetët:  z. Marjanço Nikollov, z. Mile Andonov, z. Izet Zeqiri, znj Vlladanka Aviroviq, z. Stojko Paunovski, znj. Liljana Kuzmanovska, z. Dragan Cukllev dhe z. Samka Ibraimoski.

Komisioni me shtatë vota "për" dhe katër vota "kundër", konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për lëshimin e obligacioneve të Republikës së Maqedonisë për denacionalizim, z. Ramizi theksoi se me të rregullohet mënyra dhe procedura e lëshimit të obligacioneve për denacionalizim, të cilat jepen si kompensim për pronën e konfiskuar në dobi të shtetit, në bazë të rregullave me të cilat është konfiskuar dhe kufizuar prona, në bazë të rregullave për konfiskimin e pronës për realizimin e qëllimeve të dobishme, si për pronën e shpronësuar për realizimin e qëllimeve të dobishme, përkatësisht për realizimin e qëllimeve të interesit të përgjithshëm, nëse nuk janë plotësuar kushtet për kthimin e pronës sipas dispozitave për shpronësim dhe konfiskim pa bazë juridike. 

Në Ligjin për lëshimin e obligacioneve për denacionalizim është konstatuar se Republika e Maqedonisë në dhjetë vitet e ardhshme do të realizojë njëherë në vit nga një emetim të obligacioneve për denacionalizim. 

Si rezultat i afatit të vazhduar për dorëzimin e kërkesës për denacionalizim deri në fund të vitit 2007, u zmadhua edhe numri i kërkesave të parashtruara për denacionalizim dhe u vazhdua periudha për vendosjen për të njëjtat. 

Duke pasur parasysh se gjatë vitit 2011 u miratuan aktvendime të reja për denacionalizim dhe për herë të parë mbeten të pazgjidhura 272 lëndë të cilat duhet të zgjidhen deri në fund të vitit 2012, si dhe për shkak të asaj që pas aktvendimeve të shkallës së parë për denacionalizim, në rrjedhë janë procedurat administrative të shkallës së dytë dhe procedurat para gjykatës administrative, nevojitet zmadhim i numrit të emetimeve të obligacioneve për denacionalizim nga dhjetë në dymbëdhjetë emetime. 

Në debatin për ligjin e propozuar morën pjesë deputetët: z. Marjanço Nikollov, znj. Liljana Kuzmanovska, z. Nexhati jakupi, z. Izet Zeqiri, z. Stojko Paunovski dhe z.  Samka Ibraimoski.

Komisioni njëzëri konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Për Propozim-ligjin për subvencionim të kredisë banesore, u parashtruan dhe u shqyrtuan gjithsej 17 amendamente, prej të cilave 1 u miratua, 14 nuk u miratuan, ndërsa 2 u tërhoqën.

Në bazë të nenit 149 paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për Propozim-ligjin për subvencionim të kredisë banesore, me propozim të deputetit Mile Andonov, Komisioni për Financim dhe Buxhet parashtroi 1 amendament i cili u miratua njëzëri.

Komisioni me gjashtë vota "për" dhe tre vota "të përmbajtur" konkludoi se në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë u plotësuan kushtet për përpilimin e Propozim-ligjit të plotësuar për subvencionim të kredisë banesore.

Click